Kamioni përplaset me ‘Benz-in’ në Vlorë, plagoset rëndë punëtori i rrugës

Një aksident ka ndodhur në aksin rrugor Vlorë-fshati Alikokë. Një kamion me rimorkio me targë AA 044 FZ është përplasur me një automjet tip Mercedes me targa AA 059 DF dhe si pasojë nga përplasja është plagosur rëndë një punëtor i “Rruga Urës” i cili ishte duke punuar në rrugë. Po ashtu nga përplasja është dëmtuar dhe një dyqan anës rrugës i cili është goditur nga kamioni.

Personi i plagosur ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Mësohet nga informacionet e para se kamioni trailer me rimorkio ishte me shpejtësi, duke dalë disi nga rruga, fillimisht duke u përplasur me makinën tip Benz, ndërsa më pas ka goditur dhe një biznes të vogël të ndodhur në anë të rrugës.

Pikërisht pronari i këtij subjekti tregtar Erion Canaj konfirmon se ka shpëtuar për vetëm pak çaste nga ndonjë tragjedi e rëndë, ndërsa është larguar menjëherë nga subjekti në momentin kur është godiuur nga kamioni. Vendi i ngjarjes është dhe një vend stacion për furgonat e fshatrave të lumit të Vlorës dhe fatmirësisht që në vend nuk ka patur ndonjë mjet të ndaluar me pasagjerë, pasi dëmet mund të ishin edhe më të rënda.