Kallashnikovët e ’97-s, inagurojnë Vitin e Ri

536
Sigal

Në këtë fillimviti të 2013-s, kriminelët përdorin armët dhe rendi publik është në rrezik

Megjithëse kanë kaluar 16 vjet nga 1997-ta, e hapjes të depove të ushtrisë dhe rrëmbimi i  mijëra e mijëra armëve dhe fishekëve, nga një shumicë e shqiptarëve,  ngjarjet tragjike të fundvitit 2012 dhe fillimvitit 2013 dëshmuan se, armët janë në duar të atyre që nuk e kanë për asgjë që të vrasin këdo për qëllime grabitjeje dhe motive të dobëta ose morali, ndërsa Policia e Shtetit është kthyer në një organ inventarizues të vrasjeve, pa mundur të parandalojë krimin. Kushdo në Shqipëri mund të gjejë armë, kushdo në Shqipëri mund të transportojë armë, kushdo në Shqipëri mund të bëjë tregti me armët e vdekjes dhe vetëm policia e ka të vështirë që të sigurojë jetën e popullit, duke provuar që 1997-ta është  e tanishmja, është një hije që bashkëshoqëron shqiptarët, duke u vrarë ndjenjën e sigurisë për jetën. Në këtë pragviti të ri, në qytetin e Beratit janë dëgjuar krisma armësh, shpërthime granatash dhe bomba, dhe si pasojë e përdorimit të armëve, ka patur edhe të plagosur nga plumba “jetimë”.  Duke qenë se një arsenal i madh armësh ndodhet në “pronësi” të njerëzve të papërgjegjshëm, me precedentë kriminalë, përdorimi i armëve do të vërë në rrezik të madh edhe zgjedhjet e 2013-s, pasi ato mund të përdoren edhe për presione dhe shantazhe kundër elektoratit.  Në shumë zona të Shqipërisë, si në Tiranë, Berat, Krujë, Durrës, Krujë, Burrel, e gjetkë, përdorimi i armëve, i granatave dhe i bombave, është kërcënimi më i madh, për ditët që vijnë, sidomos, duke patur përpara edhe zgjedhjet e 23 qershorit të 2013-s. Rasti i vrasjes së të riut Alfred Cena, në fshatin Larushk  të Krujës, i cili u vra nga një plumb “jetim”, dëshmon që kushdo përdor armë dhe askush nuk mund të parandalojë asgjë. Fatkeqësisht, shumë prej shqiptareve në natën e ndërrimit të viteve kanë përdorur edhe armë luftarake në vend të fishekzjarrëve. Të shtëna armësh janë dëgjuar pothuajse në pjesën më të madhe të qyteteve të vendit.  Përdorimi i armëve të zjarrit shkaktoi edhe dy të plagosur në qytetin e Durrësit dhe Fushë-Krujë. Por nata e ndërrimit të viteve për pak sa nuk është shndërruar në një ngjarje të rëndë për qindra familjarë, të rinj e të reja që ishin mbledhur për të festuar Vitin e Ri në një lokal në zonën e Linzës në kryeqytet.  Pak minuta pas mesnatës, tek sa të gjithë po festonin, një pjesë e tavanit të lokalit është shkëputur, duke lënduar katër persona, mes të cilëve një fëmijë.. Në komunikatat e saj Ministria e Brendshme, bën fjalë për raste sporadike, të plagosjes me armë, komunikata  e  drejtorisë të shërbimit shëndetësor,  në MSH, bën fjalë për 11 raste të trajtuara në spitalin e QSUT-së, ku shprehimisht thuhet: “Veçojmë se rastet e njoftuar nga policia, kanë qenë persona të dehur, të aksidentuar lehtë dhe të plagosur lehtë nga fishekzjarrët”. Pra siç shihet, Ministria e Brendshme mundohet që të fshehë nga opinioni publik rastet e aksidenteve dhe të përdorimit të armëve, sepse kërkon që të fshehë punën e dobët të saj, pa u bërë merak që rendi dhe siguria e jetës të qytetarëve është në rrezik, çdo çast nga plumbat e kallashnikovëve.

Ja kronika e zezë e fillimvitit të 2013-s
 
1. Më 2 janar,  rreth orës 14:20, në rrugën “Kadri Roshi” Tiranë, në afërsi të  Spitalit të Pediatrisë, pas një konflikti të çastit, Novruz Morina, 26 vjeç,  ka vrarë me armën e tij të shërbimit shtetasin Mehmet Çaush Beqiri, 52 vjeç.

2. Po më 2 janar,  rreth ora 07:30 në fshatin Mazrek komuna Kashar, është gjendur i vrarë me armë zjarri pranë automjetit të tij tipi “Mercedes- Benz Vito” me targë CY 325 SZ, shtetasi Agron Xhemal Dervishi, 40 vjeç, banues në Maminas, Durrës, të cilit dyshohet se persona të paidentifikuar i kanë dalë përpara, duke e vjedhur portofolin dhe më pas e kanë vrarë. Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja të kalibrit 7.62 mm dhe 2 gëzhoja te kalibrit 7.65 mm, si dhe sende e objekte të tjera.

3. Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë në rrugën “Irfan Tomini”,  bëri të mundur kapjen  dhe arrestimin në flagarancë të shtetasit O.Alia, 17 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye sepse u kap në flagrancë me një pistoletë e markës TT, model 54, kalibër 7.62 mm, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

4. Nga Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit H. Arapi, 17 vjeç, banues në Tiranë, pasi më dt.31.12.2012, ora 02.50, tek sheshi Rilindja është kapur në flagrancë duke vjedhur në dyqanin market të një shtetasi.

5. Për veprën penale të Vjedhjes nga Komisariati i Policisë  Nr.6 Tiranë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Altin Fatmir Mjeda, 26 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë pasi në Unazë të Re në ambientet e firmës “Elektroshtëpiake”, pasi ka hyrë brenda ambienteve të firmës, ka vjedhur në sirtarin e zyrës së tij, shumën prej 300 mijë lekësh. Gjithashtu shtetasi Altin Mjeda, pasi është larguar nga ambjentet e firmës gjatë largimit të tij ka vjedhur edhe motorin e tipit “Skygo”, 50 Ç, me targa CAC 379.

6. Nga Seksioni Kundër Narkotikëve u krye ndalimi i shtetasit Laurel Dede Ramaj, 25 vjeç, banues në Tiranë. Ndaj tij, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim të datës dt.30.11.2012, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”.

7 Aksidenti tek Pallati Brigadave më datë 1 Janar në orët e mëngjesit një taksi përplaset me 1 motor ,nga ku gjeti vdekjen drejtuesi i motorit.  Nga Komisariati i Policisë Nr.1 Tiranë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Skifter Qamil Vathi, sepse rreth orës 07.30, në Rrugën e Elbasanit, pranë Pallatit të Brigadave, duke drejtuar  automjetin Taxi, me targa TR 156 C,  është përplasur me motorin me targa të huaja AD 269,  drejtuar nga shtetasi Ledio Artur Muliu,  ku si pasojë e aksidentit ka vdekur në vend drejtuesi i motorit shtetasi Ledio Muliu.

8. Komisariati i Policisë Nr.3 Tiranë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Muhamet Riza Brinja, 20 vjeç, lindur ne Kukës edhe banues në Tiranë, sepse në rrugën “Vangjel Noti”, duke drejtuar  automjetin tip “Benz”, me targa TR 6026 F, në pronësi të shtetasit Alket Arqile Thomari, i papajisur me dëshmi aftësie dhe në gjendje të dehur, ka aksidentuar shtetasin Elmas Haki Strazimiri, banues në Tiranë, i cili ndodhej si kalimtar në trotuar.

9. Nga Komisariati i Policisë Nr.4 Tiranë dhe u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Elsi Binak Vodrica, 20 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi është bërë pasi  me datë 02.01.2013  rreth orës 14:30 në Rrugën Bardhyl në afërsi të Njësive Administrative Nr.3, dhe Nr.4 ,Tiranë, shtetasi Elsi Vodrica në kohen që po drejtonte me mjetin tip “Audi A8”  me targa OY 05 YZP ka aksidentuar një shtetas të paidentifikuar, i cili në fillim është dërguar në Urgjencën e QSUT më pas është dërguar në Urgjencën e Spitalit Ushtarak, Tiranë, ku aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.