Kali i vrarë, u përdor si mish për kafshët e tjera

556
Mund të duket e pabesueshme, por është plotësisht e besueshme dhe madje tepër mizore, ajo që ka ndodhur me kalin e vrarë tre ditë më parë, nga bualli me të cilin ai bashkëjetonte në të njëjtin kafaz, ku e kishin futur “profesorët” e këtij kopshti. Sipas pamjeve që u përcollën publikisht, ishte e papranueshme, që kali u la pa asnjë ndihmë nga punonjësit dhe specialistët e kopshtit, deri sa ai “vdiq”. Për këtë qëndrim, nuk u fol fare, jo sikur të ishte një kafshë e gjendur “në luftë me jetën” dhe me një pamje tronditëse për vizitorët sidomos për fëmijët, por sikur kafazi të ishte skena e një cirku gazmor kafshësh, që luanin rolet e tyre argëtuese. E sikur të mos mjaftonte ky qëndrim, me kalin e vrarë ka ndodhur një tjetër skandal i rëndë. Barbaria e buallit, u çua më tej nga drejtuesit e Kopshtit Zoologjik. Sipas informacionit që na dha një prej punonjësve të kopshtit, me “këshillën” e specialistëve të Kopshtit Zoologjik dhe me urdhër të drejtuesve të sektorit veterinar e të shërbimeve të bashkisë Tiranë, mizoria ndaj kalit fatkeq vazhdoi me “krimin” ndaj trupit të tij! Ndërsa bualli e plagosi rëndë, punonjësit e Kopshtit Zoologjik, jo vetëm nuk e ndihmuan, por pas “vdekjes” nuk e varrosën! Me lejen e specialistëve veterinarë të Kopshtit Zoologjik dhe me urdhër nga drejtoria e shërbimeve në bashki, kali u fut në duart e kasapit, u copëtua dhe u kthye në ushqim për kafshët e tjera të uritura të Kopshtit Zoologjik. Po sipas informacionit për “Telegraf”, mësohet se kali është rrjepur e copëtuar në fshehtësi të plotë pas rënies së muzgut, brenda mjediseve të Kopshtit Zoologjik, për të mos u zbuluar si veprim. Trupi i kalit është copëtuar e ndarë në pjesë për çdo kafshë mishngrënëse, llogaritur sipas normës së çdo vakti, duke përzier me to edhe organet e brendshme të kalit. Ky është skandali! Dje, sektori i shërbimeve në Bashkinë e Tiranës, urdhëroi “kyçjen” pa afat të portës së Kopshtit Zoologjik, ndërkohë që njoftoi, se pas vrasjes së kalit prej buallit në grindje për ushqim, kishte nisur furnizimi i kafshëve me ushqim. Sipas informacionit që na dha dje punonjësi i këtij kopshti, mishi që u përdor si ushqim për kafshët, ishte trupi i kalit të vrarë! Në bashki, thuhet se është blerë “mish lope” në treg, ndërsa informacioni ynë, një nga punonjësit që ka hedhur mishin tek kafshët, thotë se, mishi ishte i kalit të vrarë! Urojmë, që dikush nga “ujqërit” e administratës së Kopshtit Zoologjik, apo të sektorit të shërbimeve në bashkinë e Tiranës, të mos ketë bërë fatura për blerjen e 167 kg mish që peshonte kali (sipas informacionit)! Nëse ky informacion nuk është i vërtetë, le të vërtetojnë se ku e ka “varrosur” kalin! Kujtojmë, që 3 muaj më parë, në “Telegraf” erdhi një informacion, që Kopshti Zoologjik, në mënyrë ilegale blinte gomarë të vrarë e të vjedhur me çmim 3-5 mijë lekë të reja dhe i përdorte si mish për kafshët e këtij kopshti. “Letrat” nuk e dimë si janë bërë, sepse kur u interesuam në Kopshtin Zoologjik, nuk na u dha asnjë informacion, madje as në zyrën e financës së bashkisë Tiranë, por ata që punojnë atje, pohojnë se në Kopshtin Zoologjik, natën vinin shpesh “dum-dum” që “shkarkonin” gomarë të gjallë e të ngordhur, por edhe kafshë të tjera, që përdoreshin si mish për kafshët. 
Sigal