Kakavijë, sekuestrohen kondicionerë kontrabandë me vlerë 35.571 Euro

110

GJIROKASTËR-Policia Doganore në Kakavijë ka sekuestruar një kamion me mall kontrabandë. Burime nga policia bëjnë me dije se, kamioni po transportonte kondicionerë me vlerë 35.571 Euro. “Ditën e sotme Dega Doganore Kakavijë ka mundur të zbulojë dhe më pas sekuestrojë një sasi të konsiderueshme malli kontrabandë në një kamion që po kalonte tranzit. Pas një kontrolli të plotë fizik të ushtruar në mjetin e subjektit G.S. M Klimaire sh.p.k nga ana e strukturave të Doganës Kakavijë, rezultoi se subjekti në Deklaratën e Tranzitit nuk kishte deklaruar mallin “kondicioner” vlera e padeklaruar e të cilit është 35.571 Euro. Ky mall u cilësua kontrabandë pasi ishte në tentativë për të kaluar kontrollin e degës doganore pa u deklaruar më parë. Malli është sekuestruar dhe kompania është penalizuar nga Dega Doganore Kakavijë. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave i bën me dije të gjithë publikut se lufta ndaj kontrabandës dhe shmangies së detyrimeve doganore do të vazhdojë në çdo pikë doganore të Shqipërisë”,- bëhet me dije nga Drejtoria e Doganave.