Kakavijë, kthehen 1 mijë qytetarë shqiptarë në një javë, nuk u lejohet kalimi

442
Rreth 1 mijë qytetarë shqiptarë nuk janë lejuar të kalojnë kufirin grek në doganën e Kakavijës vetëm brenda javës së fundit. Vetë qytetarët pohojnë se, përvec shumës prej 50 eurosh në ditë qëndrimi në Greqi, që kërkohet sipas ligjit, punonjësit e doganës greke nuk u kanë pranuar garancitë me afat kohor më të gjatë se një javë, ndërsa theksojnë se pjesës më të madhe të udhëtarëve nuk ua shohin fare dokumentet e paraqitura duke u kërkuar një garanci prej 3 deri në 5 mijë euro.

Ndërsa kalimi në tokën fqinje është bërë pothuajse i pamundur në këtë periudhë përmes Kakavijës, qytetarët shqiptarë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit vijojnë të presin për ditë me radhë më shpresën e zhbllokimit të situatës. Ata rrinë në dyert e doganave prej orëve të para të mëngjesit deri në mbrëmje duke i shtuar kësaj situate edhe shpenzimet e hotelit.

Pretendimi i paraqitur nga pala greke kanë qenë dyshimet se qytetarët shqiptarë synojnë kalimin e kufirit për punësim sezonal, ndërkohë që situata e kthimeve është intensifikuar 3 ditët e fundit. Nga ana tjetër autoritetet shqiptare nuk e komentojnë qëndrimin e homologëve grekë, duke e cilësuar një të drejtë të këtyre të fundit lejimin e kalimit ose jo të shtetasve të huaj në tokën helene.
Sigal