Jepnin diploma false për 4 mijë mijë euro,  pranga 5 personave

490
Sigal

Mund të mos shkosh asnjë ditë në shkollë të mesme, mund të jesh 20, 30 apo 50 vjeç, por kjo nuk të pengon që kundrejt 4 mijë eurove të marrësh një diplomë, të paguash për ‘të pa bërë dhe fakultetin, e mund të bëhesh drejtor, madje, edhe deputet apo ministër. Një realitet ky, në Shqipëri që jo vetëm është kthyer në biznes të fuqishëm për klane me pushtet, por ka joshur dhe shtetas të huaj. Ndodh, ndonjëherë, që këta trafikantë diplomash false, të bien dhe në prangat e policisë. Këtë fat kanë pasur dje dhe 4 persona nga Fieri, njëri prej të cilëve drejtor shkolle.

OPERACIONI

Dje, Sektori kundër Korrupsionit në Polici ka bërë të mundur arrestimin e Drejtorit të shkollës së mesme me kohë të pjesshme në Fier, një mësuesi, sekretares së shkollës dhe dy persona të tjerë.  Ndalimi i tyre u bë sepse këta shtetas në bashkëpunim me njëri – tjetrin, gjatë ushtrimit të detyrës kanë abuzuar me detyrën, duke pajisur shtetas të ndryshëm me diploma të shkollës së mesme, kundrejt shumave nga 1800 – 4000 Euro. Më konkretisht mësohet se, është bërë e mundur arrestimi i Andrea Haxha, 58 vjeç, Drejtor i Shkollës së Mesme me kohë të pjesshme Fier, banues në Fier, me arsim të lartë
Arber Elmaz Pelo, 30 vjeç, banues në Fier, me arsim të lartë, mësues në Shkollën e Mesme Kuman Fier. Aleksia Refat Troka, 58 vjeç sekretare e Shkollës së Mesme me kohë të pjesshme Fier. 4. Gramos Elmaz Shehu, 54 vjeç, banues në Tiranë, me arsim të lartë. Afete Selam Koka, 50 vjeç, banuese në Tiranë, me arsim të lartë.
AKTIVITETI KRIMINAL
Sipas policisë, këta shtetas ushtronin veprimtarinë në Tiranë dhe Fier, ku gjenin persona, të cilët nuk kishin mbaruar arsimin e mesëm dhe iu shisnin diplomat me qëllim që të regjistroheshin më pas në universitete. Nga hetimet paraprake mësohet se janë identifikuar raste të shumta të aktivitetit kriminal të këtij grupi që shisnin diploma të shkollës së mesme kundrejt 4 mijë eurove, por nuk jepet i saktë ky numër. Mendohet që në këtë grup të jenë përfshirë dhe persona të tjerë, ndërsa me interes pritet të mësohen emrat dhe përgjegjësitë ligjore të personave që janë pajisur me këtë dokument… Ka rrezik, që mes tyre, të ketë dhe persona që kanë funksione të rëndësishme në administratën shtetërore.