“Jam gati të ballafaqoj korrupsionin në drejtësi, po qe se shteti më garanton jetën”

102

EKSKLUZIVE/ INTERVISTA/ Urim Gjata, oficeri i doganës: “Kërkojnë të më vrasin, ata që denoncova për kontrabandën në doganë”

 

“ U përpoqën të më shtypnin me xhip në qytet, më kanë kërcënuar që do të më vrasin, ndaj ndodhem në rrezik për jetën time e të familjes time

Këto janë fjalët e mesazhit që më dërgoi sot (dje), oficeri i doganës, Urim Gjata. Dy ditë pas zbulimit të kontrabandës në doganën e Kapshticës, Urimi u detyrua të fshihet, që të mbrohet nga kërcënimet me vdekje  që i bënë ata që denoncoi për kontrabandë. . Duke qenë, se kërcënimet e para ndaj jetës, Urimi Gjatës, iu bënë që orët e para të ditës së hënë, kur u botua në “Telegraf”,  intervista e tij, u shqetësuam dhe u drejtuam te  Ministria e Brendshme, për të kërkuar mbrojtjen ligjore të dëshmitarit. Mirëpo, përgjigja e kësaj ministrie, ishte…zyrtare. “I kërcënuari, duhet të denoncojë vetë në organet e policisë”. I pasigurt, qoftë edhe të shkojë deri te policia të denoncojë kërcënimet me vdekje, që i bëhen nga shumë persona, Urim Gjata u detyrua të largohet nga Shqipëria. Gazeta “Telegraf”,  gjeti sërish rrugëkomunikimin me Urimin dhe po boton intervistën e tij të bërë dje.

Bie zilja e telefonit në celular, në orët e para të mëngjesit. Një numër i shtetit të huaj, më habit, ngaqë nuk kam as të afërm në atë shtet.

– Mirëmëngjes! Kush jeni, ju lutem?

– Mirëmëngjës. Jam Urim Gjata. Ju flas nga….

Përse, andej?

– Mbrëmë (parmbrëmë), mbërrita këtu. Ika, sepse shumë në Shqipëri, u përpoqën edhe të më shtypnin më makinë.

– Kur? Kush?

– Isha në një lokal të qytetit ku banoj, me miqtë e mi. Kur dola, erdhi një xhip drejt meje. Po të mos isha midis shumë miqve, xhipi do të më kishte shtypur dhe sot, do të më bënin të tretat. Me ndihmën e miqve të mi, u detyrova të ikja nga Shqipëria.

– Ikët nga Shqipëria, se ju kërcënuan?

– Kanë filluar të kërkojnë vendndodhjen time, që të më vrasin.

– Ditën që u botua intervista juaj te “Telegraf”, ju mori ndokush telefon?

 Ndërpritet  telefoni. Pas disa minutash, rilidhemi.

– U pre linja, mezi kap këtu ku flas. Vazhdojmë. Më telefonuan nga DPD-ja, me telefon 0664151177. Fillimisht, më thanë të deponoja. U thashë, që faktet janë ato që botova në gazetë. Pastaj, më kërkuan të përgënjeshtroj, sikur  unë isha i pirë, kur i dhashë gazetës intervistën  dhe nuk janë të vërteta, me shpërblim  për t’u rikthyer në punë.

– Ti çfarë u the?

– Nuk kini më punë me mua. Po të doni faktet, ikni dhe i ballafaqoni në doganë. Kam kërcënimet në telefon që megjithëse jam jashtë për momentin thuaj vend tjetër, në lokal ku isha herën e fundit m’u mblodhën miqtë e miqve e kupton në trotuar po mos kishte njerëz do kisha ngelur në rrotat e makinës xhip, ofertat për të përgënjeshtruar dhe për t’u kthyer në doganë tjetër, këto edhe në  tel nga drejtuesit e lartë të DPD-së.

– Nga DPD-ja, donin që ti të paraqisje faktet që ke për kontrabandën?

– Ata më kërkojnë mua, të dinë sa di unë dhe të mundohen që të mbulojnë të tyret në doganë.

– Po ti pse nuk pranove, që të flasësh me drejtuesit e DPD-së, derisa të kërkuan?

– Të përshëndes,  vetëm duhet ta dish se këta, të doganës,  nuk të falin, por akoma nuk po mbledhin veten nga rrufeja që ju ka rënë.

– Ç’do të thuash me këto fjalë? Ata janë drejtuesit e DPD-së.

– Kush u beson që ata nuk i dinë faktet?

… Përsëri biseda me celular ndërpritet…

Pas disa minutash, rilidhemi. – Më fal, po dola pak nga vendi ku rri, se është poshtë. Më dëgjon, tani?

Sa të lehtë e kanë hetuesit të vërtetojnë faktet që ti ke thënë, po qoftë edhe të tjerat që më thua se i ke provë?

– Nafta, apo diçka tjetër niset p.sh,  nga Egjipti me destinacion Shqipërinë, Tiranën, mbasi futet në Greqi me dokumente, merr tranzitin për në Shqipëri Tiranë, duke i shtuar një plumb sigurimi nga doganë greke, kontrollohet në dalje të Greqisë dhe futet në tokën shqiptare, në atë kohë dokumentet janë ndërruar tërësisht për mallin dhe merr përsëri një plumb sigurimi në doganën e  Kapshticës, i mbahen dhe fotokopjet e dokumenteve dhe hajde rruga e mbarë.

–  Ndërrohen dokumentet? Si ka mundësi që dokumentet e bazuara në Doganën Greke nuk ballafaqohen nga pala shqiptare?

– Dokumentet janë gati në tokë të ndërmjetme, i merren shoferit origjinalet dhe i jepen të tjerat me të gjitha vulat e doganave nga vjen. Nuk duan, se me ligj, shefi i doganës ka të drejtë të verifikojë të paktën Triaret e gjithë mjeteve apo atje ku dyshon.

– Juve , si doganierë, për këto maune me nafte, nuk ju lejohet fare t’i kontrolloni, qoftë për përmbajtjen qoftë për sasinë?

– Vetëm dokumentet që rrallë përputhen me të vërtetën tranzitit i merret vetëm një kopje dokumentesh. Këta u tmerruan kur e morën vesh çfarë kishte ndodhur.

Kur dokumentet e një mauneje, ndërrohen,dhe ju e shikoni që janë të falsifikuara, doganieri merr ryshfet? Apo ka urdhër që ta lerë maunën të iki?

– Kush të lë pa paguar gjë.

– P.sh, vjen një maune i ndërrohen dokumentet. Sa është tarifa që paguan doganierin, që të pranojë dokumentet e falsifikuara?

– Por nuk ka doganier mos njohë faturën e mallit Triarin certifikatën origjinale me ato fallco.  Kështu, doganieri do marrë “kafen” e tij se do marrin dhe të tjerët dhe bosi i maunës dhe miqtë e tij,  të gjithë.

– Këto si mund të provohen se janë kështu siç i thoni ju?

– Të gjithë e dinë që dokumentet nuk janë origjinale, por kujt ja mban të kërkojë të paktën TRIARIN, dokumenti bazë që tregon gjatësinë, gjerësinë dhe peshën e makinës bosh, dokument i mbushur në shtetet europiane. Pse nuk janë vërtetuar në doganën greke dokumentet origjinale të mauneve për t’u ballafaquar me ato që ndërrohen nga sekseret, sapo vinë në doganë. Pse dokumentet kalojnë në sistem, ndërkohë që subjekti akoma nuk ka ardhur, a është pesha e deklaruar e mauneve me dru që shkojnë jashtë me atë origjinale? Pastaj, janë edhe kamerat 24 orë, që regjistrojnë çdo gjë. Edhe kur vjen një maune bosh, kontrollohet nga dy doganierë, në prezencë të kamerave.

– Po mund të ndodhë, që filmimet e kamerave të fshihen, tani?

– Nuk fshihen dot këtu në Kapshticë. A nuk u kap në doganën e Gorricës Kontenieri me sheqer nga dy oficerët e SH K B Korçë Vangjushi dhe Serjani dhe u mbyll shpejt e shpejt?  Me çfarë ligj zhdoganohen rrobat e përdorura të emigranteve kur largohen nga Greqia dhe sa paguajnë 300 euro doganierëve ryshfet që t’i lejojnë të ikin nga dogana?

-Po për kontrabandën e cigareve?

– Ok, cigaret kontrabandë vërtetohen vetëm në doganën greke, ku janë dokumentet origjinale. Tek ne nuk vërteton dot asgjë sepse, të thashë, janë të tjera dokumente me tjetër mall, por dhe sikur ta dijë kush, kujt ja mban të hapë gojë.

– A rregjistrohen makinat që transportojnë dru për përpunim dhe i ccojnë në fabrika greke?

– Shikoni kamerat, se atje duken edhe ngarkesa që janë trupa dhe jo dru për zjarr.

– Mund të thoni ku jeni tani?

– Kurrsesi. Nuk kam më asnjë garanci për jetën time, por edhe të familjes time.

– Çfarë kërkoni ju dhe nga kush?

– Nga Kryeministri Berisha, të më besojë, sepse më njeh shumë mirë. Jam gati që të ballafaqoj të gjitha faktet e korrupsionit që ndodhen në Kapshticë në drejtësinë shqiptare, po të më garantohet jeta. Dua që shteti shqiptar të mbrojë familjen time, tani që mua duan të më vrasin, ata që akuzoj unë për kontrabandë ndaj shtetit. Po e shikoj që shteti im nuk tregon asnjë kujdes për jetën time dhe të familjes time, unë do të kërkoj strehim politik në Ambasadën Amerikane ose të ndonjë shteti të BE-së.

 

_________________________________________________________

 Reagimi i Nëndrejtorit të Përgjithshëm të DPD-së, Rifat Gjoni

Para pak ditësh oficeri doganor i doganës së Kapshticës Urim Gjata  zbardhi detajet e një skandali që të gjithë e përflisnin dhe  përjetonin në lidhje me trafiqet dhe shpërndarjen e ardhurave që fitoheshin nga detyrimi për t’u shërbyer shtetasve të vetë. Në një nga këto deklarime, ai përmendte edhe skandalin e lëndëve drusore që përdoren si lëndë e parë për mobilie në formë trupash, nxjerrja e të cilave është  e ndaluar me ligj. Ai përmendte, mes të tjerave, edhe  faktin e shkresave përcjellëse që mbërrinin në Doganën e Kapshticës nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave me listën e subjekteve, apo kompanive që transportojnë lëndë drusore. I kontaktuar për të saktësuar këtë detaj, doganieri Gjata deklaron se, shkresa vërtet vjen me emrat për lëndë drusore zjarri, por në të vërtetë aty kanë kaluar trupa dhe drurë të veçantë, që përdoren për mobilieri nën petkun e drurëve të zjarrit. Ato janë të regjistruara në kamera dhe nëse vërtet Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të vërë drejtësinë, duke ndëshkuar abuzuesit le t’i shohë regjistrimet minutë pas minute, duke pasur përballë edhe librat e regjistrimit. Por për zbardhjen  e saj vështirë se ekziston dëshira dhe preokupimi pasi ata vetë i kanë emëruar dhe i mbajnë në punë. Në lidhje me këtë deklaratë, të doganierit Gjata, reagon dhe saktëson procedurat i pyetur nga gazeta “Telegraf”, Rifat Gjoni,  zv/Drejtori i Përgjithshëm Teknik i Doganave.

Z.Rifat në intervistën e botuar në gazetën “Telegraf” me oficerin doganor Urim Gjata,  sipas tij thuhet se, janë lëshuar urdhra për kalimin e lëndës drusore nga Shqipëria drejt Greqisë ku ka lakuar edhe emrin tuaj . Si qëndron e vërteta e këtyre urdhrave?

– E vërteta e këtyre urdhrave qëndron kështu: Ministria e Mjedisit jep licenca për kompani të ndryshme për eksportin e lëndëve drusore. Në të gjitha rastet, licencat e lëshuara nga Ministria e Mjedisit, vijnë pranë Drejtorisë se Përgjithshme  të Doganave dhe me shkresë përcjellëse të firmosura nga zv/drejtori  Teknik u dërgohet të gjitha degëve doganore. Ne nuk komentojmë licencat vetëm bëjmë përcjelljen e saj, pasi me VKM kompetente për lëshimin e licencave është Ministria e Mjedisit.

– Në këtë shkresë përcjellëse përmenden emra kompanish ?

– Po. Shkresa, sikurse vjen nga Ministria e Mjedisit,  ka emrat e kompanive pa bërë  asnjë ndryshim,  ne ja dërgojmë doganave.

– Po për rastin  që doganieri e  konsideron ndërhyrje?

– Unë nuk e kuptoj ndërhyrjen. Unë nuk kam bërë asnjëherë ndërhyrje, vetëm kam përcjellë shkresat që vijnë nga Ministria e Mjedisit dhe kjo përcjellje  bëhet sipas procedurave të përcaktuara me ligj. Shkresat janë të arkivuara dhe ato mund të verifikohen shumë kollaj. Pastaj, se si zbatohet kjo shkresë, është kompetenca e doganës. Është detyrimi i nëpunësve dhe doganierëve të zbatojnë me korrektësi shkresën përkatëse të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme, pa bërë devijime. Nëse ne bëjmë detyrimin ligjor dhe përcjellim shkresa, kjo nuk do të thotë ndërhyrje.

 

___________________________________________________________________________

I ripyetur dje oficeri i doganës, Urim Gjata, për kontrabandën e druve në doganën e Kapshticës

– Çdo javë vjen një dokument në doganë nga n/drejtori për të lejuar firma të ndryshme të bëjnë eksport me dru, sepse jo të gjitha firmat mund ta bëjnë këtë.

– Për kë firmë e lejon?

– Të tërë e dimë, por kujt ja mban të hapë gojën.

– Më thuaj mua, për kë firme e lejon që të bëhet me dru dhe afërsisht çfarë thotë kjo  shkresë javore?

– Firmat disa janë nga Elbasani për të cilat deshëm t’i kontrollonim me n/dr Beni Kambo dhe Jorgji Sidheri, por ato kishin kaluar doganën pa na ardhur ne dokumentet e mallit akoma.

– Si është puna, ma sqaro mirë këtë?

– Të lejohet kjo firmë të kalojë dru për eksport, shkruhen  në shkresë si dru zjarri, por janë dru për përpunim në fabrikat greke.

_______________________________________________

Demagogjia e shtetit me luftën kundër korrupsionit

Zbulimi i kontrabandës në dogana që bëri oficeri i doganës së Kapshticës disa ditë më parë, është një rast flagrant i përmasave të papara të korrupsionit me petk shtetëror. Në intervistën që ai dha për “Telegraf” nuk fliste në erë, por me fakte konkrete dhe me emra konkretë. Një qeveri që është përbetuar se do të ketë zero tolerancë në luftën kundër korrupsionit, do të ishte alarmuar dhe do të kishte ngritur në këmbë të gjitha mekanizmat e saj në dy drejtime: e para, të merrte në mbrojtje personin që denoncoi dhe familjen e tij dhe, e dyta, të mobilizohej për të vërtetuar korrupsionin në dogana dhe për të marrë masat e duhura. Por në vend të kësaj, ndodhi pikërisht ajo që nuk duhej të ndodhte: kërcënohet me jetë denoncuesi, i cili për të shpëtuar kokën arratiset nga vendi dhe fshihet në një vend fqinj, ku përsëri nuk ndihet i sigurt për jetën. Sipas tij, i vetmi shpëtim është të kërkojë strehim në ndonjë ambasadë apo konsullatë amerikane në vendet fqinj të rajonit. Dhe, megjithëse kanë kaluar pesë ditë nga denoncimi, shteti nuk ka bërë qoftë edhe lëvizjen më të vogël për të verifikuar gjendjen. E kemi fjalën, as policia dhe as Prokuroria që duhej të kishte filluar menjëherë hetimet për çështjen në fjalë. Kjo që ndodhi me Urim Gjatën e zbulon edhe më shumë korrupsionin në dogana dhe e ngarkon me përgjegjësi të rëndë shtetin. Si mund t’i besohet një shteti të tillë që, jo vetëm nuk jep asnjë garanci për jetën, por përkundrazi, të vë në shënjestër po denoncove korrupsionin. Urim Gjata në radhë të parë duhej përgëzuar për atë që bëri, sikur edhe fare pak nga ato që thotë ai të vërtetoheshin. Po të kishte ndodhur ky zbulim kontrabande, në këto përmasa, në çdo vend tjetër demokratik gjithë mekanizmi shtetëror do të ishte alarmuar e vënë në lëvizje dhe pushteti do të kishte bërë kurbanët e vet. Në Shqipëri ndodh e kundërta: viktima e parë e çdo zbulimi korrupsioni, është vetë ai që guxon dhe denoncon dhe shteti thjesht anashkalon përgjegjësitë e korrupsionit e të kontrabandës. Demagogji më të pastër e më të qartë nuk gjen kurrkund. Oficeri i doganës Urim Gjata i është rrezikuar jeta dhe për këtë jo vetëm shteti, por edhe shoqëria duhet të ngrihen në këmbë. Ashtu sikundër edhe për përmasat e frikshme të krimit që po bën kërdinë në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë. Të ngrihemi kundër indiferencës së shtetit dhe të policisë së tij. Sepse deri tani, shteti, policia nuk është interesuar fare për jetën e dëshmitarit dhe të familjes të tij. Kjo indiferencë shtetërore, në rastin e mosmarrjes në mbrojtje të oficerit të doganës që denoncoi kontrabandën në doganën e Kapshticës, veç të tjerash, përcjell mesazhin e keq, që të gjithë shqiptarët,  përballë krimit, janë të pambrojtur dhe të pamundur të denoncojnë. Fakt më diskreditues për imazhin tonë s’i shtet zor se gjen!