Ja kush është i riu që ekzekutoi rivalin e Lul Berishës

513
Një vit e gjysmë pas vrasjes së Leonard Murataj, ish-anëtari i bandës së Lulzim Berishës, policia e Durrësit ka vënë në pranga autorin. Bëhet fjalë për Bedri Hakën, nga Kruja i shpallur në kërkim për vrasjen e Muratajt. Bashkë me 22-vjeçarin Haka janë arrestuar edhe 2 persona të tjerë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me Vendimin Penal Nr.1014, datë 23.11.2014, ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale” Vrasja me paramendim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Haka, më datë 18.11.2014, në një lokal në qendër të qytetit në Durrës, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin Leonard Murataj, 51 vjeç, banues në Durrës. Leonard Murataj, një person i akuzuar për vrasje dhe rrëmbim personi, u qëllua gjashtë herë mbrëmjen e 18 nëntorit në lokalin e tij, nga dy persona të panjohur. Autorët e krimit u larguan me një veturë në pronësi të një personi nga Fushë- Kruja.
OPERACIONI
Një pre 3 autorëve të dyshuar të vrasjes së Murataj, Bedri Haka është kapur në malësitë e Krujës, në fshatrat e Niklës, bashkë me 2 persona. Në këtë zonë dyshohet se fshihet një nga bandat më të forta të zonës. Fillimisht policia është vënë në ndjekje të një makine ku udhëtonin 3 të rinj pasi makina nuk ka ndaluar në postbllok, e më pas e ka rrethuar duke e arrestuar. Haka dhe 2 persona të tjerë janë vrasësit e Murataj, krim për të cilin janë paguar, nga një porositës. Mësohet se nën hetim është edhe porositësi i kësaj vrasjeje.
NGJARJA
Ish- anëtari i bandës së Lulzim Berishës, u ekzekutua më 18 nëntor përpara lokalit në pronësi të tij, pranë sheshit “Liria” në Durrës. Burime nga policia tha se nuk ka pasur njoftime apo denoncim nga Murataj se ai ndihej i kërcënuar gjatë kohëve të fundit. Grupi hetimor ka mundur të zbardhë mekanizmin e vrasjes pas mbledhjes së dëshmive në vendngjarje.
Sipas tyre Leonard Murataj ka qenë duke pirë kafe në lokalin e tij kur dy persona e njoftuan të dilte jashtë. “I thuaj pak Nardit të dalë jashtë se e kërkon Beni”, mësohet t’i ketë thënë njëri prej autorëve kamerierit të lokalit. Ky i fundit ia çoi fjalët Muratajt, i cili nuk hezitoi të dilte. Ai u përball me dy personat vetëm pak metra larg lokalit me të cilët debatoi për rreth 10 sekonda. Sipas dëshmitarëve pas debatit, i cili zgjati pak sekonda, njëri prej personave nxori pistoletën nga xhupi dhe qëlloi gjashtë herë në drejtim të Muratajt i cili ra në tokë i gjakosur. Dy plumba e kapën atë në kokë dhe tre të tjerë në trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Sigal