Italianët “rrëmbejnë” Nezar Seitin, miratohet ekstradimi

528
Ministria e Drejtësisë ka miratuar ekstradimin drejt Italisë të atij që njihet si financier i Habilajve, Nezar Seiti, ndërkohë që për të kishte një masë ndalimi për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Anti-mafia italiane ka marrë në dorëzim Nezar Seitin, i akuzuar si financier i grupit te Habilajve në trafikun ndërkombëtar të narkotikeve. Ai është ekstraduar dje drejt Italisë, pa dijeninë e avokatit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda shprehen se nuk janë në dijeni mbi ç’baza ligjore është kryer ky ekstradim, në një kohë kur ndaj Seitit kishte një masë sigurimi arrest me burg. Zyra e shtypit e ministres së Drejtësisë shprehet se janë respektuar të gjitha procedurat për ekstradimin e Seitit, duke iu referuar një vendimi të dhjetorit të vitit të kaluar të Gjykatës së Tiranës që lejonte ekstradimin e tij, por pa dhënë ndonjë përgjigje se si është anashkaluar masa e sigurisë arrest me burg për llogari të krimeve të rënda. Për të njëjtën ngjarje, zyra e shtypit e Prokurores së Përgjithshme të përkohshme është shprehur se ky institucion nuk kishte asnjë rol në procedurat e ekstradimit të Nezar Seitit. Emri i Nezar Seitit është regjistruar te Krimet e Rënda si i dyshuar bashkëpunëtor në grupin e Habilajve, në të njëjtën kohë me emrin e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, hetimet për të cilin ende vazhdojnë.
Sigal