Itali, sekuestrohen 94 kg kokainë, kryesisht me shqiptarë

398
Fëmijë të përdorur për të mbuluar transportimin e drogës, e martesa të organizuara për të forcuar aleancat mes grupeve kriminale. 94 kilogramë kokainë e sekuestruar dhe 24 persona në pranga, është bilanci i operacionit të zhvilluar këtë të martë, në të cilin morën pjesë 150 ushtarakë të “Guardia di Finanza”-s në zonën veriore të Lombardisë, në Piemonte dhe Emilia Romagna. Kështu u shkatërrua një organizatë me anëtarë kryesisht shqiptarë, por edhe me elementë të mafies italiane “Ndrangheta”. 

Kokaina, e sjellë nga Spanja dhe Holanda, transportohej me automjete të modifikuara. Përveç lëndëve narkotike janë bllokuar armë, automjete, rreth 320 mijë euro “cash”, pasuri të paluajtshme dhe 6 biznese të lidhura me bandën. Forcat e rendit bëjnë të ditur se, rezultatet e hetimeve të nisura në vitin 2011 u arritën edhe falë përdorimit të pajisjeve më moderne të përgjimit. Prokurori që koordinoi hetimet deklaroi se, lidhjet mes bandave shqiptare dhe italiane të trafikut të drogës nuk janë gjë e re. “Grupet shqiptare kanë dëshmuar qëndrueshmëri të madhe dhe aftësi bashkëpunimi me grupet e tjera të pranishme në territor, e kjo gjë – përfundoi prokurori, – është për t’u shqetësuar”.
Sigal