Itali, hyri për t’i grabitur vilën, pensionisti vret 28 vjeçarin shqiptar

447
Humb jetën një shqiptar 28 vjecar, ndërsa po grabiste vilën trekatëshe të sipërmarrësit italian në pension, Francesco Sicignno . Ngjarja ka ndodhur natën e së hënës duke u gdhirë dita e martë në komunën Vapprio d’Adda në provincën e Milanos. Gjatë rrëfimit në polici, pensionisti italian ka treguar se ka qëlluar me pistoletë të kalibrit 33 kundër një grabitësi i cili ka hyrë gjatë natës në vilën e tij. Për policinë italiane, pas ekspertizës së parë, italiani e ka qëlluar me pistoletë shqiptarin, jashtë banese, fakt ky që rëndon pozicionin e tij, duke u cilësuar nga hetuesit si një vrasje e qëllimshme. Por italiani mbështet versionin e tij të fakteve se grabitësi shqiptar ishte mjaft kërcënues dhe ai ka qëlluar për vetëmbrojtje brenda mureve të shtëpisë. Në përpjekje për t’u larguar e pas plagëve të marra në gjoks, grabitësi ka humbur jetën në shkallët e jashtme të vilës. Shqiptari nuk ka qënë i armatosur, e mbante në duar vetëm një elektrik dore. Mendohet se bashkë me të, pjesëmarrës në këtë grabitje kanë qënë dhe dy persona të tjerë. Identifikimi i shqiptarit 28 vjecar është bërë nga e fejuara e tij, e cila kishte denoncuar mëngjesin e së martës moskthimin në shtëpi gjatë natës të fejuarit të saj.

Shqiptari 28 vjecar është i njohur nga drejtësia italiane si autor i disa grabitjeve. Ai ka mbërritur në Itali në vitin 2012 e në vitin 2013 ka marrë një urdhër riatdhesimi drejt Shqipërisë. Kjo ngjarje ka shkaktuar mjaft polemika në politikën italiane, sidomos nga e djathta italiane. Për Presidentin e rajonit të Lombardisë, Roberto Maroni, “është absurde të konsiderohet se është një vrasje e qëllimshme. Si brenda shtëpisë si jashtë saj, ka qënë një reagim instiktiv i pensionistit për tu vetëmbrojtur. Për senatorin e Forza Italia, Maurizio Gasparri “viktima e vërtetë e kësaj ngjarje është pensionisti italian. Sipas tij kjo ngjarje është një fatkeqësi dhe është e pabesueshme të vihesh në mbrojtje të kriminelëve e jo të viktimave. Ndërsa Zëvëndësministri italian i Drejtësië Enrico Costa, mbi këtë ngjarje është shprehur për mediat italiane se ligji aktual N.56 i vitit 2006 duhet ndryshuar. Aktualisht sipas këtij ligji lejohet përdorimi i armës me leje, për vetëmbrojtje, vetëm kur kërcënohet jeta personale apo e familjarëve, si dhe të mirat materiale, në rast se dikush hyn dhunshëm brenda në banesë.”
Sigal