Ishte paketuar për tregun Italian, sekuestrohet 1 ton drogë në Vlorë, Italia në alarm

498
Trafiku i drogës drejt Italisë, Shqipërisë i kërkohet informacion për organizatorët e tij. Kapen tonelata në Vlorë. Rruga më e shkurtër për policinë shpallja në kërkim e bosëve
Brenda këtij muaji janë kapur tonelata të tërë me kanabis sativa. Drogë e transportuar drejt Italisë jo vetëm me gomone por edhe me jaht luksoz. Autoritetet Italiane në alarm për situatën e krijuar në mes dy brigjeve. Mësohet se italianët i kanë dërguar një letër porosi autoriteteve tona ku i kërkojnë informacion të detajuar lidhur me tre personat që u arrestuan pak ditë më parë në jahtin e nisur nga Mali i Zi drejt Italisë me 4 ton drogë. Kjo sasi kanabisi nëse do të ishte hedhur në treg kapte vlerën e 40 milion eurove. Të arrestuarit janë Flamur Mema nga Durrësi dhe dy dibranët Erinaldo Muzhika dhe Elidon Valdi. Për këtë të arrestuar kërkohet verifikimi i pasurisë 

si dhe hetim për bashkëpunëtorët e mundshëm në këtë trafik. Deri më tani të arrestuarit në Foggia kanë heshtur duke mos treguar asnjë të dhënë për trafikun e kanabisit, ndërsa nga hetimet rezulton se mjeti lundrues është marrë me qira në Mal të Zi.

Dhe pse ende s’ka një përgjigje përfundimtare nga hetimet, droga është nisur nga Shqipëria dhe dyshohet se në mes të detit në dalje të luginës së Vilunit është ngarkuar në jaht të marrë me qira dhe drejtuar nga skafisti Flamur Mema.

Droga në Vlorë
Sekuestrohet mbi një ton lëndë narkotike kanabis sativa, e destinuar për në Itali, në kuadër të operacionit antidrogë të policisë së Vlorës së koduar “Plazhi i vjetër”.

Pak pasi kishte kaluar mesnata, rreth orës 01.00 të së dielës, në Plazh të Vjetër, në lagjen “1 Maji” rreth 30 m larg nga porti, efektivët e policisë së Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, me repartin special ‘Delta Forcë” dhe Guardia Di Finanza u vunë në veprim. Operacioni u kurorëzua nisur nga një hetim me metoda speciale për evidentimin dhe parandalimin e trafikimit të lëndëve narkotike.

Më konkretisht në një banesë private të pabanuar, janë gjetur dhe sekuestruar 49 pako të mëdha të mbështjella me natriban ku brenda tyre kishte lëndë narkotike kanabis, me peshë totale 1030 kilogramë. Gjithashtu gjatë kontrollit në këtë banesë u gjetën dhe u sekuestruan edhe gjashtë armë zjarri, nga këto tre automatik kallashnikov dhe tre pistoleta, si dhe municion luftarak. Në afërsi të banesës në det, ndodheshin tre persona me një gomone të cilët ishin përgatitur për të transportuar lëndën narkotike drejt Italisë. Në momentin që ka ndërhyrë policia të tre personat e identifikuar si G.S., A.I., J.S., janë larguar me shpejtësi të madhe me gomone në hapësirën detare. Në ndjekje të tyre janë vënë Policia Kufitare, Delta Forcë e GdF, ku ende vijon kontrolli në det për kapjen e tyre. Të dyshuarit janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, dhe janë shpallur në kërkim nga ana e policisë. Aktualisht vijon operacioni për gjetjen dhe kapjen e tre të dyshuarve si dhe vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj vepre penale. 

Droga në Qafë Thanë
Po dje në Qafë Thanë është sekuestruar një sasi tjetër lënde narkotike dhe janë vënë në pranga tre persona. Ata janë at e bir Jozef Drynda, 23 vjeç, dhe Mikolaj Drynda, 47 vjeç dhe Sara H., 25 vjeçe, banuese në Poloni. Ndalimi i saj u bë pasi më 8 shtator Qafë-Thanë, në mjetin tip “Volkswagen’ në pronësi të saj me drejtues Jozef Dryndën, i cili udhëtonte së bashku me babanë e tij u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 69 pako me peshë 24 kilogramë e 400 gramë lëndë narkotike kanabis sativa. Ditën e premte Jozef Drynda u paraqit në dalje të Shqipërisë me automjetin tip “Volkswagen” me targa OKL30821. Nisur nga dyshimet e shfaqura se në këtë mjet mund të ishte fshehur lëndë narkotike shërbimet e Policisë Kufitare, bënë përzgjedhjen e tij për verifikim në vijën e dytë, ku dhe u zbulua lënda narkotike. Lidhur me këtë rast materialet iu referuan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim”
Sigal