Ishin duke drekuar në lokal, autori hapi zjarr mbi punonjësit e Bashkisë. 2 të vdekur 1 i plagosur

493
Sigal

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar para pak minutash në fshatin Shëlli në Mat, ndërsa mësohet se kanë vdekur dy persona, dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.

Nuk dihen ende shumë detaje lidhur me identitetin e personave që janë përfshirë në konflikt. Paraprakisht thuhet se viktimat e të shtënave janë punonjës të Bashkisë në Mat, 2 shoferë, dhe ndodheshin në vendngjarje për të zgjidhur një konflikt pronësie.

Sipas gazetarit të Fax News Enver Doçi ka pasur një konflikt mes dy lagjeve. Në momentin kur punonjësit e bashkisë kanë qenë duke ngrënë drekë në lokal, autori ka shkuar në mënyrë të beftë dhe i ka qëlluar. Të plagosur janë shoferat e Bashkisë Mat, një prej të cilëve është plagosur në kokë dhe më pas ka ndërruar jetë, ndërsa tjetri në këmbë. Po ashtu viktimë ka mbetur dhe një person tjetër i paidentifikuar.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si dhe kapjen e autorit, i cili dyshohet se është një prej banorëve të zonës.