Ish-ushtarakë shqiptarë të kthyer nga misionet, shenja postraumatike

444
Sigal

DW në shqip ka publikuar së fundmi një reportazh ku ka trajtuar një temë tabu për Forcat e Armatosura Shqiptare dhe pak të trajtuar. Bëhet fjalë për ushtarakët e kthyer nga misionet paqeruajtëse në disa vende si Afganistan, Irak, apo Çad.

Në vitet 1996 deri në vitin 2017, mijëra ushtarakë shqiptarë të Forcave të Armatosura kanë qenë pjese e misioneve paqeruajtëse në botë.

Vitet e fundit ka pasur jo pak raste të ushtarakëve në rezervë ose të liruar nga detyra të përfshirë në ngjarje kriminale. Rasti më i fundit ishte ai i rreshter Mervjol Bilos, i cili ishte një nga komandot më të përgatitur të Zall-Herrit, sot është në arrati pasi akuzohet për ekzekutimin e një personi në ish-Bllok. Bilo kishte marre pjesë në misione paqeruajtëse.

Studimi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim rendit 26 raste kriminale, grabitje basnksh, vrasje, përfshirje në organizata terroriste. Nuk mungojnë as vetëvrasjet.

Redion Qirjazi nga IDM, ish ushtarak në FASH, ka hulumtuar rreth stresit post-traumatik të ushtarakëve të përfshirë në ngjarje krimimale. “Rreth 78% të ushtarakëve që unë intervistova për këtë studim, ishin në një mendje për antarët të cilët ktheheshin nga misionet, veçanërisht ato luftarake kishin një ndryshim të sjelljes së tyre. Kjo është diçka që ndodh shpesh me ta” thotë Qirjazi për DË.

“Risku i përfshirjes së ushtarakëve në aktivitete kriminale sidomos pas daljes së tyre nga ushtria, është më i lartë se i personave të zakonshëm për disa arsye. Së pari ushtarakët janë të trajnuar për të përdorur armë, kjo rrit besimin e tyre tek vetja që mund t’ia dalin për të kryer një aktivitet kriminal.

Opinion krejt të kundërt me autorin e studimit, ka komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral major. Nazmi Cahani, i cili i cilëson këto raste të izoluara. “Mendoj se armata e ushtarakëve në lirim apo në rezervë, është pjesa më e shëndoshë e shoqërisë shqiptare. Nuk do të mendoja që kushdo që mbaron shërbimin ushtarak si komando ose special, është një kontingjent i mundshëm për t’iu bashkuar botës së krimit. Unë besoj se janë raste shumë sporadike, që nuk tregojnë një tendencë” thotë gjeneral major Cahani.

DW ka intervistuar edhe prindërit e nënoficerit të Forcave Komando Mariglen Bramati, i cili u vetëvra pesë vite më parë. Kur ishte me mision në Afganistan në vitin 2012, Bramati përjetoi thëllë vrasjen e shokut të grupit, kapitenit Feti Vogli. “ E përjetoi rëndë, kështu pohon edhe i ati i tij, kur erdhi këtu ai bëri vetëvrasje. U sëmur, kishte shenja depresive, mërzite..”

“Ne nxisim trupat të njohin tek njëri -tjetëri shenjat e depresionit dhe stresit gjatë misionit, ata duhet të jenë në kontakt me familjarët e tyre, ata duhet ta ndjejnë që u qëndrojnë pranë” shprehet gjeneral Cahani për DW.

Por Redion Qirjazi pranë IDM, kritikon mentalitetin e frikës dhe ndëshkimit në radhët e Forcave të Armatosura. “ Shumë ushtarakë mendojnë se do të zbulohen që kanë stres post traumatik apo që janë ndikuar psikologjikisht nga pjesëmarrja e tyre nëpër misione, ata do të ndëshkohen duke u larguar nga punë, duke mos u graduar, fenomene të tilla”.

Sakaq psikologia Albana Telhai e cila ka drejtuar Qendrën Psiko-Sociale të Forcave të Armatosura tregon shenjat e stresin post traumatik që familjarët duhet ti kenë parasysh “ Është e rëndësishme që familjarët të dallojnë shenjat e para të agresivitetit tek familjarët ushtarakë, kërcitja e dhëmbëve, lëvizjet e axhituara, e folura me zë të lartë nga ana e tyre, nuk duhet tu kthehet e tillë. Nëse familjarët e menaxhojnë mirë atëherë kjo është një ndihmë shumë e madhe për ushtarakët” shprehet psikologia.