Ish-drejtori i PS-së plagosi tre persona: Më ngacmuan gruan

421
Ish­drejtori i Zyrës së Punës në Kavajë, Saimir Kurti ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se sherri mes tij dhe tre të plagosurve ka nisur pasi këta i kishin “ngacmuar gruan”. Gjatë pasdites, Sajmir Kurti ka qenë i shtruar në spitalin e Kavajës, pasi pretendon se është dhunuar fizikisht nga babë e bir. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka mohuar që përplasja me kreun e FRPD-së së Kavajës, Kid Kazazi, dhe të atin e tij, të ketë ndodhur për shkak të politikës, edhe pse Kurti është anëtar i PS­-së.
Vetë babë e bir thanë se ata i kishin kërkuar gruas së Sajmir Kurtit që të mos e parkonte makinën para lokalit, pasi një gjë të tillë e bënte prej disa kohësh. “Pas debatit për parkimin e makinës, mbërriti bashkëshorti i saj, Sajmir Kurti, i cili na qëlloi me armë duke na plagosur. Ngjarja ka marrë ngjyra politike, pasi përfaqësojmë parti të ndryshme, por ngjarja ka ndodhur si pasojë e konfliktit për parkingun përballë lokalit”, kanë deklaruar babë e bir për Policinë e Kavajës.
Të njëjtin version ka dhënë për Policinë edhe Kurti, i cili ka deklaruar se ka qëlluar për vetëmbrojtje. “Nuk ka ngjarje politike. U konfliktuam pasi kishin ngacmuar bashkëshorten time, duke mos e lejuar të parkonte makinën përpara lokalit të tyre, i cili ndodhet para bashkisë. E konsiderova si gjest të ulët këtë dhe shkova të sqarohesha me ta, por ata më dhunuan fizikisht dhe për vetëmbrojtje qëllova me pistoletë në tokë”, mësohet të jetë shprehur ndër të tjera për Policinë lokale Kurti.
Por policia në njoftimin e saj pasditen e të premtes ka bërë me dije se motivi i kësaj ngjarje është bllokimi i rrugëkalimit të mjeteve. Raportohet se për sqarimin e konfliktit Kurti është takuar tek lokali i shtetasit E. K., me kërkesën e këtij të fundit dhe aty ka nisur debati me të e djalin e tij. “Debati ka kaluar në sharje e ofendime dhe më pas i dyshuari Sajmir Kurti ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë duke ia drejtuar shtetasve të sipercituar, ku debati ka vazhduar më pas në rrugë. Në vazhdim të konfliktit Sajmir Kurti ka qëlluar me armën e zjarrit ku predha e qitur, nga kontakti i saj me objekt të forte (pllakë guri) është copëzuar, e për pasojë ka lënduar me dëmtime të lehta shtetasit E. K., 48 vjeç, K. K., 21 vjeç (at e bir) si dhe shtetasin D. Gj., 46 vjeç, i ndodhur aty pranë”, sqaron policia. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: Një automjet i tipit “Range Rover”, në pronësi të shtetasit Sajmir Kurti. –
Një armë zjari pistoletë i kalibrit 9 mm, me një krehër me 14 fishekë – Një gëzhoja e kalibrit 9 mm Materialet proceduriale i’u kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativ” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municioneve”, parashikuar nga Nenet 76, 22 dhe 278 të Kodit Penal
Sigal