Irakli Nika: Kur pushteti ishte në shërbim të popullit

421
Nga Agron MEMA
Bisedë me “Heroin e Punës Sociale”/ Si punuam në ngritjen e rendimenteve të kooperativës së Vergoit dhe në Parkun Automobilistik të Sarandës
Sot Irakli Nika i ka kapërcyer të 80-at, por shquhet për një arsyetim të shëndoshë dhe memorie të fortë. Përditë shkon tek kafeneja e preferuar nën shoqërinë e miqve dhe shokëve të tij, ish-mekanikë e shoferë të ish-parkut automobilistik ( Hero i Punës Socialiste) të Sarandës. Nën shijen e kafesë lundrojnë edhe kujtimet e një jete plotë punë, ankthe dhe suksese. Megjithëse me vështrim të rënduar tej mase, asnjë ditë nuk mungon në kafenenë e tij. Por jo vetëm me shoferët, edhe me ish-specialistët e bujqësisë e shikon të bisedojë e të ndajë kujtimet me ta, nga koha kur drejtonte kooperativën e Vergoit. Irakliu është dropullit. Pas mbarimit të shkollës mekanike punësohet në parkun e Sarandës. Kryen shërbimin ushtarak dhe e caktojnë shofer në Elbasan. Prej andej kryetar kooperative në Vergo të Delvinës për pesë vite, ku falë punës dhe përkushtimit arriti rendimente të larta deri sa ftohet edhe në koktejin e datëlindjes së Enver Hoxhës. Largohet nga kooperativa dhe shkon në portin detar të Sarandës ku nuk do rrijë gjatë, por do të emërohet drejtor i Parkut Automobilistik. Ky emërim u prit mjaft mirë nga kolektivi i parkut të athershëm dhe Irakliu rriti cilësinë dhe rezultatet deri sa u vlerësuan me titullin “Hero i Punës Socialiste”, titull që bëri krenar gjithë kolektivin, shtoi të ardhurat ekonomike për shtetin dhe individin dhe rriti më tej përgjegjësitë e gjithësecilit në punë. Nën nostalgjinë dhe krenarinë e rezultateve që i ka dhënë puna, i morëm këtë intervistë për lexuesin e gazetës “Telegraf” 

Përshëndetje zoti Irakli! Para se t’i hyjmë bisedës, në fillim pak shkurt se kush është Rakua? 
“Përshëndetje dhe juve dhe faleminderit! Kam lindur në Lugar të Gjirokastrës, në Dropull. Mbarova shkollën 7-vjeçare në vendlindje dhe shkova në të mesmen, në industrialen, në vitin 1951 në Vlorë. Një vit në Vlorë dhe një vit në Durrës. Aq qe shkolla athere. Pas kësaj erdha në Parkun e Sarandës mekanik. Shkova ushtar në 1957-n. Ushtar qëndrova një vit se u lirova para kohe nga që u sëmura. Pas kësaj punova një vit shofer në bonifikim, se morëm patentën në ushtri. Andej ika në Elbasan, në park, tre vjet e gjysmë. Pas kësaj erdha në HEC mekanik në mirëmbajtjen e turbinave dhe në montimin e tyre. Pas kësaj shkova kryetar kooperative në Vergo. Më çuan aty kryetar kooperative ku qëndrova pesë vjet.” 

Po, le t’i zëmë me rradhë tani. Si ishte gjendja e parkut kur ju erdhët mekanik, kush qe potenciali i tij dhe cili qe drejtori i tij? 
“Kur erdha unë si mekanik, në vitin 1953 kishte rreth 60 makina “ZIS” sovjetik dhe pak “IFA” të vjetra gjermane. Drejtor ishte Panajot Lula, i cili u bë dhe Hero i Punës Socialiste më pas. Mekanikë për ato makina qenë pak. Panajoti qe shumë njeri i mirë, shumë korrekt, shumë punëtor.” 

Më pas ju shkuat kryetar i kooperativës së Vergoit. Si ishte gjendja aty? 
“Natyrisht e prapambetur qe gjendja, me prodhime të pakta bujqësore, ndërsa blegtoria qe më e zhvilluar. Unë vajta atje në ’71-shin dhe ika në ’77-n.” 

Cilët ishin disa nga kuadrot që të dhanë mbështetjen dhe futën teknologjinë e re shkencore?
“Veteriner kisha Zaho Canin, shumë i mirë, shef plani një djalë nga Durrësi, Haki Çopani. Këta ishin shumë të përkushtuar për kooperativën. Kryeagronom qe një djalë nga zona e Vergoit, Emin Proda, i cili më parë qe mësues në shkollën e mesme bujqësore të Vergoit, por për nevoja të kooperativës, se mungonin kuadrot e arsimuar e morëm në kooperativë. Të gjithë bashkë punuam dhe e ngritëm rendimentin e kooperativës.”

Sa ishin rendimentet? Sa i gjetët dhe sa i latë? 
“Kur vajta unë në 1971-shin prodhimet bujqësore, sidomos grurë dhe misër ishin rreth 6000 Kv dhe kur ika unë në 1977-n arritëm 14 mijë e 500 Kv. Domethënë u rrit dyfish e gjysëm prodhimi. Gjithashtu futëm edhe prodhimin e perimeve për konsum popullate dhe eksport si domaten, pataten, bostanin. Bëmë serat. Bëmë stallën e lopëve të re. Përqëndruam furrat e bukës se ishin shumë dhe shpërdorohej buka. Kjo qe. Pati një zhvillim kooperativa, se dhe ditën e punës e gjetëm me 6 lekë dhe e lamë me 13 lekë. Bagëti të imta koperativa në laktacion kishte 12 mijë krerë, dhën e dhi qumështi, natyrisht shtoheshin në pjellje. Lopë nuk kishim shumë, 100 krerë në rregjim stallor dhe një pjesë në kullotë të lirë, më shumë për mish. Kjo qe pasuria e kooperativës e gjitha. Kishim rreth 8000 ha tokë nga të cilat 400 e ca ha qenë nën ujë dhe pjesa tjetër kodrino-malore. Filluam të hapnim toka të reja. Morëm stalinez të vjetër që kishte SMT-ja dhe shkulëm rrepe e pemë të tjera për hapjen e tokave. Bëmë bonifikimin e fushës. Bëmë dhe vepra të tjera hodro-kulluese. Punohej shumë e me ndërgjegjje. Qe kooperativë që përfshinte gati gjithë rrëzomën me fshatrat Kopaçezë, Vergo, Senicë, Fushë-Vërri, Kalasë e Tatëzat, gjeografikisht shumë e gjerë. Po ia dolëm mbanë të dilnim faqebardhë. Duhej frymë dhe motivim. Kooperativistët asgjë nuk kursenin, ndonëse në kushte të vështira.” 

Pas kooperativës ku shkuat? 
“Pastaj erdha në portin e Sarandës në vitin 1977, në fund të tij, ku qëndrova një vit dhe pastaj më çuan në park.” 

Si ishte gjendja e portit? 
Porti qe në rregull. Qe ndërmarrje e përparuar. Nuk kishte probleme porti si në kooperativë apo park. Bile unë e quaja veten të pa punë në port, sepse isha mësuar në kooperativë dhe ajo kishte problematikën e saj, ditën dhe natën. Meqë isha mekanik dhe shofer më çuan drejtor parku, qe e domosdoshme në atë periudhë një njeri që ta njihte punën e bazës. Unë e gjeta parkun me difiçite të mëdha, rreth tre milonë lekë. Plotësuam defiçitet dhe çdo vit realizuam planin. Në vitin 1982 parku mori titullin “Hero i Punës Socialiste”, nga rezultatet e punës natyrisht. Edhe unë mora një “Urdhër Pune, Klasi i Parë” dhe këtu punova deri në vitin 1986. Ika se u sëmura.” 

Si drejtor sa u arritën rezultatet nën drejtimin tuaj? 
“Ne kishim koeficiente të përdorimit të ngarkesës me ton –km, ato u rritën të gjitha. Kur vajta unë, tre mujori i parë, plani u realizua vetëm 77%, pastaj kaloi dhe viti u mbyll me 101-102% dhe çdo vit 103-104% dhe norma e fitimit ishte e lartë. Parku ishte specializuar. Kishte dhe shoferë shumë të mirë. Kishim dhe një ofiçinë të riparimeve kapitale në park ku riparoheshin ZIS-at nga e gjithë Shqipëria. Kjo ofiçinë ishte një sektor më vete me rreth 120 veta me mekanikë specialistë. Ishte një kontribut i madh që e zhvilloi shumë rrethin dhe vet parkun. Pastaj edhe shumë kontrata të tjera me rrethet.” 

Ju vinit si drejtor edhe nga puna si mekanik dhe si shofer. Cilat qenë vështirësitë e që ndeshnit në punë? 
“Vështirësitë qenë pjesët e këmbimit. Për ta lehtësuar punën, se nuk i gjenim dot, neve filluam me riparimet e tyre. Kjo erdhi nga bllokada që u krijua në fillim të viteve ’70-të. Kështu që bëmë riparime, rigjenerim u thoshim atëherë. Në atë kohë ministria na pruri makina DAK, rumune, nuk kishin bërë shumë punë, ishin të reja në moshë, po i kishin nxjerrë jashtë përdorimit parqet e tjera. I mori dhe i grumbulloi parku i Sarandës dhe i modifikoi të gjitha, aq sa atyre vetëm emri u ngeli “DAK rumun”, se të tjerat ishin pjesë të ndryshme. Kjo u arrit në sajë të këtyre specialistëve të parkut, natyrisht të cilëve u shpreh mirënjohjen. Kështu që punuam me mjete shumë të vjetra.” 

Si shofer ç’farë rrugëtimi bëre? 
“E thashë që shofer punova në Elbasan, në sharra, në Stëblevë etj. Rrugët qenë shumë të këqia. Shumë keq. Shumë herë hasa në vështirësi të mëdha. Sidomos dimrit me dëborë mbylleshin rrugët komplet. Linim makinat dhe iknim. I gjenim me kabina të shtypura nga pesha e dëborës.Në këto situata bënim tranizit, në pika të veçanta tranziti. Grumbullonim ngarkesën gjatë beharit në pika që nuk i zinte dëbora që të punonim në dimër se ndryshe nuk punohej.”

Sa qe mbështetja nga pushteti? 
“Qe shumë e madhe. Na gjendeshin kudo. Dhe sidomos këtu në rrethin e Sarandës.” 

Jashtë shtetit ke udhëtuar? 
“Po, njëherë vetëm. Kam vajtur deri në Austri. Më shumë vajta për vizitë shëndetësore kur shkuan makinat e parkut.” 

Ju shoqëronin në makinë? Se thoshin që kishte jo operativë etj? 
“Nuk kishte asgjë gjatë udhëtimit. Të paktën në dukje, prezente. Na mbante ndërgjegjja, por edhe frika, asgjë më tepër.” 

Kur pe realitetin jashtë dhe me politikën që bëhej këtu, si u ndjeve? 
“Habiteshim! Sidomos me zhvillimet që kishte atje. Dhe vërtetë filluam të mos i besonim më politikës sonë. Po kjo në vetvete. Se vërtetë ishte për të mos e besuar.” 

Nga drejtuesit partiakë me kë ke pasur më shumë kontakte?
“Me sekretarin parë, me kryetarët e komiteteve. Me Jashar Menzelxhiun më shumë, Jordan Pani, Telo Mezini, Syrja Dosti. Të gjithë ishin pak të ashpër, por më babaxhan qe Jashari. Qe praktik, shumë punëtor dhe mbështetës. Disa herë kemi pasur përplasje, debate pune, se ata kërkonin të shkeleshin kontratat që na vinin, se neve punonim me kontratë me ndërmarrjet e tjera. Ata kërkonin të punonim në rreth jashtë kontrate, sidomos në fushata bujqësore. Kërkonin angazhim nga neve dhe të shkelnim kontratat. Psh. ne kishim kontratë me Memaliajn për qymyrin. Shpeshherë ndizej qymiri atje për efekte trasporti. Kështu që kemi pasur shumë herë përplasje dhe debate me ta.”

Me udhëheqjen e lartë ke pasur kontakte? 
“Po, kam shkuar njëherë në ditëlindjen e Enver Hoxhës. E takuam dhe na takoi. Isha në Kooperativë atëhere kur vajta. Ngaqë u ngrit në rezultate kooperativa. Isha bashkë me një grua tjetër. Na përgëzoi dhe na dha këshilla të punojmë mirë me njerëzit, ti bëjmë izmetin punës dhe të rrisim prodhimin. Qe një banket i këndshëm. Ky qe takimi i parë me të. Nga larg, në sallë e kam parë nga larg. Kam dhe një ndodhi. Shoku Enver bëri vizitat në rrethet e jugut më 1978-n. Në një nga këto ditë të vizitave erdhi në Sarandë dhe bëri takim me kuadrot komunistë në sallën e kinotetarit të qytetit. Përgatita një raport rreth dy faqe. Qe koha që shoku Ramiz Alia kish folur në Shkodër për autobusët. Thashë të përfitoja nga ky rast dhe të kërkoja diçka duke i bërë rezyme situatës dhe duke shfrytëzuar prezencën e tij t’i kërkoja pjesë këmbimi për automjetet se uzinat qenë përfshirë nga realizimi i planit në globalizëm dhe nuk prodhonin pjesë të imëta, mjaft të domosdoshme për riparimin e defekteve të automjeteve tona të vjetëruara. Po nuk më eci. Ose më qartë nuk më lanë. Mirëpo atëherë çdo gjë, e jo më fjalimet, kontrolloheshin më parë nga Komiteti i Partisë së rrethit. E lexuan fjalën time dhe nuk më lanë me justifikimin se mërzitej udhëheqësi dhe nuk duhej në situata të tilla. Duhej vetëm ta gëzonim me lajme të mira. Kështu që nuk më lanë. Po nuk kishin hallin e mërzitjes së udhëheqësit ata, jo. Kishin hallin e tyre që të mos dilnin problemet. Ai kish mirësinë t’i dëgjonte të gjitha dhe t’i zgjidhte, por kërkonte llogari dhe tërhiqte veshin. Kësaj i trembeshin ata që nuk na lanë të flisnim.” 

Takime të tjera me Mehmet Shehun e të tjerët udhëheqës të asaj kohe ke pasur gjatë punës? 
“Kam pasur nëpër mbledhe, nëpër aktive etj.”

Si i bënte mbledhjet Mehmeti? 
“Mehmeti i bënte të prera mbledhjet. Për mua qe shumë kërkues. Nuk i zgjaste shumë, po qe shumë praktik. Por gjithmonë me të drejtë se Mehmeti nuk të binte në qafë kot. Psh. Këtyre të udhëheqjes u pëlqente gënjeshtra në fund, Mehmetit jo. Të tjerëve nuk u pëlqente kritika. I thoshim neve nuk ka pjesë këmbimi, gjejeni vet thoshin, rregullojeni. Po si nga, si, qysh, neve nuk kishim prodhim. Kam dhe një rast tjetër me të. Në një mbledhje me kryetarët e kooperativave të dalluara të Shqipërisë në Xhafzotaj të Durrësit, pasi dëgjoi raportimet tona, na tha: Mos thoni se marrim një rendiment! Marrim tre rendimente; një për shtetin, një vidhet dhe një shpërdorohet. Kjo qe një tërheqje vëmendjeje, por tregoi edhe se e njihte mirë realitetin dhe nuk e gënjeje dot. Atëhere në Xhafzotaj qe ndërtuar një stallë moderne për lopët. Shkuam atje. E pa dhe iu bë qejfi shumë. Në këto momente, një kryetar kooperative malore, duke e parë kryeministrin në qejf, mori një guxim të marrë dhe i tha: Shoku kryeministër, më mirë të jesh viç në këtë stallë, se aty ku jam unë kryetar. Të gjithë u drodhëm nga frika. Por Mehmeti e pa buzagaz dhe i tregoi grushtin turinjve, nuk i foli, por vazhdoi inspektimin. Me kaq u mbyll ky muhabet. Nuk i bëri dhe nuk i tha gjë kurrë.” 

Si mendon ti, duhet të ekzistonte parku në formatin e një koop të bashkuar private? 
“Patjetër, patjetër. Përqëndrimi i disa mjeteve dhe i zanateve rrit cilësinë e shërbimit dhe produktivitetin, punësimin por edhe trashëgiminë e tyre. Pse të jenë të shpërqëndruara. Ai që ka torno nuk ka frezën etj. Po sot nuk bëhen riparime, merren të reja. Pse kur ka mundësi të zgjatet jeta e pjesëve të këmbimit? Atëherë ne me këtë zgjatje mbajtëm parkun për vite me rradhë. Zgjatja nga riparimi ka dhe kosto më të ulet.”

Faleminderit!