“Im bir e di që jam tezja”, rrëfimi i dhimbshëm i një nëne: Ish-burri më dhunonte, s’më lejon të…

574
Ish-bashkëshorti ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj meje. Nuk u largova me dëshirën time nga Shqipëria, sapo arrita në Belgjikë, Bledari më telefonoi dhe më tha që mos të guxoja të vija të takoja djalin”, kështu është shprehur dje për “Gazeta Shqiptare”, nëna e fëmijës 7-vjeçar që është bërë “mollë sherri” mes dy prindërve. Reagimi i saj ka ardhur një ditë pas intervistës që “GSH” realizoi me ish-bashkëshortin e saj, Bledar Ara. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, mamaja e Renisit (fëmijës 7-vjeçar), Ermira Nurja ka shprehur shqetësimin në lidhje me fatin e fëmijës dhe të pathënat e ish-bashkëshortit të saj.
Kur jeni larguar nga Shqipëria?
Ka pothuajse katër vite që jam larguar nga vendlindja. Nuk ishte një largim me dëshirën time. Pas dhunës së vazhdueshme të ish- bashkëshortit tim, dhe deklarimit tim te vëllezërit e mi, ata i kërkuan Bledarit që unë të shkoja në Belgjikë, disa ditë për t’u qetësuar. Ndërkohë që me të mbërritur unë në Belgjikë, ish-bashkëshorti im Bledari më merr në telefon dhe më thotë mos u kthe më në Shqipëri dhe as mos guxo të vish të takosh edhe djalin, fakte këto që i kam të incizuara. E ndodhur në këto kushte kam bërë denoncimin në policinë belge, e cila nisur edhe nga hetimet e saj dhe raportin mjekësor i lëshuar nga psikologja belge, unë isha në një gjendje të rënduar psikologjike dhe bazuar në vlerësimet e ekspertëve, gjykata vendos që unë të marr statusin e azilantes në Belgjikë. Që nga ky moment nuk kam reshtur së kërkuari të kontaktoj me djalin tim.
Mos ishte kjo një arsye që të merrnit statusin e azilantes?
Aspak, sepse unë nuk mund ta lija kurrsesi djalin tim dhe pse isha në gjendje të rënduar emocionale dhe psikologjike. Mjafton t’ju them vetëm një fakt. Jam dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht dhe shkak i durimit të kësaj gjendjeje ka qenë vetëm djali im, Renis. Fakti që unë kam marr statusin, ka ardhur si pasojë e investigimit të policisë belge atje dhe informacionit që kanë marrë ata në Shqipëri. Nëse unë do të kisha për qëllim largimin vetëm për të përfituar azilin në Belgjikë, do të merrja me çdo kusht të paktën djalin tim.
Sa herë keni kontaktuar me djalin tuaj që prej largimit nga Shqipëria?
Gjithsej kam kontaktuar vetëm dy herë me djalin tim dhe kjo vetëm në rastin kur e kanë bëre të mundur psikologët ekspertë të caktuara nga gjykata. Unë i kam paraqitur gjykatës provat që Bledari nuk më lejon të takoj djalin tim, qoftë edhe nëpërmjet skypi-t, fakt i cili u vërtetua edhe nga gjyqtarët e Apelit Shkodër. Të cilët në momentin që gjyqtarja pyeti djalin se si e ka emrin nëna, ai nuk më njihte. I padjallëzuar, ai tregoi se për nënë njihte bashkëjetuesen e të atit. Mu shemb toka nën këmbë në atë moment. E kisha shumë të vështirë të përballoj këtë dhimbje. Ajo që ishte më e pa tolerueshmja, ishte fakti që gjyqtarja i thoshte për mua që unë jam tezja. Nuk di se si drejtësia funksionon kështu?
A e keni bërë divorcin?
Po. Divorci është bërë që në vitin 2014 dhe është kërkuar nga Bledari gjë, që vërteton që unë nuk kam pasur qellim të prish familjen megjithëse ndihesha e izoluar dhe e dhunuar. Unë vazhdoj të jem vetëm dhe gjithë përpjekjet e mia i bëj vetëm të shoh fëmijën tim që ma mohon pa të drejtë Bledari. Përkundrazi është Bledari ai, i cili ka krijuar një bashkëjetese prej disa vitesh. Uroj të jetë martesa e fundit për të, sepse ai është martuar tri herë.
Sigal