Identifikohet viktima që u gjet në liqenin e Ohrit, i riu ka vrarë veten

478
Identifikohet trupi i pajetë që u gjet dy ditë më parë në liqenin e Ohrit. Burime nga Policia e Korçës raportojnë se bëhet fjalë për shtetasin Myftar Bardho, 24 vjeç, banues në Përrenjas. Nga të dhënat paraprake dhe dëshmitë e dhëna nga familjarët, mendohet se Bardho ka kryer vetëvrasje.
Prej kohësh ai vuante nga një gjendje e rënduar psikologjike, e për pasojë ka vendosur që t’i japë fund jetës së tij, duke u mbytur në liqenin e Ohrit. Në trupin e të riut nuk janë gjetur shenja dhune dhe dyshohet se bëhet fjalë për vetëvrasje. Identifikimi i trupit të tij, në morgun e spitalit të Korçës, u bë nga babai i tij.
Në momentin që policia kishte njoftuar gjetjen e një trupi të pajetë në liqen, babai i viktimës ka shkuar në Korçë, për të parë nëse bëhej fjalë për djalin e tij. Prej më shumë se 24 orësh, i riu ishte larguar nga banesa pa lënë asnjë gjurmë.
Sigal