I shkaktuan buxhetit 3.4 milionë euro dëm, MEI kallëzon penalisht Mimën dhe Bozdon

12
Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka kallëzuar penalisht ish ministrin e METE, Florjon Mima dhe ish zv.ministrin Enno Bozdo. Kallëzimi vjen pas auditimit të kryer nga ky institucion. Për MEI të dy ish zyrtarët kanë shpërdoruar detyrën duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 3.4 milionë euro. MEI ka audituar rregullshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të shitjes së aksioneve të hidrocentraleve të Shkopetit, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, tek shoqëria “Kurum”.
“Midis ish-METE, përfaqësuar respektivisht nga ish Ministri Z.Florjon Mima dhe ish Zv.Ministri Z. Enno Bozdo janë nënshkruar deklaratat e përfundimit lidhur me marrëveshjet e shitjes për këto HEC-e ndërsa me urdhërat e ish-Ministrit është bërë transferimi i aksioneve të HEC-eve. Nga përllogaritjet e kryera nga auditimi, përveç parregullsive në procedurë, rezulton se blerësi duhet të paguante vlerën e rregullimit prej rreth 3.4 milion Euro për HEC Ulëz-Shkopet, shumë e cila përbën dëm ekonomik për interesat e shtetit dhe përfitim të pa drejtë për blerësin. Deklarata e përfundimit të shitjes për këtë HEC është nënshkruar nga ish zv. Ministri Enno Bozdo. Për Hec Bistrica 1 dhe 2 nuk rezulton të ketë vlerë rregullimi në çmimin e shitjes”, thuhet në deklaratën e MEI.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë vazhdon procesin e auditit në të gjitha konçesionet me objektiv kontrollin e zbatueshmërisë së detyrimeve dhe procedurave ligjore.