I sekuestruan pasurinë, Adriatik Llalla bën përpjekjen e fundit

73

Adriatik Llalla, ish-kryeprokuror, tashmë nën hetim nga ana e prokurporisë ka depozituar një rekurs në Gjykatën e Lartë për heqjen e sekuestros mbi pasurinë e tij. Ky veprim i Llallës vjen në një kohë kur Gjykata e Apelit nuk e mori parasysh kërkesën e tij.

Ndërkohë që mbetet ende mister vendodhja e ish-kryeprokurorit, i cili ka preferuar që të qëndrojë larg Shqipërie, duke iu druajtur një fletëarresti të mundshëm.

Kujtojmë se pak javë më parë Gjykata e Krimeve të Rënda ka vënë nën sekuestro preventive pasuri të paluajtshme në emër të ish-Kryeprokurorit të vendit Adriatik Llalla me vlerë mbi 800 mijë euro.

Mes pasurive të sekuestruara është një apartament në qytetin e Durrësit dhe mbi 22 mijë metra katrore tokë are në Tiranë.

Këto sekuestro, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, janë vendosur si garanci në lidhje me hetimin që ka nisur ndaj Kryeprokurorit Llalla, i cili akuzohet për fshehje të pasurisë.

Fillimisht, hetimet ndaj Llallës nisën kryesisht nga prokuroria e Durrësit, pas dyshimeve se nuk kishte deklaruar të gjitha pasuritë e paluajtshme që dispononte. Më pas, hetimi u transferua tek Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila pas veprimeve hetimore të kryera në bashkëpunim edhe me policinë, u këkroi gjykatës të sekuestronte pasuritë e Llallës, si garanci për hetimin që ka nisur.