I penduari i bandës së tritolit, 50 mijë eurove për çdo vrasje me porosi

465
Sigal

TIRANË/Policia rrëfen krimet, vrasjet e shpërthimet e bandës, por nuk pohon lidhjet e tyre me zyrtarët

Kanë kaluar pak më shumë se 24 orë që policia bëri arrestimin e disa personave, të cilësuar si pjesëtar të bandës që kryente akte terroriste me shpërthime tritoli të telekomanduara me pasojë vrasjen (në Shqipëri e Greqi) e disa personave, ndërkohë, një i penduar i kësaj bande, i ka afruar bashkëpunimin duke dhënë detaje për krimet e kryera në bashkëpunim. Ai ka pohuar se për çdo vrasje me porosi, tarifa shkonte në 50 mijë euro. Por në asnjë komunikim, nuk janë dhënë detaje lidhur me lidhjet e të akuzuarve me funksionar vendor, nëpunës të lartë të shtetit… Vetëm në media është pohuar se njëri nga kryesorët e bandës së tritolit, përkatësisht Marion Mitrio, porositës i lëndës shpërthyese për atentat, Marion Mitro, ishte vartës i kreut të Bashkisë Vlorë. Në opinion përflitet gjithashtu se disa nga të akuzuarit, njihen si njerëz të afërt apo me lidhje me funksionarë e partiakë, kryesisht të krahut të majtë politik.

 I PENDUARI

Një nga të ndaluarit e ditës së martë, ka dhënë në hetuesi detaje për aktivitetin kriminal të bandës së vrasësve me pagesë, që dyshohet të ketë kryer mbi 20 tritol vënie dhe shumë vrasje, në Shqipëri, e kryesisht në Greqi. Mësohet se i arrestuari Neritan Gjoksana ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke u kthyer në të penduar të drejtësisë. Ai ka rrëfyer të gjitha detajet për mënyrën se si vepronte killeri, Julian Sinanaj, ndërsa ka pohuar se e furnizonte atë me armë dhe eksploziv. Mësohet se ka qenë pikërisht Gjoksana ai që e ka denoncuar vrasësin në polici, pasi kishte pasur mosmarrëveshje me të për shitjen e armëve dhe eksplozivit. I penduari pohoi se ishte kërcënuar me jetë nga vrasësi dhe duke u nisur nga fakti që ai paraqiste rrezikshmëri të lartë kishte vendosur të kryente denoncimin në polici. ‘Truri’ i këtij grupi, mendohet se ishte Julian Sinanaj, aktualisht i vënë në pranga…

JULIAN SINANAJ
Julian Sinanaj u arrestua pesë ditë më parë, teksa po fotografonte një biznesmen nafte në Durrës, ndaj të cilit po përgatiste atentatin e radhës. Gjykata dhe policia pritet të zbardhin listën e plotë të porositësve të vrasjeve dhe viktimave të killerit, i cili sipas të dhënave paguhej nga 10 deri në 50 mijë euro për një vrasje. Pas arrestimit Julian Sinanaj po bashkëpunon me Prokurorinë, duke zbardhur të gjitha krimet e kryera. Gjatë marrjes në pyetje, Sinanaj ka rrëfyer vetë disa prej krimeve që ka kryer, pjesa më e madhe e të cilave në Greqi. Ndërsa miku i tij, i arrestuar dy ditë më vonë, Neritan Gjoksana, i përballur me dëshmitë që ai kishte dhënë para grupit hetimor, ka rrëfyer edhe pjesën tjetër të krimeve duke mbyllur ciklin. Në këtë mënyrë, është zbuluar i gjithë grupi prej 5 personash, që dyshohet të jenë të përfshirë në vrasje dhe atentate me eksploziv me pasojë vdekjen, por edhe plagosje të mbetura në tentativë.
Nga deklarimet e dhëna prej dy të arrestuarve, dyshohet se Julian Sinani është personi që kryente ekzekutimet dhe vendosjen e minave me celular, pasi kishte njohuri të posaçme në prodhimin dhe vendosjen e eksplozivëve të telekomanduar. Këto krime porositeshin më parë nga Marjon Mitro. Takimet kryheshin në lokalin e tij në Vlorë, me ndërmjetësimin e dy kushërinjve të tij. Ndërsa media greke ka publikuar dje një informacion që e akuzon Sinanajn për 27 vrasje në këtë shtet. Mister mbeten lidhjet e tritolvënësve me shtetarë e politikanë grek e shqiptarë….