I biri përplasi nënën e re dhe foshnjën me makinë, i ati qëllon me shpullë gjyshen e të aksidentuarës

489
Policia e Durrësit njofton sot se ka vënë në pranga 17-vjeçarin që aksidentoi dje një nënë të re me foshnjën e saj 7 muajshe, që fatmirësisht shpëtuan pa lëndime të forta. Por gjithashtu ka nisur procedimi në gjendje të lirë edhe për babain e 17-vjeçarit, i cili pas aksidentit që ka bërë i biri ka qëlluar me pëllëmbë nënën e gruas së re.
Sipas të dhënave zyrtare, policia ka vënë në pranga shtetasin me iniciale Gj.K. 17 vjeç, banues në Durrës. Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të babait të tij, A.K., 54 vjeç.

Policia thotë se “më datë 07.08.2017, rreth orës 20:00, në rrugën “Skëndërbej” shtetasi Gj.K. duke drejtuar mjetin tip “Benz Fuoristradë”, pa leje drejtimi ka aksidentuar shtetasen E.B. 31 vjeçe dhe fëmijën e saj A.A. 7 muajsh, të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Shtetasi A.K. pas aksidentit ka goditur me shuplakë shtetasen N.B., 62 vjeçe, nëna e shtetases E.B”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” në ngarkim të shtetasit Gj.K. dhe “Dëmtime të tjera me dashje” në ngarkim të shtetasit A.K.
Sigal