Hysen Burgaj bën sehir dhe hesht

470
Sigal

Policët e inkriminuar haptazi pengojnë luftën kundër krimit, ndërsa… 

Para disa ditësh, policia italiane bëri skanimin e parcelave të mbjella me bimë narkotike në shumë qarqe të Shqipërisë, duke i thënë drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, Hysen Burgaj, se vetëm në Lazarat, vlera e bimëve narkotike të mbjella dhe të tregtuara është mbi 4,5 miliardë euro. Ndërsa policia dhe Drejtori i saj i Përgjithshëm, Hysen Burgaj, nuk mund të luftojnë dot mbjelljen dhe trafikimin e lëndëve narkotike, edhe pse në shumë qarqe të vendit, ato mbillen në sipërfaqe të mëdha, thua se janë të mbjella me grurë e misër.

Policia dhe krimi bashkëpunojnë

Vetëm një shpjegim ka, përse nuk arrin dot Policia e Shtetit që të zbulojë mijëra e mijëra bimë narkotike, që kultivohen në sipërfaqe të mëdha. Krimi dhe kriminelët bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë punët midis tyre, duke ndarë edhe fitimet, që në xhiron e përgjithshme, arrijnë në miliarda euro.

 

Përse hesht Burgaj, në rastet flagrante të bashkëpunimit të policëve me botën e krimit?

Ndodh edhe rasti më flagrant. Ku evidentohet qartazi, që policët e inkriminuar bëhen pengesë e zbulimit të krimit. Kështu, në ngjarjen e pardjeshme, në Vorë, oficeri Përparim Myftari, vihet në ndjekje të një makine, ku dyshon se ka lëndë narkotike dhe kërkon edhe ndihmën stacionit  të policisë së Vorës. Mirëpo, kërkesës të oficerit të policisë Përparim Myftari për ndihmë, stacioni i policisë së Vorës nuk i përgjigjet. Edhe kur mbërrin  me 1 orë vonesë, fugoni i policisë me dy policë në vendin e ngjarjes, policët e kundërshtojnë oficerin e policisë dhe nuk i afrojnë ndihmë të ndjekin makinën e dyshuar. Madje, policët edhe konfrontohen fizikisht midis tyre, ngaqë nuk duan që të kontrollohet makina e dyshuar. Edhe pse kjo ngjarje mësohet, zoti Burgaj, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë heshti, duke mos u merakosur aspak, për rastin më flagrant të inkriminimit të policëve me botën e krimit. Çfarë fakti më flagrant të policëve të inkriminuar kërkon Burgaj,  nga rasti i pardjeshëm në Vorë, ku policët e thirrur për ndihmë, penguan oficerin e policisë që të ndiqte makinën e dyshuar?  A nuk duhet, që brenda orës, Burgaj duhet të zbardhte rastin dhe të publikonte përse policët nuk ushtruan kontrollin ndaj makinës së dyshuar për transportin e lëndëve narkotike? Heshtja e vetë Burgaj, në të tilla raste, është thjesht neglizhencë ndaj detyrës? Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysen Burgaj, duke heshtur, edhe në raste të tilla flagrante, ku policët pengojnë kolegët e tyre, që të zbulojnë krimin, drejtpërdrejt, bëhet jo thjesht pengesë e luftës kundër krimit të organizuar, por, jep mesazhe negative edhe ndaj atyre policëve që duan të përkushtohen në kryerjen e detyrës e zbatueshmërinë e ligjit. Qëndrimi indiferent dhe shpërfillës i Burgajt, në rastin kur 2 policët penguan oficerin e policisë që të ndalonte makinën e dyshuar në Vorë,  nuk duam të besojmë se mund të shpjegohet edhe me vetë faktin që Burgaj është i vetëdijshëm që i ka ditët e numëruara në polici, pasi shumë herë është kritikuar drejtpërdrejt edhe nga Saimir Tahiri, ministri i ri i Brendshëm, i emëruar nga Edi Rama.

Moszbardhja e krimeve

Një nga njollat e zeza të punës së policisë është edhe përqindja e madhe e  moszbardhjes të shumë krimeve të ndodhura. Shumë herë, shkaku kryesor i moszbardhjes së krimeve ka ardhur sepse  policë e drejtues të strukturave të policisë së shtetit janë të inkriminuar me botën e krimit dhe bashkëpunojnë me ata. Si rrjedhojë, janë vetë këta policë të inkriminuar, që zhdukin edhe provat e krimit, apo u japin informacion njerëzve të botës së krimit dhe bëjnë të mundur që pesha dhe forca e ligjit të mos ndëshkojë kriminelët.