Hoteli i prostitucionit në Tiranë, në gjykatë dosja për biznesmenin. Emri

397
Një hetim i nisur nga Prokuroria e Tiranës për vjedhjen e një çante me para në një hotel, zbuloi një rrjet prostitucioni. Një pjesë e personave janë dënuar pak kohë më parë, ndërkohë që Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim edhe pronarin e hotelit, Përparim Xhelili, të akuzuar për “Mbajtje të lokaleve për prostitucion”.

Vjedhja në hotel
Në gusht 2015, E.L. dhe disa miqtë e tij kanë qëndruar në hotelin “Papi” në Tiranë, në dhoma të ndryshme. Në mëngjes, në dhomën e E.L. është paraqitur shtetasja M.Dalti, e cila i ka sugjeruar të merrte një vajzë, e cila ushtronte prostitucion në atë hotel. D.L. nuk ka pranuar, por gjithsesi, sipas deklarimit të tij, M.Dalti është paraqitur sërish në dhomën e tij, së bashku me dy vajza. Sërish, sipas deklarimit, E.L. nuk ka pranuar “shërbimet seksuale” të vajzave. Pas kësaj bisede, ai ka konstatuar se në dhomë i mungonte çanta e dorës, në të cilën gjendeshin 3.500 euro.

Ai menjëherë ka bërë kallëzim penal në Polici, e cila nisi veprimet procedurale dhe referoi rastin në Prokurori.

Nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës ende nuk është identifikuar me prova të plota personi përgjegjës për vjedhjen e parave, por ndërkohë hetimet u zhvilluan edhe për faktin penal të ushtrimit të prostitucionit në atë hotel.

Prostitucioni
Nga të dhënat hetimore, rezultonte se hoteli ishte në pronësi të Përparim Xhelilit, por që ia kishte dhënë në përdorim M. Daltit. Kjo e fundit, në hotel, ndërmjetësonte me klientët për t’i ofruar disa vajza, të cilat kryenin “shërbime seksuale”.

Në bazë të veprimeve proceduriale, në kuadër të hetimit për vjedhjen e parave, u arrestuan në flagrancë M.Dalti, për veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”. Gjithashtu, u arrestua edhe F. Gecaj, roje në hotel, për “moskallëzim krimi”. Ky I fundit ishte në dijeni të veprimtarisë së paligjshme në hotel, por e mohoi para organit procedues. Dy personat e mësipërm janë dërguar për gjykim dhe më tej janë dënuar për veprat për të cilat akuzoheshin. Gjithashtu, është shpallur fajtore edhe shtetasja I.D., për veprën penale të “Prostitucionit”.

Në gjyq dosja për biznesmenin
Ndërkohë, ndryshe nga sa rezultoi gjatë hetimit, në gjykim, të pandehurit deklaruan se hoteli ishte në pronësi dhe shfrytëzohej nga pronari i tij i ligjshëm, Përparim Xhelili. Pra, pavarësisht se ishte deklaruar se hoteli përdorej nga shtetasja M. Dalti, në fakt, i dyshuari Xhelili organizonte punën në hotel, përfshirë edhe sigurimin e kushteve për prostituimin.

Në këto kushte, Prokuroria e Tiranës urdhëroi arrestimin e shtetasit Përparim Xhelili, i dyshuar për “Mbajtje të lokaleve për prostitucion”. Ky i fundit rezulton se është dënuar më parë për të njëjtën vepër penale dhe për të njëjtin hotel.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim kërkesën për shtetasin Xhelili. 
Sigal