Horror në Elbasan, grabiten Varrezat e Dëshmorëve dhe ato publike

452
Një gjë e jashtëzakonshme ka nisur të ndodhë prej disa ditësh në Elbasan. Po grabiten dhe dhunohen Varrezat e Dëshmorëve dhe paralelisht me ato edhe varrezat publike. Qindra qytetarë dhe dhjetëra familjarë të Dëshmorëve të Atdheut kanë denoncuar në “Telegraf” aktet barbare dhe grabitjen e Varrezave të Dëshmorëve dhe atyre publike, të cilave u janë marrë mermerët, pjesët metalike dhe buqetat me lule, një gjë sa antinjerëzore aq edhe e turpshme”. Një horror i vërtetë. Qytetarët e Elbasanit janë shokuar teksa kanë parë dhe konstatuar se, varret e të afërme të tyre janë dhunuar, u janë vjedhur gërmat dhe mbishkrimet, janë shpërfytyruar dhe më skandaloze mbetet fakti, se edhe organet kompetente, siç është policia janë treguar indiferente kur ata kanë trokitur për të bërë denoncimin. Ky konstatim u konstatua edhe ditën e 5 Majit, kur familjarët e dëshmorëve kanë gjetur varret e të afërme të tyre të zbuluar, duke ju vjedhur mermerët, mbishkrimet metalike dhe gjithçka tjetër. Apostol Shqau, 78 vjeç është vëllai i një prej dëshmorëve të Elbasanit, që ra heroikisht në fushën e betejës në zonën e Shpatit në dimrin e vitit 1943 dhe ka deklaruar i indinjuar për “Telegraf” se “kam mbetur pa frymë kur kam parë në 5 Maj, varrin e vëllait tim të thyer dhe dhunuar, ai është vrarë në moshën 21 vjeçare, në lulen e rinisë duke luftuar për liri, kurse sot jo vetëm nuk vlerësohen ata dëshmorë, por përkundrazi po dhunohen dhe denigrohen. Ashtu siç ka ndodhur me varrin e vëllait tim kishte ndodhur edhe me dhjetëra varre, ose nga harresa dhe moskujdesi, ose nga grabitja e pllakave të gurit dhe mermerëve, këto mendoj se kanë qenë arsyet e vetme të kësaj gjëme, mendoj se policia duhet të hetojë dhe zbulojë grabitësit e varreve, dhe jo të na thotë se “ne nuk po ruajmë dot të gjallët, ju doni të ruajmë edhe të vdekurit”. 

Grabitësit nuk kursejnë asgjë

Por të indinjuar janë ndjerë pothuajse në të njëjtën periudhë kohore edhe qytetarët, që të premteve vizitojnë varret e të afërmve të tyre që ndodhen në periferi të qytetit. Edhe pse ka roje, duket se gjithçka ka qenë e përgatitur deri në detaje, nga grupet e grabitësve duke dhunuar dhe zhvatur gurët, metalet dhe mermerët si tek dëshmorët, ashtu edhe tek varrezat publike të qytetit. Burra dhe gra të shqetësuar dhe indinjuar janë shprehur me lotin në sy se “kemi paguar nga 2 milionë lekë për banesat e fundit të njerëzve tanë të dashur, dhe ja sot, shikojmë se si janë dëmtuar, marrë pllakat e mermerit, vazot e bakrit, dhe mbi të gjitha për turpin e tyre edhe buqetat me lule, një skandal i paparë, kishte kohë që nuk kishim dëgjuar raste dhe akte të tilla, por duket se varfëria po i shpërfytyron njerëzit, por jo ama deri këtu”. Edhe këta qytetarë, që janë me dhjetëra kanë trokitur prej një jave në dyert e Komisariatit të Policisë Elbasan, nga e cila kanë marrë ashtu si edhe familjarët e dëshmorëve, përgjigjen e thatë “paguani roje private nuk i mbulojmë dot me shërbime edhe varrezat tuaja”. Qytetarët e Elbasanit ndjehen të braktisur dhe të vetmuar, së fundi edhe përballë grupeve të hajdutëve dhe grabitësve të varrevezave publike dhe atyre të Dëshmorëve të Atdheut. Ata i bëjnë thirrje dhe apel edhe njëherë organeve policore dhe hetimore, “të nisin pa asnjë minutë vonesë, punën për të identifikuar dhe dënuar sipas ligjeve grabitësit dhe dhunuesit e pashpirt”, pasi sipas tyre gjithçka u ka kushtuar miliona nga xhepat e tyre të shpuar. 
Sigal