Homazh për një koleg/ Dr. Shefi Caka, mjeku që kontribuoi në mjekësinë e Skraparit dhe Mjekësinë Ushtarake

1712
Më datën 29 Janar 2018 pas një sëmundje të rëndë, u nda nga jeta në moshën 60 vjeçare, një ndër kolegët tanë të dashur, Dr. Shefit Caka. Dr. Shefiti u lind në Çorovodë të Skraparit dhe vinte nga një familje arsimdashëse dhe patriote nga fshati Osojë i Skraparit e lidhur ngushtësisht me lëvizjet patriotike dhe Luftën Nacional-Çlirimtare. Pas përfundimit të shkollës së mesme të përgjithshme “Ramiz Aranitasi” në Çorovodë me rezultate të larta, Shefiti filloi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë të cilat i përfundoi në vitin 1983 . Pas përfundimit të studimeve për 20 vjet ai shërbeu si mjek i përgjithshëm në rrethin e Skraparit, në Verzhezhë e më pas drejtor i drejtorisë së Higjenës dhe Epidemiologjisë në qytetin e Çorovodës, deri në vitin 2002. Në vitin 2002 me dëshirën e madhe për te qenë pjesë e Forcave të Armatosura, iu bashkua trupës mjekësore ushtarake duke punuar me përkushtim e devotshmëri për 15 vjet, në repartet e Komandës së Mbështetjes Logjistike e strukturat e saj të mëpastajshme deri ditën që u nda nga jeta. Edhe në këto struktura Dr.Shefiti spikati për humanizmin dhe përkushtimin e tij duke u gjendur në çdo kohë pranë shqetësimeve të ushtarakëve. Ai kishte aftësi të spikatura komunikuese me eprorët e kolegët e tij të punës dhe për optimizmin dhe humorin e tij të rrallë. Ne të gjithë jetën e tij, ai u shqua për një ndershmëri dhe korrektësi shembullore, familjar model, i thjeshtë dhe shumë i dashur me njerëzit, të sëmurët, kolegët, miqtë e shokët që i kishte të shumtë dhe nga gjithë vendi. Shefiti kishte akoma ëndërra për të realizuar në jetë, për familjen e mrekullueshme por edhe për pune me të sëmurët veçanërisht në urgjencën e Spitalit Ushtarak të Tiranës, por sëmundja e rëndë dhe e menjëhershme i preu në mes. Dr. Shefit Caka, do të mbetet në brezin e mjekëve të respektuar të rrethit të Skraparit por dhe mjekësisë ushtarake e Spitalit Ushtarak, duke lënë pas një emër dhe kontribut të madh dhe të paharruar në mjekësi Shokët miqtë e të afërmit do ta kujtojnë me nderim të veçantë dhe respekt për humanizmin e vlerat e larta morale, që i bëjnë ndër atij dhe familjes së nderuar dhe respektuar.

Prof. Asc. Dr. Luan Nikollari
Ish drejtor i Shëndetësisë së Ushtrisë


Sigal