Hodaj: Vetingu, përfshihen SHISH dhe Avokati i Popullit

644
Zv/ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, deklaroi se propozimet e LSI-së në ligjin për vetingun e policisë nuk e prekin thelbin, por janë të natyrës teknike. Një ditë pas votimit të ligjit, ku LSI bashkoi votat me PS-në, Hodaj tha se u përfshinë 19 amendamentet e partisë opozitare. “Grupi parlamentar i LSI paraqiti rreth 19 ndryshime, ku shumica më e madhe janë të natyrës së teknikës legjislative, pra nuk janë ndryshime që prekin thelbin. Nëse do të veçoja dy ndryshime ose dy propozime të cilat u morën parasysh dhe u dakordësuan, njëra ka lidhje me përbërjen e Bordit Përzgjedhës, që është ai Bord që përzgjedh 15 anëtarët e Komisionit të Jashtëm, ku u pranua propozimi i tyre për të përfshirë në bord Avokatin e Popullit dhe SHISH. Ndërsa ndryshimi tjetër që është thjesht si deklaratë, është përmendja në ligj e Nënkomisionit të posaçëm parlamentar pranë Komisionit të Sigurisë që do ndjekë zbatimin e ligjit. Kuptohet parlamenti ka funksionin mbikëqyrës edhe mbi bazën ligjore ekzistuese, përmendja besoj që e bën edhe më të rëndësishëm, edhe më të lidhur këtë proces dhe garanton një lloj mbikëqyrjeje parlamentare më të theksuar”, tha Hodaj. Zv/ministri i Brendshëm parashikon që i gjithë procesi të mbyllet brenda 24 muajve. “Është parashikuar që procesi duhet të përfundojë, të paktën vlerësimi kalimtar, sepse vlerësimi periodik është pjesa tjetër, vlerësimi kalimtar është parashikuar të përfundojë brenda 24 muajsh nga data e hyrjes në fuqi të ligjit, për të gjithë punonjësit e policisë, jo vetëm për drejtuesit. Nëse e keni parasysh, procesi është i strukturuar në tre faza, në varësi të gradave. Gradat e larta janë 300 punonjës, gradat e mesme janë rreth 3 mijë punonjës dhe punonjës të nivelit zbatues janë rreth 9 mijë. Ne mendojmë që i gjithë procesi do të mbyllet në harkun kohor të 24 muajve”, tha ai. Brenda 20 ditësh presidenti duhet të shprehet për dekretin, e më pas ligji do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Nga hyrja në fuqi çdo punonjës i policisë ka një afat kohor prej 30 ditësh për të dorëzuar deklaratat individuale. Janë 3 formularë, për figurën, për pasurinë dhe për profesionalizmin dhe brenda këtij 30 ditësh është parashikuar të ngrihen edhe organet përkatëse që është Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit dhe Sekretariati Teknik përkatës. “Ligji parashikon që në rast se dikush do të dorëhiqet e ka mundësinë ta bëjë brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit. Besoj se atëherë do ta marrim vesh, nëse ka njerëz që do të largohen ose jo”, tha numri dy i Ministrisë së Brendshme.
Lehtësohet fitimi i shtetësisë greke
Greqia nxjerr rregulla të reja për dhënien e nënshtetësisë, në një lëvizje që sipas ministrit të Brendshëm Panos Skurletis u jep mundësinë mijëra emigrantëve që ta marrin atë. “Duam me qëndrimin tonë të dërgojmë mesazhet e duhura në të gjithë botën kundër ksenofobisë dhe racizmit. Duam t’i japim shanse të gjithëve, pavarësisht origjinës së tyre. Po përmirësojmë kuadrin ligjor për dhënien e shtetësisë. Vendosëm dhënien e mundësisë për fëmijët e lindur në vend, por që për arsye të ndryshme nuk përfitonin, si u jepet mundësia edhe shumë të tjerëve të marrin shtetësinë”, tha ministri i Brendshëm grek. Sipas Skurletis, ndryshimi prek dhe mënyrën e intervistimit të kandidatit në një procedurë të thjeshtuar për evidentimin e personave të integruar në shoqërinë greke. Skurletis tha se po bëhen ndryshimet e duhura ligjore, për të mundësuar dhënien e shtetësisë për ata që kanë mbi 12 vjet qëndrimi në Greqi si edhe për grupmoshat mbi 65 vjeç, personat me aftësi të kufizuar etj. Si dhe për pjesëtare të komunitetin rom të lindur në Greqi. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme greke në Greqi jetojnë 850 mijë emigrantë. Sipas statistikave 174.394 nënshtetësi janë dhënë që prej vitit 2011 deri me 2017. Nga këto 93 % e përfituesve janë nga Shqipëria.
Sigal