Hetimet për zjarrin në Kashar, flakët nisen pa filluar akoma puna

102
Policia ka nisur hetimet në lidhje me zjarrin e përmasave të mëdha që shpërtheu rreth orës 10:00 të së dielës në fabrikën e riciklimit të mbetjeve në zonën e Kasharit në Tiranë.
Grupi i hetimit ka marrë në pyetje punonjësit e sigurisë që duhej të ruanin objektin ku ra zjarri që për më shumë se tri orë ndoti me tym të zi thuajse gjithë Tiranën.
Ata kanë thënë se zjarri ka rënë në kohën kur në fabrikë ende nuk kishte nisur puna çka përjashton mundësinë e një ngjarje aksidentale gjatë përpunimit të mbetjeve.
“Punëtorët ishin jashtë fabrikës kur pamë tymin në mes të saj dhe njoftuam zjarrfikëset”, kanë thënë punonjësit në polici. 
Për rreth tre orë të dielën, zjarrfikëset nga Tirana dhe Vora, të ndihmuara edhe me bote uji nga ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime në bashki luftuan flakët e zjarrit të shkaktuara nga plastika, duke sjellë ndotje të konsiderueshme të ajrit në zonë.
Banorët e zonës shprehën shqetësim për situatën duke pretenduar se zjarri rrezikonte shtëpitë, përveç ndotjes që ishte tejet e madhe për shkak të djegies së plastikës.
Kreu i zjarrfikëses në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, deklaroi se pas fikjes së zjarrit do punohet për të përcaktuar shkaqet e tij.
Të dielën ishte hera e dytë që kjo fabrikë është përfshirë nga zjarri.