Hekurudha Tiranë-Durrës, punimet nisin në pranverë

670
Gjendja mjerane e hekurudhës Tiranë-Durrës pritet të ndryshojë shpejt me sigurimin e plotë të fondeve për rehabilitimin e saj. Qeveria ka miratuar grantin e fundit prej 35,4 milionë euro financim nga donatorët e huaj, i cili do t’i hapë rrugë punimeve në terren. Këto mund të nisin në pranverë dhe brenda dy vitesh përfundon i gjithë projekti. Investimi kushton rreth 90 milionë euro, dhe bashkë-financues janë Bashkimi Evropian, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe qeveria shqiptare që do të mbulojë kostot e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe atë të shpronësimeve. Investimi do të bëhet në linjën ekzistuese, do ketë një degëzim drejt aeroportit të Rinasit, kurse pika fundore në Tiranë do të jetë pranë Bulevardit të ri. Rehabilitimi i kësaj linje hekurdhore dhe vendosja e trenave të rinj është hapi i parë i një projekti më të madh për modernizmin e disa linjave hekurdhore në Shqipëri. E gjithë kosto e rehabilitimit të rrjetit hekurudhor shqiptar i kalon 427 milionë euro.