Hashashizimi i vendit, pas katër vite lejimi kërkohet ndërhyrja e policisë

392
Qindra mijëra kg kanabis sekuestrohet në vendet fqinje. E kundërshtoi në katër vite ekzistencën, sot Edi Rama bën thirrje për të pastruar vendin 
Qindra kilogramë kanabis kapet çdo ditë në vendet fqinje, Greqi dhe Itali. E gjithë sasia e sekuestruar sipas autoriteteve të vendeve përkatëse, futet nga Shqipëria. Alarmi është vënë edhe nga autoritetet ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë në kryeqytet vetëm pas zgjedhjeve, kryeministri Edi Rama doli hapur për atë se çfarë po ndodhte në të vërtetë. Në katër vite qeverisje, ndërsa Guardia di Financa njoftonte për shifra marramendëse të kanabisit që kapeshin në brigjet Italiane, kryeministri Edi Rama së bashku me ish-ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri nuk e pranonin faktin. Jehona e kanabizimit të vendit nga jugu në veri, nuk e vuri aspak në siklet shefin e qeverisë dhe njeriun më të besuar të tij Tahirin. Ndërkohë që u desh të përfundonin zgjedhjet që numri një i shtetit të dalë me një deklaratë. “Lufta kundër kanabisit është një nga prioritetet. Jemi zotuar që këtë vit do të shkruhet fjala FUND në historinë e gjatë të kultivimit të kanabisit në shkallë të gjerë dhe ky zotim do të mbahet me se s’bën”, shkruan Rama në faqen e tij në facebook. Gjatë ditës së djeshme ai mblodhi edhe shefat e policisë në rrethe. I porositi për të qenë të vëmendshëm me qëllim “spiunimin” e çdo parcele. Ndërkohë në katër vite ishin vet punonjësit e policisë ata që bashkëpunonin me kultivuesit e kanabisit në të gjithë vendin. Tepelena ishte një nga qytetet ku sipërfaqet e mbjella me bimë narkotike u shtuan së tepërmi. Në lojë u zbulua se ishte futur dhe policia. Por drejtësia duket se nuk veproi njësoj. Janë kapur dhe futur në burg dhjetëra fermerë të thjeshtë, banues në zona të thella. Janë gjetur parcela të mbjella me kanabis, por pa pronar. Në të gjithë rastet, pronarët e vërtetë nuk janë arrestuar. Policia në të gjitha komunikatat e publikuara ka referuar në drejtim të prokurorisë për hetime, vetëm fshatarë të thjeshtë që punonin në fabrikat e përpunimit të kanabisit, për bukën e gojës. Tashmë që zgjedhjet mbaruan, kryeministri si katër vite më parë i rikthehet sërish të njëjtës tezë, asaj të pastrimit të vendit nga çdo bimë kanabis. Gjatë takimit të djeshëm me shefat e policisë, ai urdhëroi inspektimin e territorit të vendit me helikopter. Nëse do të jetë e nevojshme do të dalë në terren edhe ushtria. Po dje doli për inspektim me helikopter edhe ministri i Brendshëm teknik, Dritan Demiraj. Sipas informacioneve, kultivim ka ende, por jo në masë. Ministri Demiraj ka inkurajuar Policinë e Shtetit të përqendrohet në evidentimin dhe sekuestrimin e sasive stok të lëndëve narkotike të trashëguara nga viti i kaluar, në mënyrë që trafikimi i tyre jashtë territorit të Shqipërisë të minimizohet dhe parandalohet plotësisht.
Sigal