Hapen kamerat e kazinove e moteleve për të zbuluar lidhjet me krimin, luksin, veset dhe qejfet e shtetarëve

449
Dyshimi i motivuar i ndërkombëtarëve, se vetë-deklarimet e shtetarëve dhe politikanëve të “molepsur” në abuzime e krime, në përgjigje të detyrimit prej procesit të “Vetingut” nuk do të jenë të plota e reale, ka nxitur tek SHBA-BE si “themelues” të reformës në drejtësi dhe të procesit të dekriminalizimit në Shqipëri, nismën për të hedhur një hap tjetër në funksion të realizimit me sukses dhe efiçencë deri në detaje, të kësaj reforme të madhe, që ka si objekt evidentimin dhe seleksionimin nga jeta publike shqiptare të zyrtarëve të shtetit, të cilët janë pjesë e krimit dhe korrupsionit deri moral. Këtë e motivon fakti, që në vetë-deklarimet e shtetarëve shqiptarë janë bërë të ditura vetëm disa “thërrime” nga veprimtaria e tyre private si ndërrime dhe përdorje emrash e mbiemrash deri në 2 e 5 herë, vizita jashtë shtetit si emigrantë, vepra penale të mbuluar me pafajësi, dënime për çështje administrative, përzënie nga shtetet ku kanë jetuar e punuar, motive largimesh e vetë-largimesh nga këto shtete, por edhe vepra penale e administrative brenda Shqipërisë si thyerje rregullash të qarkullimit rrugor, kundërshtim të policit të lagjes, kapje me hashash të “pa ditur”, rrahje në stadiume, në parlament etj. Pas këtyre vetë-deklarimeve, janë edhe shumë informacione të dërguar nga shumë burime konfidenciale prej “spiunit popull” dhe denoncime reciproke mediatike nga krahë e persona politikë, të cilët kanë nxjerr “pisllëqe” të tjera të njëri-tjetrit. 
Dyshime, të dhëna dhe hetim veprimtarisë së fshehur
Në “kokën” e SHBA-BE, ka bindje totale se shtetarë e politikanë shqiptarë kanë fshehur fakte tronditëse, deri të krimit të organizuar nga veprimtaria e tyre brenda dhe jashtë Shqipërisë, me të ardhurat e të cilave, thuhet se shumica janë “desantuar” dhe janë emëuar me presion e me pagesa brenda politikës shqiptare në parlament, me poste drejtuese në qeveri, në shtet, në drejtësi, në institucione ligj-kontrolluese e ligj-zbatuese, madje deri në diplomacinë shqiptare brenda Ministrisë “Bushati” dhe në selitë e vendeve Perëndimore e atyre kryesore të BE! Ky proces ka nisur jo pa qëllim, qysh tani përpara nisjes së “Vetingut” të pashmangshëm, për ta bërë me të plotë e më efiçent këtë proces që ka si “udhëheqëse” SHBA-BE. Ky hetim paraprak paralel për “zullumet” e fshehura të shtetarëve dhe politikanëve shqiptarë, po realizohet përmjet strukturave të tyre të specializuara të SHBA, në bashkëpunim me shërbimet inteligjente e administrative të 28 vendeve të BE, të vendeve të rajonit që janë ende jashtë BE dhe të disa shteteve kryesore anëtare të NATO ku kanë “shkelur”, kanë qëndruar e kanë ushtuar aktivitet privat e publik politikanët aktual shqiptarë. Hetimi paralel ka nisur paraprakisht, duke mos pritur vetë-deklarimet e shtetarëve shqiptarë, për të cilët SHBA-BE kanë dyshime të plota se nuk do t’i deklarojnë plotësisht e me detaje të dhënat e tyre, sidomos “zullumet” që kanë bërë brenda e jashtë Shqipërisë! Ndaj dhe e kanë nisur vetë së pari hetimin, për të pasur në duar gjithçka nga veprimtaria e tyre e dukshme dhe e padukshme, e deklaruar dhe e padeklaruar deri tani, sidomos në disa aspekte të figurës morale të atyre që janë në funksione drejtuese në shtet, në ambasada, konsullata, shërbime diplomatike në OKB, NATO, Bruksel, në administratën ligj-zbatuese e ligj-kontrolluese, në shërbimet e sigurisë kombëtare, në sistemin bankar shqiptar dhe si drejtues të forcave politike, të OJF-ve, të medias shtetërore e asaj private kombëtare. 
“Vrojtim” në kamerat e kazinove, moteleve, kufirit dhe bizneseve “VIP”…
Gazeta “Telegraf”, në një shkrim të muajit shtator 2015, me titull “Politikanë dhe biznesmenë shqiptarë bllokohen në motelet e Maqedonisë”, të gazetarit tonë Bardhyl Berberi, ka denoncuar faktin që politikanë e shtetarë shqiptarë ushtrojnë veset e tyre jashtë Shqipërisë. Ky fenomen, duket se është bërë shkak që ndërkombëtarët të hidhen në veprim për të zbuluar emrat konkret të shtetarëve politikanëve shqiptarë. Ky fenomen, duket se është bërë shkak që ndërkombëtarët të hidhen në veprim për të zbuluar emrat konkretë të shtetarëve e politikanëve shqiptarë. Një informacion që ka ardhur në redaksinë e gazetës “Telegraf” me burime shërbimet inteligjente ndërkombëtare, bënë me dije se institucionet ndërkombëtare, në bashkëveprim me strukturat e “besuara e të instruktuar” të përzgjedhura nga SHBA-BE, kanë nisur një operacion të koduar “Kamera”, nëpërmjet të cilit do të zbardhin gjithë lëvizjet, lidhjet, veprimet dhe takimet e shtetarëve, politikanëve e zyrtarëve shqiptarë aktualë. Sipas planit operacional të inciuar e financiar nga SHBA-BE si pjesë kryesore e procesit të “Vetingut”, ka nisur puna për sistemin dhe skedimin e informacioneve të grumbulluara e të depozituara nga burime jashtë “ekipeve të punës” hetimore-zbuluese, për përcaktimin e platformës që do të zbatohet, të problematikave që do të hetohen, të shteteve ku do të kryhet hetimi dhe të një liste paraprake referuese me emra shtetarësh e politikanësh shqiptarë “ekzemplarë”. Qëllimi është që hetimi i krimit të korrupsionit, trafiqeve, ryshfeteve e përfitimeve të tjera të shtetarëve shqiptarë të “blindohet” edhe me prova nga qendrat ku mendohet e ka fakte se ata konsumojnë lekët e korrupsionit, krimit e trafiqeve jetë luksi e vese të tjera si bixhozi, kumari, seksi, pushimet e shtrenjta, apartamentet dhe vilat intime, drekat e darkat luksoze intime, “vizitat” në bizneset VIP vendas e të huaj me qendrat tregtare, fabrikat e prodhimeve ushqimore, bizneset e energjisë dhe transportet ajrore, detare, tokësore që veprojnë Shqipëri, me të cilët nën presion e afera shtetërore, mendohet dhe ka fakte se bëjnë pazare e fiksojnë ryshfete, godasin biznese të ndershëm, krijojnë monopole e shesin koncesione. Do të hapen kamerat në restorante luksoze, hotele, rezidenca, palestra, banka, pishina e qendra argëtimi me njerëz të botës së korrupsionit, për pazare tenderësh e koncesionesh. Ky hetim është vendosur të bëhet dhe ka nisur të realizohet me pronarët e kazinove, moteleve, bankave, aeroporteve, trageteve, hoteleve, kompanive prodhuese e importuese, doganave, ministrive, pikave kufitare në Shqipëri, në vendet e BE, në disa shtete të NATO e SHBA dhe në krejt vendet e rajonit si Mali i Zi, Turqi, Maqedoni, Kosovë, Serbi etj. Në epiqendër do të jenë gjithë kazinotë “VIP”, motelet luksoze dhe qendrat rezidenciale, për të parë “zullumet” e shtetarëve, mbasi dihet që afro 80% e ministrave, deputetëve, politikanëve të lartë, diplomatëve, drejtorëve qendrorë e rajonalë, por edhe drejtues të pushtetit lokal në qarqe, prefektura e bashki janë klientë të kazinove e moteleve, duke konsumuar aty milionat që zhvatin nga pushteti e duke përdorur pushtetin. 
Përparim HALILI
Sigal