Hakmarrja për vëllain, 37-vjeçari dy plumba pronarit të lokalit në Tiranë

726
Shtatë persona u arrestuan gjatë ditës së djeshme (24 Mars), nga Policia e Tiranës, pasi tentuan të vrisnin një person në një lokal, në periferi të kryeqytetit. Sektori për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Tiranës në bashkëpunim me shërbimet e komisariatit numër 5 vunë në pranga të gjithë personat e përfshirë në sherrin e armatosur, që fatmirësisht përfundoi pa të lënduar. Express mëson se si nisi sherri dhe motivin e tij.
Ardjan Shima, 37 vjeç me banim në Kamëz, i dënuar më parë për vjedhje, ka tentuar të vrasë pronarin e një lokali në Laknas, Andi Karaj (Metaliu), banues në Laknas. Ky i fundit ka qenë i ulur në një nga tavolinat e lokalit, kur në një moment, autori me një grup personash ka hyrë në lokal. Autori i ka dhënë të njohur pronarit të lokalit Karaj, ku i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit, e vetëm pas pak momentesh, grupi që shoqëronte autorin Ardjan Shima, ka nisur të qëllojë me grushte ndaj pronarit të lokalit. 
Nuk janë mjaftuar vetëm me kaq. 
37-vjeçari ka nxjerrë nga brezi një armë pistoletë të cilën e mbante pa lejen e autoriteteve dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të pronarit. Fati i këtij të fundit, që asnjëri nga plumbat nuk e ka kapur. Express mëson se Andi Karaj pasi është dhunuar nga autori është larguar menjëherë nga një derë e dytë e lokalit dhe ka mundur t’i shpëtojë plumbave.
Teksa qëllon dy herë me armë, autorin e tërheq nga krahu për tu larguar njëri prej anëtarëve të grupit të tij, teksa më tej të gjithë dalin jashtë lokalit. Kjo situatë është filmuar e gjitha nga kamerat e sigurisë që pronari kishte në biznesin e tij.
Express mëson se autori dhe pronari i lokalit kishin njohje me njëri-tjetrin. Kohë më parë në lokalin e Andi Karaj, ka punuar kamerier vëllai i autorit, Ardian Shimës. Pronari i lokalit ka pasur konflikt me vëllain e autorit, dhe mësohet se edhe e ka rrahur atë. E gjithë mëria për ta vrarë pronarin e lokalit, ka ardhur si shenjë hakmarrje për dhunën që Karaj kishte ushtruar ndaj vëllait të autorit, me të cilin kishte pasur konflikte.
Ndaj 37-vjeçarit Ardjan Shima, që është edhe personi që ka qëlluar me armë, rëndon akuza e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë të kryer në bashkëpunim dhe e armëmbajtjes pa leje.
Ndërkohë, policia arrestoi edhe bashkëpunëtorët e tij.
Klejdian Deliu, 35 vjeç, banues në Kodër Kamez, Elfjord Deliu, 23 vjeç, banues në Laknas, Shkëlzen Xhanari, 33 vjeç, banues Kodër Kamëz, të gjithë të dyshuar për veprën penale, ”Vrasje me dashje” e mbetur në tentative e kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë u arrestuan edhe tre veta të tjerë për shkak se nuk kanë kallëzuar në polici sherrin e ndodhur, edhe pse kanë qenë të pranishëm, mes tyre edhe vetë pronari i lokalit, Andi Karaj.
“Renaldo Dragjoshi 29 vjeç, dhe Gentjan Neli 36 vjeç banues në Laknas, pasi ishin prezent në këtë konflikt, deri në momentin e identifikimit dhe shoqërimit nuk kanë kallëzuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur”, thotë policia përmes një njoftimi zyrtar për ngjarjen.
Policia thotë se autorit Ardjan Shima ju gjet dhe sekuestrua edhe arma e përdorur në këtë ngjarje e tipit pistolete së bashku me 11 copë fishekë, të cilën e dispononte pa leje të organeve kompetente.
Sigal