Grushte dhe leva në korridoret e gjykatës së Elbasanit

393
Një ngjarje e (pa) zakonshme ka ndodhur në mjediset e Gjykatës së Elbasanit. Një sherr masiv mes dy palëve që prej 2 muajsh kishin hapur mes tyre një padi civile mbi pronësinë e një banese e cila është ndërtuar dhe blerë qysh para 140 vitesh, por që një gjyqtar i molepsur dhe i hetuar edhe më parë për afera korruptive, ka vendosur të favorizojë atë që ka paguar më shumë. Në Elbasan, rreth e qark Gjykatës së Faktit do të takosh me dhjetëra syresh, të cilët nuk është nevoja t’i kërkosh, por të gjejnë ata ty, dhe janë pikërisht sekserët. Edhe në rastin që po publikojmë, ishin sekserët ata që vendosën fatin e procesit gjyqësor mes palëve, B. M. dhe K. S. B. B. familje të vjetra në lagjen Kala. Procesi gjyqësor ka nisur papritur kur palët K. S dhe B. B. dhe shumë familjarë të tyre, kanë hedhur në gjyq për pronësinë e banesës shtetasin B. M. banues në lagjen Kala, dhe që jeton prej 140 vitesh në atë objekt i ndërtuar nga paraardhësit e tij. 

Ngjarja e ndodhur në korridoret e Gjykatës së Faktit Elbasan ishte provokimi hapur që kryesuesi trupit gjykues B. M. i ka bërë procesit gjykues duke hedhur poshtë edhe ekspertin ligjor, pavarësisht se i dha të drejtën atij, duke shkelur ligjin hapur fare. Kaq mjaftoi, që të ndodhte përplasja. Ndeshja fizike, pas sharjeve dhe fyerjeve, (ku nuk munguan edhe levat ) ka zgjatur për afro 10 minuta dhe janë përfshirë burra, gra, dhe rojet e objektit. Një skandal i paparë, dhe kjo gjë ka ndodhur dhe po ndodh shpesh zyrave dhe korridoreve të Gjykatës së Elbasanit, e cila është kthyer në “qendër biznesi korruptiv”. Burimet nga kjo gjykatë i thanë “Telegraf” se “vendimi i gjyqtarit ishte krejtësisht i paligjshëm, dhe se vendimi ishte blerë qysh një ditë më parë, kur pala që fitoi gjyqin kishte paguar një grusht me euro sekserin e gjyqtarit B. M. Prej 25 vitesh qindra familje të vjetra elbasanase sorollaten dyerve të gjykatave, duke pritur drejtësinë për konfliktet e vjetra dhe të reja, kryesisht të pronave. Sistemi drejtësisë, mbetet i mbuluar nga korrupsioni, dhe kjo më së shumti rëndon çdo ditë xhepat e qytetareve elbasanas të hallexhinjve, të atyre që dergjen zyrave dhe sallave duke shpresuar se do të ketë zbatim të ligjit dhe drejtësi. Pothuajse çdo ditë në Gjykatën e Elbasanit, do të takohesh me ish-pronarë që prej vitesh zhvillojnë gjyqe nga shkalla e parë në Apel, nga Gjykata e Lartë sërish në shkallën e parë, një vajtje-ardhje e lodhshme, një torturë. Po nuk ke bërë pazarin me sekserin e gjyqtarit, mos prit të marrësh drejtësi në gjykatë. Shpesh abuzimi me detyrën dhe korrupsioni në sistemin e drejtësisë, ka qenë objekt edhe i organit të akuzës, deri sot nuk është penalizuar asnjeri prej tyre. 

Rastet e tilla nuk kanë munguar në organet e drejtësisë në Elbasan. Pronarët e vjetër elbasanas, dergjen prej vitesh në zyrat dhe korridoret e institucioneve të drejtësisë, duke paguar gjoba pa fund tek sekserët, të cilët duke shpresuar drejtësi dhe vendime të bazuara në ligj, zbrazin xhepat dhe shkatërrojnë jetët e tyre. Korruptimi i sistemit gjyqësor mbetet plaga më e rëndë e cila po shpërfytyron qytetarët e Elbasanit. Loja e sekserëve mbetet turpi i sistemit të dhënies drejtësi në Elbasan. Qytetarët shprehen me indinjatë ndaj gjyqtarëve, ish-pronarë të vjetër elbasanas deklarojnë se “kemi vite që denoncojmë grabitjen e pronave nga gjyqtarë e prokurorë, por as KLD dhe as Ministria e Drejtësisë nuk mund ta ndalin bandën dhe mafien e drejtësisë”. Qytetarët e Elbasanit apelojnë për ndëshkimin e korrupsionit në gjykatë. Bëhet fjalë për përzierje në afera korruptive të zyrtareve, drejtuesve të institucioneve lokale e vendore, të cilët duke abuzuar me ligjin, kanë grabitur troje dhe pronat e pronarëve legjitimë në këtë qytet. Denoncimet kanë të bëjnë me abuzimet në tokat, trojet në periferinë e qytetit dhe fshatra. Në denoncimet e tyre, qytetarët denoncojnë grabitjet e pronave të tyre, edhe nga ZRPP, në vitet e kaosit dhe abuzimit me trojet e ish-pronarëve të ligjshëm. Por duket se organi i akuzës në Elbasan, ka qenë dhe mbetet tejet apatik dhe i pafuqishëm, për të mos thënë i kompromentuar me skandalin e pronave që madje kanë shqetësuar edhe nivelet e larta te shtetit. Një ish-pronar elbasanas u shpreh se, “vendimet e paligjshme të gjyqtarëve të Elbasanit, kanë bërë që shkelësit e ligjit, grabitësit e pronave nga zyrtarët në gjithë këto vite, të bëhen shkak për ngjarje të rënda mes palëve, personalisht kam denoncuar në Prokurori dhe KLD gjyqtarët e çështjeve të mia si Z. Sh. apo R. A. në Apelin e Durrësit dhe deri në Gjykatën e Lartë. Qytetarët e Elbasanit, ankohen çdo ditë për shkeljet ligjore dhe shprehen të shqetësuar për vendimet e Gjykatës Elbasan, e cila gjithmonë ose ka zvarritur ose ka dhënë vendime pro atyre që kanë shkelur ligjin”. 
Sigal