Greqia: Droga e kapur, e njerëzve të Saimir Tahirit

543
Gazeta “Kathimerini” zbulon detaje të tjera të operacionit me 11 të arrestuar dhe 1.6 ton kanabis të bllokuar. Si ndikoi prangosja e Habilajt në Itali
Kapja e skafit me 1.6 ton marijuanë konsiderohet një sukses nga autoritetet greke. Mediet fqinje flasin për mafie shqiptare të mirë organizuar, ndërsa në skenë ka dalë sërish emri i ish-ministrit të Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri dhe grupit të njohur kriminal të udhëhequr nga vëllezërit Habilaj. Gjashtë shqiptarë, dy italianë, dy grekë dhe një bullgar janë të arrestuarit nga policia greke. Në mesin e tyre është edhe një biznesmen i njohur grek që ka disa restorante në ishullin e Mikonos. Sipas hetimeve nga policia greke, ky biznesmen u siguronte gomonet trafikantëve. Bëhet me dije se ngarkesa prej 1.6 ton marijuanë do të trafikohej në Turqi. Ndërkohë, burime të së përditshme greke “Kathimerini”, thonë se ky grup kriminal pasi të transportonte marijuanën në Turqi, do të sillte në Shqipëri një ngarkesë heroine. “Kathimerini” shkruan gjithashtu se kjo organizatë kriminal qëndron pas dy rasteve të trafikut të drogës në Prill dhe Shtator 2017 nga Shqipëria në Itali. Në rastin e parë, u tentua të trafikoheshin drejt brigjeve italiane 1.5 ton hashash dhe u arrestuan shtatë persona, dy grekë dhe pesë shqiptarë. Kurse rasti i dytë ka të bëjë me trafikun e 2.3 ton hashash sërish drejt Italisë me një gomone në pronësi të një biznesmeni grek. Një shqiptar 24-vjeçar dhe një 63-vjeçar italian u arrestuan për këtë ngjarje. Sipas burimeve të “Kathimerini”, marijuana i përket bandës së Habilajve dhe njëri prej shqiptarëve të arrestuar është i afërm i Saimir Tahirit. “Sipas të dhënave paraprake, trafiku i 1.6 ton kanabis nga Shqipëria në Turqi ishte planifikuar të bëhej më herët, por u pezullua për shkak të zhvillimeve në Shqipëri. Anëtarët e rrjetit kriminal thuhet se u alarmuan nga arrestimet që bëri Guardia di Finanza në Tetor. Ndër të arrestuarit ishte dhe një i afërm i ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë”, shkruan gazeta greke “Kathimerini”.

Policia Kufitare Shqiptare ka qenë në dijeni të këtij operacioni nga pala greke, por ajo nuk është angazhuar në bllokimin e gomones. E njëjta gomone mendohet se ishte në monitorim prej dy javësh, pasi kishte tentuar që të nisej nga brigjet e Korfuzit, por pas një defekti në motor ishte kthyer pas.

Rasti i fundit i bllokimit të sasive të mëdha të drogës nga policia greke dëshmon, se ende vazhdon trafikimi i sasive të mëdha të kanabisit, që gjendet i magazinuar në Shqipëri. Raportime të ndryshme flasin për qindra ton kanabis të gatshëm për t’u transportuar për shkak të superprodhimit të vitit të shkuar. Ndërkohë, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është marrë nën hetim nga prokuroria për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal me personat e arrestuar nga policia italiane, mes të cilëve edhe Moisi Habilaj. Gjithashtu, tre ish-drejtues të policisë së Vlorës janë shpallur në kërkim, pasi kërkohen nga prokuroria për të bashkëpunim në trafikun e kanabisit. 

Skafi u soll nga Italia
Mjeti i shpejtë lundrues që u kap mbrëmjen e së shtunës nga roja bregdetare greke, dyshohet se ishte sjellë nga Italia dhe vlera e tij kapte shifrën 300 mijë euro. Ky lajm bëhet i ditur nga burime nga prokuroria që po hetojnë këtë dosje. Sasia totale e kanabisit të sekuestruar afër Korfuzit ishte 1.6 ton. Ende Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk jep detaje për hetimet që po zhvillohen në vendin tonë, pasi skafi me lëndën narkotike dyshohet se u nis nga qytetit i Sarandës. Po kështu organi i akuzës dhe ai i policisë po hetojnë nëse grupi kriminal i përberë nga 6 shqiptarë, 2 italianë, dy grekë dhe 1 bullgar të ketë kryer transport të mëparshëm të lëndëve narkotike drejt vendit fqinj.


Sigal