Greqi, vrasja e 21-vjeçarit, të afërmit rrëfejn për lidhjen me gruan e martuar

466
Burri zbuloi lidhjen e Danielit me të shoqen
Misteri i vrasjes së 21-vjeçarit shqiptar në Greqi, u zbardh nga vetë familjarët e Daniel Xhafës, të cilët thonë se njeriu i tyre ishte joshur nga një grua e martuar, nga Korça. Për pasojë, Xhafa është masakruar nga bashkëshorti i nënës së 3 fëmijëve. Trupi i pajetë i 21-vjeçarit u përcoll dje për në banesën e fundit, në varrezat e fshatit Kuman të Fierit. Të afërmit e viktimës i bëjnë apel policisë greke që të arrestojë autorin, i cili mendohet se fshihet në Korçë. Nga ana tjetër, ekspertët grekë kanë përcaktuar se Danieli është rrahur mizorisht deri në vdekje dhe nuk u qëllua me plumb, ndërsa në fund trupit të tij iu vu flaka.
Familjarët
Ai që ka përshkruar historinë e Danielit me gruan e martuar, ishte djali i hallës së viktimës. Në interes të mediave, të cilat ishin dje në Kuman të Fierit, i riu rrëfen ato që kishte dëgjuar prej Danielit. “Ai kishte njohur një vajzë të vogël në moshë dhe ishte në hapat e para. Nuk kishin diferencë moshe dhe të dy gjetën shoqërinë me njëri-tjetrin. E ndiqte gjithmonë këtë vajzën, që ishte e martuar. Kjo vajza nga Korça ishte pak budallaqe, e ka joshur Danielin. Ai i mendonte pasojat, ishte i rregullt”, rrëfen kushëriri. Më tej ai shprehet se “Ajo i dërgonte lekë të kalonte pushimet, i tregonte për burrin ishte e fiksuar me Danielin, donte t’i tregonte që e donte. Në një rast që kam qenë unë i thoshte të marr diçka te makina”. Duke ardhur te momenti final, djali i hallës së Danielit shprehet se “I vjen një telefonatë nga burri i saj edhe i thotë kush je se e kam numrin tënd këtu, por s’të mbaj mend. Danieli iu përgjigj se nuk njihemi bashkë, mos ke ngatërruar numër. Një javë më pas kthehej nga puna në këmbë, nuk ishte me shokun e tij, me të cilin ktheheshin gjithmonë, sepse kishte ngarkesë te taverna ku punonte, për shkak të sezonit turistik. Më pas do të shkonte në Larisë, për të bërë dokumentet vjetore”. Rrëfimin e vijon Kledisi, vëllai i Danielit, i cili gjithashtu jeton në Larisa. Kledisi rrëfen se “Në orën 2 e gjysmë e mori babi në telefon dhe e pyeti se ku ishte. Danieli u përgjigj se ishte në xhiro vetëm, jo me Marion. Më pas e mbylli telefonin. Kur vajta në shtëpi, i rashë telefonit të Danielit, por ai nuk përgjigjej. Një çoban shqiptar e gjeti të vdekur.” Viktima punonte në një tavernë në qytezën Agia të Larisës. Nga të dhënat e konfirmuara nga policia greke dhe ajo shqiptare, kjo familje ishte larguar prej shumë vitesh nga Shqipëria. Prindërit e Daniel Xhafës, Feriti dhe Merushja, kishin marrë me vete në Larisa edhe djalin tjetër, Kledisin. Kjo familje rezulton të jetë nga fshati Kuman i Fierit. Dy djemtë ishin punësuar në këtë tavernë, ku prej vitesh ishin integruar në jetën e asaj zone. Tepër i tronditur shfaqet komuniteti lokal në bregdetin e Komunës së Agias, në Larisa. Njerëzit që e njihnin të riun e pafat, flasin për një “fëmijë të qetë nga një familje e qetë”.
Tortura për xhelozi
Policia shkencore dhe mjekësia ligjore në Selanik kanë bërë të ditura të dhënat e reja për vrasjen e 21-vjeçarit Daniel Xhafa, i cili ditën e shtunë u gjet i vdekur në zonën Agia të Larisës. Raporti i ekspertëve të mbërritur nga Selaniku, konfirmon një torturë vrastare të ushtruar ndaj tij. Sipas informacioneve, që kanë dalë nga autopsia, është provuar se 21-vjeçari nuk është vrarë me pistoletë, siç u vlerësua në fillim, por u rrah për vdekje. Vrasësi e ka rrahur me një send të fortë, që mund të ketë qenë hekur, dru apo gur, por që në të gjitha rrethanat, tortura me këtë mjet i ka sjellë vdekjen. Për disa kohë ai është mbajtur në gjunjë, teksa ka shembje dhe fraktura të mëdha në pjesën e kokës. Vdekja ka ardhur nga rrahja. Më tej, vrasësi apo vrasësit i kanë vënë zjarrin trupit, ku janë djegur organet gjenitale dhe pjesë të tjera. Sipas djalit të hallës së viktimës, bashkëshorti i gruas me të cilën Danieli kishte miqësi, ka kërkuar takim me të. Kushëriri thotë se pasi e ka marrë në makinë e ka dërguar në një zonë të pyllëzuar të Larisës. Aty me ndihmën e një bashkëpunëtori e ka dhunuar barbarisht e ka goditur disa herë me thikë derisa i ka shkaktuar vdekjen.
Sigal