Granata në makinë, çfarë tha në Polici drejtuesi i mjetit (DETAJET)

529
Ditën e djeshme 36-vjeçarit Erjon Haxhiu i thyen xhamat e makinës dhe i vendosën brenda saj granatë.

Megjithëse nuk ka plasur, pasi sipas Policisë bëhet fjalë për një granatë mësimore, ngjarja është konsideruar si kërcënim për pronarin e mjetit dhe është regjistruar procedim penal për “kanosje” e “shkatërrim prone”.

Ai e kishte parkuar makinën e tij tip “Volksëagen”, para shtëpisë, në zonën e Laprakës. Kur ka dalë në mëngjes për të shkuar në punë, ka konstatuar të thyer xhamin trekëndësh të makinës. Duke menduar se bëhej fjalë për ndonjë vjedhje të mundshme, ai ka nisur të kontrollojë brenda automjetit, por aty ka gjetur një granatë. Menjëherë ka telefonuar në sallën operative duke denoncuar ngjarjen.

Aty kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr.3, që kanë rrethuar vendin e ngjarjes, ndërsa më pas kanë mbërritur edhe ekspertët xhenierë të RENEAs, për të bërë shpërthimin e kontrolluar të granatës. Pas veprimeve që kanë kryer ekspertët, është konstatuar se objekti i gjetur brenda automjetit të 36-vjeçarit ishte një granatë mësimore.

I dëmtuari është marrë në pyetje nga oficerët e Policisë, për ndonjë dyshim të mundshëm rreth autorëve të ngjarjes dhe nëse kishte apo jo probleme me njeri.

Erjon Haxhiu ka mohuar të ketë probleme apo të ketë marrë kërcënime më parë. Ai ka deklaruar se ngjarja mund të jetë edhe ndonjë ngatërresë e mundshme, pasi pranë mjetit të tij kanë qenë të parkuara edhe makina të tjera gjatë natës.

Megjithatë, Policia nuk ka përjashtuar mundësinë e ndonjë kërcënimi ndaj 36- vjeçarit, pavarësisht se ai vetë e ka mohuar. Policia e Tiranës tha zyrtarisht se grupi hetimor po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kësaj ngjarjeje. Ndërsa po verifikohen kamerat e sigurisë në bizneset pranë vendit të ngjarjes.
Sigal