Grabitje kompjuterike, në pranga studenti elbasanas

515
Sigal

ELBASAN/Policia: Dorian Bajraktari ndërhynte në llogaritë elektronike, merrte sekretet dhe bënte presion për përfitime pasurore

Kishte kohë që në mënyrë të sofistikuar kompjuterike ndërhynte në profilet e ndryshme në rrjetet sociale dhe kërcënonte me vënie gjobash, por është diktuar nga ana e agjentëve kundër krimit elektronik dhe dje, është vënë në prangat e policisë. Burime për gazetën “Telegraf” pohojnë se i arrestuari është Dorjan Bujar Bajraktari, vjeç 19, banues në Elbasan, student në vitin 2-të të Fakultetit të Shkencave Humane në universitetin “Aleksandër Xhuvani”, po në qytetin e Elbasanit. Për zbulimin dhe sigurimin e provave për këtë krim të veçantë, agjentët special kanë kryer një survejim profesional prej 2 muajsh.

OPERACIONI

Sipas burimeve për “Telegraf”, arrestimi i studentit Bujar Bajraktari është bërë në kuadër të operacionit të koduar “Virusi”, pas një hetimi e gjurmimi për rreth dy muaj. “Sektori për Krimin Kompjuterik në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, gjatë ditës së sotme (të mërkurën) finalizuan operacionin policor ‘Virusi’ gjatë, të cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i Dorjan Bujar Bajraktarit, vjeç 19, banues në Elbasan, student në vitin 2-të të Fakultetit të Shkencave Humane “Aleksandër Xhuvani”. Arrestimi i tij, është bërë pas një hetimi intensiv 2- mujor të strukturave të policisë në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda, në funksion të hetimit të kryer për procedimin penal nr. 226 të vitit 2013, për ndërprerjen e aktivitetit kriminal të kryer prej tij në fushën e krimeve kompjuterike dhe gjobë-vënies”,-shtojnë burimet zyrtare të policisë.

AKTIVITETI KRIMINAL

Nga hetimet e para, jepen dhe detaje rreth kësaj ngjarje. “I arrestuari Dorjan Bajraktari dyshohet se, në mënyrë të përsëritur ka përdorur teknika të posaçme kompjuterike duke thyer masat e sigurisë së profileve apo llogarive elektronike të shtetasve të ndryshëm në rrjetet sociale, duke marrë në mënyrë të paligjshme kontrollin e tyre dhe më pas i ka shtrënguar më anë të kanosjes për dhënien e pasurisë këto shtetas. Në cilësinë e provës materiale nga strukturat e policisë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe mjetet me të cilat dyshohet se, është kryer kjo veprimtari e paligjshme, përkatësisht: Një aparat telefonik celular, kompjuter laptop dhe desktop, 11 CD, iPod, etj… Bajraktari akuzohet për kryerjen e veprave penale ‘Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë’ dhe  ‘Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike’, parashikuar nga nenet 109/b dhe 293/b të Kodit Penal”- shtojnë burimet për gazetën “Telegraf”.