Grabitja në Rinas, policët privatë: Nuk kishim armë, në pistë nuk lejohet

432
Sigal

Një ditë pas grabitjes spektakolare në aeroportin e Rinasit, policia e Durrësit dhe e Tiranës, ka shoqëruar 20 punonjës të firmës private si dhe titullarët e kompanive “Nazeri 2000” dhe “Jaguar”.

Kompania e parë ishte e licencuar të shoqëronte paratë në avionin që do të fluturonte drejt Vjenës, ndërsa e dyta ka qenë pranë vendngjarjes për llogari të një banke tjetër. Por sipas burimeve, ajo nuk ka ndëhyrë kur ka parë grabitjen e parave.

Nga dëshmitë e para të rojeve private, mësohet se këta të fundit janë mbrojtur duke thënë se paratë janë grabitur jashtë juridiksionit të tyre. “Ne i kemi lënë paratë deri në doganë. Autoritetet e aeroportit merren me kontrollin”.

Burime nga policia, bëjnë me dije se ata kanë shpjeguar se në pistën e avionëve ku prisnin të ngarkonin paratë ishin të pa armatosur pas, nuk u lejohet të hyjnë me armë.

“Nuk kishim mundësi të reagonim, personat ishin të armatosur. Nuk e dimë shumën e parave që po transportonim” mësohet të kenë deklaruar ata.

Veç kësaj, policia dyshon se rojet private mund të kenë bashkëpunuar me grabitësit. Madje ata akuzohen se kanë shkelur rregullat e sigurisë, pasi në vend që të ishin 7 persona që do të ruanin gjatë kohës së transferimit të parave, ishin vetëm 3. “Nuk jemi njoftuar menjëherë nga firma private”­, ka deklaruar policia.

Ndërkohë, burime të policisë, bëjnë me dije se grabitësit dyshohet të jenë larguar në Malësinë e Niklës në Krujë.

Tre persona të armatosur kanë mundur të hyjnë dje në aeroportin e Rinasit duke grabitur një sasi të madhe parash. Forcat e policisë vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e tyre.