Grabitja e bankës tek Stacioni i Trenit, policia arreston 2 roje private

52
Dy ish-punonjës të policisë private janë arrestuar nga policia e Tiranës me akuzën “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën kryer në bashkëpunim”. Të arrestuarit janë Ilir Syla, 46 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Tiranë dhe Dritan Duka, 25 vjeç, lindur në Përrenjas dhe banues në Tiranë, të dy me detyrë ish punonjës të Policisë private. Bëhet fjalë për dy punonjësit e policisë të eskortës së SH.R.S.F, “Euro Gjici”, të cilët shoqëronin mjetin e blinduar me katër thasë me para të Union Bank me vlerë rreth 3 milion euro, të cilat u grabitën mesditën e 13 shkurtit 2015 nga tre persona të armatosur dhe me maska. Tre personat e maskuar nën kërcënimin e armëve, duke qëlluar në ajër, i kanë çarmatosur dhe kanë vjedhur bankën “Union Bank”, duke marrë shumën e parave në 4 thasë dhe janë larguar me mjetin tip “Land Rover”, me targë AA 105 IV, pronë e kompanisë së Sh.R.S.F, “Euro Gjici”.

Personat e maskuar dhe të armatosur kanë braktisur automjetin në rrugën “Sulejman Vathi” dhe janë larguar me një automjet tjetër. Syla ishte shpallur në kërkim “pasi më datë 19.06.2015, Prokuroria pranë Gjykatës Apelit Tiranë, ka dërguar urdhërin e datës 19.06.2015 për ekzekutimin e vendimit penal te Gjykates Apelit Tiranë, e cila ka vendosur lënien në fuqi të masës së sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale, “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën kryer në bashkëpunim”. Ndërsa Duka “ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë Tiranë, datë 07.07.2015, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka dërguar urdhërin për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën Penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën “.