Goditet grupi kriminal, arrestohen 2 “Babagjyshat” e TEG-ut, 4 në kërkim

490
Sigal

Grupi drejtohej nga Ilir Kupa, policia sekuestron një sërë provash materiale që kanë lidhje me ngjarjet e zbuluara

Një vit pas vjedhjes spektakolare në qendrën tregtare “TEG”, policia ka arrestuar grabitësit të veshur si babagjysha, të cilët grabitën një argjendari. Sipas policisë grupi kriminal ishte i përbërë nga 8 persona dhe personat janë përgjegjës edhe për disa grabitje të tjera në argjendari të ndryshme, ku një nga të dyshuarit kryesorë të grabitjes është edhe Ilir Kupa, shqiptari i kërkuar nga Greqia për arratisje nga burgu dhe një sërë veprash kriminale. Në operacionin e djeshëm janë arrestuar 2 persona,  4 janë shpallur në kërkim dhe një tjetër rezulton të jetë vrarë. Të arrestuarit janë Agustin Sula, 25 vjeç nga Durrësi, i dënuar më parë me 23 vite për vjedhje me armë dhe plagosjen e dy shtetasve po në këtë qytet dhe Hajdar Sefa, 30 vjeç, nga Kruja, i dënuar më parë.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim pjesëtarët e tjerë të grupit kriminal dhe konkretisht:

F. P, 28 vjeç, banues në Tirane, i dënuar më parë në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë.

D. K, 36 vjeç, banues në Shkodër, i dënuar në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë.

S. K, 31 vjeç, banues në Kurbin.

J. Q, 29 vjeç, lindur dhe banues në Borizanë të Fushë Krujës, i dënuar më pare për vjedhje.

Të shpallurit në kërkim janë nga Tirana, Shkodra, Kurbini, dhe Borizana.

Policia bën të ditur se ky grup akuzohet për disa grabitje me armë:

Në datë 28.09.2013, rreth orës 19:10, në qytetin e Kuçovës, kanë vjedhur me armë, dyqanin-argjendari, në pronësi të shtetasit A. B. Në datë 05.11.2013 rreth orës 14:30 në qendër të qytetit të Laçit, në kompleksin “Romina”, kanë vjedhur me armë argjendarinë dhe kanë plagosur pronarin e saj shtetasin S. R. Në datë 25.11.2013 rreth orës 13:45, në qytetin e Fushë Krujës, kanë vjedhur me armë “Argjendari Gjino” në pronësi të shtetases P. B. Në datë 18.12.2014 në Fushë Prezë kanë vjedhur me armë automjetin në pronësi të shtetasit SH. K., duke e plagosur rëndë atë.

Në datë 25.09.2013, në ora 19:30, në fshatin Fushë-Milot te kryqëzimi i “Kosovës”, kanë vjedhur mjetin tip “Benz”, në pronësi të shtetasit A. S.

Vjedhjen e një mjeti tip “Audi” në Fushë- Milot.

Në datë 24.12.2013 kanë vjedhur me armë argjendari “Gelosia” në qendrën tregtare TEG. Në datë 30 prill 2014 në Strugë, kanë vjedhur me armë një argjendari. Në datë 29.07.2014 në Dibër të Madhe kanë vjedhur me armë argjendari “Er Gold” dhe “Briljant Xhiti”.

Materialet e sekuestruara nga policia

Policia njofton se operacioni i koduar “Babagjyshat”, u zhvillua gjatë 48 orëve të fundit. Gjatë operacionit janë sekuestruar një sërë provash materiale si armë zjarri, bizhuteri, maska, rroba kamuflazhi. 1 armë zjarri pistoletë model 54 TT së bashku me një krehër me 6 fishekë luftarake, me mbishkrimin 1959; 1 armë zjarri “Zastava” kalibër 6.35 mm me numër serie T710696 së bashku me një krehër me 8 fishekë; 1 krehër me 15 fishekë pistoletë; 1 peshore elektronike,me mbishkrimin “TANITA” që shërbente për peshimin e sendeve të floririt dhe të argjendta të vjedhura ne argjendari; 1 pajisje kompjuterike lap top; 6 copë varëse floriri të madhësive të ndryshme; 8 copë unaza floriri te madhësive të ndryshme; 1 copë varëse kryq; 3 byzylykë dore; 28 telefona I-phone; 19 ora dore të markave të ndryshme; një sasi bizhuteri argjendarie; dy manekine me rroba kamuflazhi ushtarake; dy maska material plastik me flokë ngjyrë të bardhë; një palë doreza me material rrobe, 8 karta sim të kompanive të ndryshme; dokumente identifikimi të falsifikuara me gjeneralitete të rreme.