Goditën për vdekje elektricistin, pendohen babë e bir

463
Babë e bir, të arrestuar për vrasjen me levë të 60-vjeçarit Hajri Gullci, kanë pranuar në polici konfliktet e mëparshme mes tyre për shkak të fikjes së energjisë elektrike nga ana e elektricistit të fshatit. Policia e Vlorës bëri të ditur se shtetasi Dhimitër Hoxha dhe djali i tij 20-vjeçar, K. Hoxha, kanë mohuar ta kenë kryer vrasjen me dashje. Sipas tyre, ngjarja ndodhi, kur ata, në konflikt e sipër, e qëlluan, por ai u rrëzua dhe për pasojë nga përplasja e kokës gjeti vdekjen. “Debati me elektricistin Hajri Gullci nisi disa kohë më parë, për arsye se ai na preu dritat me pa të drejtë. Nuk deshëm ta vrisnim, por në gjaknxehtësi e sipër, pasi na ofendoi, e qëlluam. 

Por ai u rrëzua dhe koka iu përplas në tokë”. Kështu është shprehur në polici Dhimitër Hoxha, i cili dyshohet se në bashkëpunim me të birin kanë qëlluar me levë në kokë 60- vjeçarin, duke i shkaktuar vdekjen. Burime të Policisë bënë të ditur se babë e bir kanë dalë të acaruar nga banesa, sapo kanë parë elektricistin që ishte nisur për te shtëpia e tyre. Duke menduar se do t’u priste sërish dritat, ata kanë marrë një levë dhe i kanë dalë përpara duke e qëlluar atë. “Gjithçka ka ndodhur sepse elektricisti ka shkuar për të kontrolluar linjën elektrike, pasi kishte dyshime për lidhje të paligjshme. Për këtë shkak, reagimi i familjes Hoxha ka qenë i dhunshëm, madje ata i kanë zënë pritë elektricistit disa metra pa shkuar te banesa e tyre. Aty ka nisur debati dhe ata e kanë qëlluar në kokë.
Sigal