“Gjykata zbaton kompetencat e policisë”!

477
Sigal

Intervista/ Konstitucionalisti Niazi Jaho analizon vendimin e gjykatës së Tiranës për ndërprerjen e grevës së ish të përndjekurve

Para disa ditësh Gjykata e Rrethit Tiranë nxori vendimin për të shpërndarë grevën e urisë, që po zhvillohej nga një grup ish të përndjekurish politikë, pas një kërkesë të bërë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë. I pyetur për aspektin ligjor të këtij problemi konstitucionalisti Niazi Jaho u shpreh për “Telegraf” se: “Mendoj se nuk do të ishte e vështirë të kuptohej ose të arrihej në përfundimin se Gjykata e Rrethit as që duhej të investohej me shqyrtimin e një çështjeje të tillë”. Për më tej ndiqni intervistën e dhënë.

-Zoti Jaho, para disa ditëve gjykata e rrethit Tiranë ka urdhëruar shpërndarjen e grevës së urisë të një grupi ish të përndjekurish politikë. Në aspektin ligjor të problemit do të dëshironim të dinim mendimin tuaj lidhur më bazueshmërinë e  këtij vendimi?

-Në median e shkruar është botuar vendimi i Gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë datë 17.10.2012 me kërkues: Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, me objekt: marrjen e masës së sigurimit të padisë duke vendosur ndërprerjen e grevës së urisë që po zhvillohet nga një grup ish të përndjekurish politikë në rrugën “Hiqmet Delvina” Tiranë. Si bazë ligjore përmenden nenet: 32, 202, 204 të Kodit të Procedurës Civile, neni 197/9 pika 3 të Kodit të Punës, ligji nr. 8773 dt.23.04.2001 “Për tubimet”, neni 2 pika 5, neni 9 germa a/b, neni 16/c.

Mbas pjesës arsyetuese të këtij vendimi, Gjykata ka vendosur: 1. Pranimin e kërkesës së kërkuesit: Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë.

2. Marrjen e masës së sigurimit të padisë duke urdhëruar shpërndarjen e grevës së urisë (tubimit).

3. Kjo masë sigurimi, padie, ka fuqi ligjore për 15 ditë deri në ngritjen e kërkesë padisë përkatëse.

4. Kundër vendimit lejohet ankim i veçantë në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Siç dihet edhe vendimet e gjykatave nuk janë tabu. Kjo do të thotë se secili ka të drejtë të shprehet për përmbajtjen e tyre, të bëjë vërejtje apo kritika (pa fyerje) pavarësisht nga fakti se përfundimisht për bazueshmërine dhe ligjshmërinë e tyre vendosin instancat më të larta gjyqësore.

Ju kërkoni që, lidhur me këtë vendim të shprehem ne aspektin ligjor të problemit. Pikërisht këtij aspekti do t’i përmbahem. Mendoj se nuk do të ishte e vështirë të kuptohej ose të arrihej në përfundimin se Gjykata e Rrethit as që duhej të investohej me shqyrtimin e një çështjeje të tillë.

-Deri sa gjykatës ju paraqit një kërkesë përse ajo të mos e shqyrtonte dhe të mos vendoste?

-Meqë është fjala për tubimet (në vendimin e gjykatës përdoret shprehja “greva e urisë” dhe në kllapa “tubimi”) dmth se këtë grevë ajo e njëjëson me tubimin. Si rrjedhim deri sa është tubim, për rregullimin dhe zhvillimin tij ka një ligj të veçantë (ligji 8773, dt.23.04.2001). Këtë ligj e zbaton Policia e Shtetit. Në nenin 3 të këtij ligji thuhet: “Policia e Shtetit garanton dhe mbron të drejtën e çdo personi për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore dhe pa armë. Ndalimi dhe shpërndarja e një tubimi lejohet vetëm në rastet e parashikuara në këtë ligj”.

-Në vendimin e gjykatës thuhet se: “Nuk rezulton që organizatorët e kësaj greve (tubimi) të jenë pajisur me lejen përkatëse”. Në këto kushte a nuk kishte të drejtë gjykata të vendoste shpërndarjen e grevës?

-Nëse grevistët e urisë (tubuesit) për zhvillimin e kësaj greve detyroheshin ligjërisht që të njoftonin më parë Policinë e Shtetit dhe këtë nuk e kanë bërë sipas nenit 8  të ligjit “Për  tubimet” organi përkatës i policisë mund të vendoste ndalimin e zhvillimit të tubimit. Në këtë nen thuhet: “Kur ka arsye të motivuara se zhvillimi i një tubimi në një shesh ose vendkalim publik përbën një rrezik real për sigurinë kombëtare, sigurinë publike, parandalimin e krimit, mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, ose mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të të tjerëve dhe ky rrezik nuk mund të ndalohet me masa më pak shtrënguese, shefi i komisariatit të policisë mund të ndalojë zhvillimin e tubimit ose të vendosë për kohën dhe vendin e zhvillimit të tubimit”.

Prandaj, në rastet e mësipërme, shefi i komisariat të policisë mund të kishte vendosur ndalimin e tubimit ose të vendoste për kohën dhe vendin e zhvillimit të tij. Kjo nuk ka ndodhur. Nëse do të pranohej e provuar ajo që thuhet në vendimin e gjykatës se, përfaqësuesit e kësaj greve nuk kanë kërkuar dhe nuk janë pajisur me lejen përkatëse, do të thotë se, policia, vendin ku u zhvillua greva nuk e ka konsideruar as shesh, as vendkalim publik sepse sipas pikës 2 të nenit 47 të Kushtetutës “Tubimet paqësore në shesh dhe vendet e kalimit publik bëhen sipas procedurave te parashikuara me ligj”. Edhe në nenin 5 të ligjit  “Për tubimet” theksohet se “në rast tubimi në sheshe ose vendkalime publike, organizatorët dhe drejtuesit janë të detyruar të njoftojnë më shkrim shefin komisariatit të policisë jo më vonë se 3 ditë para datë së zhvillimit të tubimit”.

-A ka raste që greva ose tubimi të zhvillohet edhe pa njoftimin e policisë?

– Në nenin 12 të ligjit “Për tubimet” thuhet: “Tubimet në vendet e hapura për publikun mbahen edhe pa njoftimin paraprak të policisë” se: “Organizatorët  e këtyre tubimeve mund të kërkojnë mbështetjen e policisë jashtë këtyre vendeve për të mënjanuar çrregullimet gjatë ose pas zhvillimit të tubimit”. Siç duket, organet e policisë kanë pasur parasysh nenin e përmendur më lartë.

-Policia e shtetit a mund të ndalojë tubimin në vendet e hapura për publikun?

-Sipas nenit 16 të ligjit “Për tubimet”, mbajtja e një tubimi në vende të hapura për publikun mund të ndalohet dhe të mbyllet nëse ka filluar kur: a) Organizatori, drejtuesi ose personat ndihmës lejojnë hyrjen e personave të cilët mbajnë armë.

b)Ka arsye të motivuara për të besuar se zhvillimi i tubimit do të bëhet i dhunshëm ose rebelues.

c) Ekziston rrezik për jetën ose shëndetin e pjesëmarrësve.

E shikojmë të nevojshme të përmendim se, edhe në rastet e mësipërme vendosin organet e policisë.

-A mund të shpërndahet një tubim që zhvillohet në një sheh ose vendkalim?

-Po, mund të shpërndahet në rastet e parashikuara në nenin 16, pika 1, germat a, b, c, por edhe në këto raste shpërndarja bëhet nga forcat policore. Madje sipas pikës 2 të nenit të mësipërm oficeri i policisë përgjegjës për të ndihmuar dhe vëzhguar zhvillimin e tubimit, mund të urdhërojë largimin e një grupi personash nga tubimi në rast se mendon se, rreziku shmanget, me largimin e këtij grupi personash që pengojnë zhvillimin normal të tubimit. Në rast të kundërt oficeri i policisë, përgjegjës për të ndihmuar dhe vëzhguar tubimin urdhëron organizatoret, drejtuesit dhe pjesëmarrësit të ndërpresin tubimin dhe të largohen nga vendi. Pra, siç shihet edhe në këtë rast vepron oficeri i policisë.

-Gjykata në vendimin saj përmend edhe nenin 9 germa a/b të ligjit “Për tubimet”. Çfarë thuhet në këtë nen?

-Në këtë nen thuhet se, një tubim në një shesh ose në një vend publik mund të shpërndahet nga forcat policore me uniformë kur: a) mënyra e zhvillimit të tubimit është e tillë që mund të dëmtojë në mënyre konkrete rendin publik dhe sigurinë e personave, b) kur gjatë zhvillimit të tij kryhen krime.

-Ju thoni se gjykata nuk duhet të investohej në shqyrtimin e një çështje të tillë dhe as të vendoste si masë sigurimi shpërndarjen e grevës së urisë. Ligji “Për tubimet” a pengon organet e policisë që t’i drejtohen gjykatës për shkeljet që mund të bëhen nga organizatoret e tubimit kur tubimi nuk është i ligjshëm ose kur rrezikohet rendi publik?

Sqarimet që dhashë më sipër duke ju referuar ligjit “Për tubimet” mendoj se janë të mjaftueshme për të konkluduar se gjykata nuk duhej të angazhohej në shqyrtimin e një kërkesë të tillë.

Nëse greva e urisë e këtij grupi ish të përndjekurish politikë ishte e paligjshme dhe nëse ajo duhej shpërndarë kjo ishte kompetencë e organit përkatës të policisë së shtetit. Vlen të përmendet se sipas nenit 25 të ligjit të mësipërm vendimi administrativ që mund të merrej nga shefi i komisariatit të policisë ose vendimet e dhëna nga oficeri përgjegjës për zhvillimin e tubimit mund të ankimoheshin në gjykatë. Në asnjë nen të ligjit për tubimet nuk përmendet e drejta e organit të policisë për t’ju drejtuar gjykatës me kërkesën për ndërprerjen ose shpërndarjen e tubimit. Megjithëse çështja është shqyrtuar në referim të neneve që parashikojnë sigurimin e një padie (që në fat është e supozuar dhe e pakonkretizuar) gjykata e ka zgjidhur çështjen në themel: ka urdhëruar shpërndarjen e  grevë së urisë (tubimit).

Është e vërtetë se policia e shtetit është ngarkuar me ligjin për garantimin e rendit dhe qetësisë publike por këtë funksion ajo e kryen në çdo rast, në çdo vend dhe në çdo kohë. Mirëpo kur kemi të bëjmë me tubimet zbatohen dispozitat e ligjit “Për tubimet”.

Vlen të theksohet gjithashtu se, kapitulli i 4 “Sigurimi i padisë” të Kodit të Procedurës Civile zbatohet për çështje krejt të ndryshme që s’kanë lidhje në kërkesën e organeve të policisë drejtuar gjykatës. Masa e sigurimit të padisë (shpërndarja e grevës së urisë) siç thuhet në vendimin e gjykatës ka fuqi ligjore për 15 ditë deri në ngritjen e padisë përkatëse. Lidhur me këtë çështje bëhet natyrshëm pyetja: Çfarë padie do të ngrejë drejtoria e policisë së qarkut?! Nuk e shikoj të nevojshme të zgjatem për këtë çështje edhe për faktin sepse sigurimi i padisë sipas Kodit të Procedurës Civile ndjek qëllime të tjera dhe është i një natyre krejt të ndryshme nga dispozitat që përmban ligji “Për tubimet”.

-Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë kërkesën e bazon edhe në nenin 197/9 pika 3 të Kodit të Punës. A mund ta sqaroni këtë çështje?

-Do të dëshiroja që përmendja e këtij neni të ishte lapsus, por nuk besoj të jetë kështu. E them këtë edhe për faktin se gjykata jo rastësisht nuk është shprehur për këtë kërkesë.

Kam mendimin (ky është supozim por i bazuar) se kërkuesi “për të qenë brenda” meqë në ligjin “për tubimet” nuk përmendet shprehja “grevë” i është referuar edhe Kodit të Punës dhe pikërisht nenit të mësipërm ku thuhet se: “Kur greva shoqërohet me veprime të paligjshme palët i drejtohen gjykatës e cila përcakton përgjegjësitë e palëve, veprimet që ato duhet të kryejnë, cakton dëmin e shkaktuar dhe detyrimin e palës që duhet të zhdëmtojë. Për të drejtën e grevës ka një kapitull të tërë në kodin e punës (nenet 197-197/10). E drejta e grevës siç dihet është e garantuar në nenin 51 të Kushtetutës ku thuhet se: “E drejta e të punësuarit për grevën që ka të bëjë më marrëdhëniet e punës është e garantuar. Kufizimet për kategori të veçanta të punësuarish mund të vendosen me ligj për t’i siguruar popullsisë shërbimet e domosdoshme”.

Nuk është e kuptueshme çfarë lidhje ose analogjie mund të ketë greva e urisë ose tubimi i një grupi ish të përndjekurish politikë me dispozitat e Kodit të Punës!

-Përse gjykata në gjykimin kësaj çështje nuk ka thirrur dhe përfaqësuesin e  grevës?

-Këtë nuk e di, por mendoj se derisa ajo pranoi shqyrtimin e kërkesës me objekt marrjen e masës së sigurimit si rregull duhet të thërriste edhe palën tjetër. Në nenin 205 paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Civile ku bëhet fjalë për sigurimin e padisë thuhet: “kërkesa si rregull shqyrtohet në praninë e palëve, por në raste të veçanta ose të ngutshme mund të shqyrtohet edhe pa u thirrur pala tjetër”. Mendoj se i takonte gjykatës që të arsyetonte përse shqyrtimi i kësaj çështje u bë pa praninë e palës tjetër duke argumentuar gjithashtu se ky rast ishte “i veçantë” dhe “i ngutshëm”.