Gjykata vendos “arrest shtëpie” për Saimir Tahirin

520
Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Lajmi vjen pak ditë pasi Tahiri dha dorëheqjen si deputet i pavarur dhe pranoi të hetohet si qytetar i lirë për akuzat e përfshirjes në trafik droge me grupin e trafikantëve “Habilaj”.
Prokuroria kërkoi burg pa afat për ish-ministrin Tahiri, kërkesë e cila nuk u mor parasysh nga gjykata duke dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Ky veprim vjen pasi Komisioni i Qendror i Zgjedhjeve pranoi dorëheqjen e tij duke konstatuar përfundimin e mandatit.
Kujtojmë që ish-ministri Saimir Tahiri u përfshi në skandalin e përgjimeve të trafikantëve “Habilaj” kushërinj të tij të largët, të cilëve iu kishte shitur edhe makinën. Në përgjimet e Prokurorisë së Katanias trafikantët e përmendnin si personi me të cilin ndanin fitime.
Pas kësaj nisën hetimet paralele në Itali dhe Shqipëri, por edhe pse prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij, Kuvendi nuk ia hoqi mandatin e deputetit. Partia Socialiste e shkarkoi nga të gjitha funksionet dhe prej 6 muajsh ai qëndroi si deputet i pavarur deri më 3 maj, kur dha dorëheqjen nga Kryesia e Kuvendit me një fjalim të gjatë.
Sigal