Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar arrest me burg për Aldi Lleshaj

486
Sigal

Gjykata për Krimet e
Rënda ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për Aldi Lleshaj, 20-vjeçari
që plagosi rëndë një polic gjatë një grabitjeje.

Sipas njoftimit zyrtar ndaj të riut rëndojnë akuzat e vjedhjes me armë, vrasje
e punonjësit të policisë e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Ngjarja
ka ndodhur në Laç 4 ditë më parë, ku mbeti i plagosur efektivi Nikolin Gjergji.

Prokuroria për Krimet e Rënda ka shpjeguar dhe dinamikën e ngjarjes. Më 22
dhjetor rreth orës 08.45 në Kurbin, Aldi Lleshaj me një armë pistoletë i ka
dalë para në rrugë M. K, i cili ishte duke lëvizur me mjetin e tij tip Porsche
Cayenne. Pasi pa se pas të dhënit shenjë që të zbriste nga makina, M.K. nuk
doli nga automjeti i tij, i qëlloi atij në automjet, në pjesën e përparme, tek
fshirëset e xhamit, dhe kjo bëri që shoferi të zbriste nga makina, dhe Aldi
Lleshaj të merrte drejtimin e automjetit dhe të largohej me shpejtësi në
drejtim të kryqëzimit të Patokut. Në ndjekje të tij, u vunë patrulla policie,
ndër ta dhe policë me furgonin e policisë me targë MB


Forcat e policisë arritën dhe e panë automjetin Porsche, tek po dilte nga rruga
e fshatit Adriatik, për në kryqëzim të Mamurrasit, në autostradë. Forcat e
policisë i dolën përpara automjetit Porsche, rreth 30 metra pa dalë në
autostradë, dhe qëndruan në një largësi rreth 4-5 metra, prej tij. Punonjësit e
policisë i bënë thirrje atij të zbriste nga automjeti. Ata panë se ai, me dorë
të majtë nxori nga jashtë xhamit të automjetit armën dhe ua drejtoi atyre. Pas
kësaj, ai hapi pak derën e automjetit, dhe me armë drejtuar policëve, zbriti
nga mjeti dhe doli nga pas tij, nga ku qëlloi në drejtim të policisë. 

Nga të shtënat me armë prej tij, u plagos drejtuesi i mjetit të policisë, me
targë MB xxx AA, punonjësi i policisë N. Gjergji. Ai u godit në kokë, anës
syrit të djathtë. Këtu pat të shtëna nga të dyja palët. Pas disa të shtënave,
Aldi Lleshaj u largua me vrap nga pas makinës, duke i ikur policisë përreth 3
km. Disa nga punonjësit e policisë e ndoqën atë në këmbë. Të tjerë u përpoqën
ti jepnin ndihmën e parë kolegut të tyre të plagosur. Nga ndjekja që iu bë të
armatosurit gjatë largimit të tij me vrap, ai kthehej me trup dhe u drejtonte
armën policëve, dhe qëllonte nganjëherë drejt tyre. 

Më pas në ndihmë të policisë erdhën edhe forca të Repartit RENEA. Të gjithë
bashkë bënë rrethimin e personit, në një largësi të caktuar. Aldi Lleshaj
vazhdonte të mbante armën në dorë, dhe të qëllonte. Pas thirrjeve të
vazhdueshme të policisë për tu dorëzuar pas rreth një ore, ndërsa edhe shkëmbeu
zjarr me policinë, ai u plagos në këmbë. 

Pas kësaj ai u arrestua. Arma iu sekuestrua. Deri në këtë moment ai nuk ishte
identifikuar më mirë se kush ishte. Më pas u bë e njohur se ai ishte banor i
fshatit Adriatik/Kurbin, dhe se jetonte vetëm me të ëmën, pasi një vëlla e
kishte jashtë shtetit, në Itali. Ai u dërgua në spital për ti dhënë ndihmën
mjeksore. Në marrjen në pyetje Aldi Lleshaj nuk pranoi të jepte shpjegime për
ngjarjen e verifikuar, përfundon detajimin e ngjarjes prokuroria.