Gjykata: Burg Xhuvanit, familja e avokati braktisin Kostandinin

478
Sigal

TIRANE – Burg! Është kjo fjala e Gjykatës së Tiranës për Kostandin Xhuvanin, të dyshuarin kryesor për vrasjen e 4 personave në të gdhirë të 4 Nëntorit në lokalin e natës “Ante Grand”në kryeqytet. E po ashtu , “arrest me burg” është edhe vendimi për shokun e tij Erald Sida, nën akuzë për moskallëzim krimi dhe veprën penale të ushtrimit të prostitucionit. Në dy seanca të veçanta për të pandehurit, të cilat zgjatën nga rreth 10 minuta gjykatësja Enkela Bajo Vlora pa të arsyeshme kërkesën e Prokurorit Enklid Gjini dhe vendosi të japë masën e sigurisë “arrest me burg”.

I braktisur nga familja e tij, djali i vetëm i deputetes tashmë të dorëhequr Luiza Xhuvani dhe regjistorit të njohur Gjergj Xhuvani, është përballur i vetëm me drejtësinë në këtë seancë të parë ndaj tij. Po ashtu avokati Ardian Leka që e ka përfaqësuar në proceset e tjera ku 26-vjeçari është përballur me drejtësinë, nuk ka pranuar të marrë këtë çështje, edhe pse pas hekurave Xhuvani ka kërkuar emrin e tij. Në këto kushte, Xhuvani ka zgjedhur të dëgjojë këshillën e avokatit Violen Çelnikun të caktuar kryesisht nga Gjykata, duke mos dhënë asnjë deklaratë për masakrën që ndodhi në lokalin e natës përballë Fakultetit të Histori-Filologjisë.

Në shkelje të procedurave për një të pandehur, Xhuvani u paraqit me pranga edhe brenda kafazit të të akuzuarit në Gjykatën e Tiranës. Një element ky që ka tërhequr vëmendjen e gazetarëve, të cilët u lejuan të ndjekin seancën vetëm në çastet e fillimit të saj, për të vijuar më tej me dyer të mbyllura. Ndërsa ka ndenjur për disa momente i prangosur në bankën e të akuzuarit, gjykatësja Vlora vendosi t’i heqë prangat Xhuvanit pas pyetjeve të gazetarëve se a ishte kjo në përputhje me procedurat ligjore.

A1 Report transmetoi Live momentin e mbërritjes të Xhuvanit dhe Sidës në ambientet e Gjykatës, nën masa të rrepta sigurie, rreth ores 10:30.
 
Gjykata i caktoi Xhuvanit avokat Violen Çelnikun. 26-vjecari Xhuvani kishte kërkuar që mbrojtjen e tij ta bënte avokati Ardian Leka, me të cilin është përfaqësuar në proceset e tjera, por ky i fundit nuk e ka pranuar cështjen. Madje gazetarët, të cilët kanë ndjekur seancën ndaj Xhuvanit vetëm minutat e para, në ambientet e jashtme të gjykatës kanë hasur avokatin Leka i cili ka thënë se nuk e ka marrë këtë cështje. Seanca gjyqësore për masën e sigurisë ndaj Kostandin Xhuvanit dhe Erald Sidës zhvillohet me dyer të mbyllura.

Sipas prokurorëve të gjitha deklarimet e administruara në dosje nxjetrin se personi që ka qëlluar me armë zjarri është shtetasi Kostandin Xhuvani. Ky i fundit ka qëlluar direkt dhe pa paralajmërim mbi  Edison Jahon, i cili ndodhej në një tavolinë tjetër në lokal natën kur ndodhi masakra.

Më pas me një plumb në kokë është qëlluar dhe shoku i tij Enea Xhaj, që ndodhej në një tavolinë me Jahon. Gjashtë plumba që ka marrë në kokë Edison Jaho, sipas prokurorisë kanë qënë të gjithë tejshkues dhe për pasojë kanë vrarë dhe shtetasin italian Paolo Azola, dhe Arbër Demiraj, djalin e ish-prokurorit Skënder Demiraj i cili, ndodhej në një tavolinë me grupin e Xhuvanit.