Gjendja e 23-vjeçarit, mjeku jep detajet. Mund të vdesë nëse…

647
Mjeku i Spitalit të Traumës Jorgo Margo, që ka nën vëzhgim 23-vjeçarin Aldison Beluli që vrau Ariela Muaratin dhe më pas qëlloi veten ka pohuar se gjendja e tij është e rëndë dhe se rrezikon vdekjen nëse truri vazhdon ënjtjen.
Mjeku tha se pacienti ka 2 plagë në kokë që kanë shkaktuar jo pak dëme, duke folur për dëmtime të kockave të fytyrës dhe edemë të trurit.
“Pacienti ka dy plagë të cilat kanë shkaktuar jo pak dëme tek i sëmuri. Kemi thyerje të kockave të fyturës, kemi dëmtime të bazës së kraniumit, të rrënjës së hundës dhe dëmtime intrakraniale ose të trurit. Është një zonë e madhe hemorragjike nga ana e djathtë por më e dëmshme është edema e gjithë trurit.

Nuk është problemi se i ka kaluar plumbi por është në rrezik sepse procesi i ënjtjes ose edema i merr jetën. Nëse kjo vazhdon truri mbyt veten dhe këtu është edhe vdekja”, tha shefi i reanimacionit, në Spitalin e Traumës.
Ai nuk ka saktësuar nëse bëhet fjalë për dy plagë hyrëse me plumb, ndërsa tha se nga mjekët po bëhet gjithçka që është e mundur.

“Ne pamë që ka dy vrima, dy plagë me dy plumba, por janë probleme më tepër balistike, që ka kush i interpreton ne na takon të flasim për ato dëmtime që janë të rënda. Flasim për një prognozë jo të mirë. Është trajtuar që në ardhje, ka qëndruar në urgjencë deri në mëngjes. Është i intubuar me frymëmarrje të drejtuar. Sot në mëngjes ka shkuar në reanimacion, të shpresojmë që të mos progresojë enjtja e trurit. Është në koma, nuk ka lëvizje. Është vendosur menjëherë në komë me ilaçe. Këtu nuk mungon asgjë, nuk besoj se transferimi jashtë do të sillte përmirësim.”, tha Margo.
Sigal