Gjendet i vrarë një 39-vjeçar në Durrës. Policia: Shoku i ngushtë e qëlloi me automatik

416
Një 39-vjeçar është gjetur i vrarë mëngjesin e sotëm në Manëz. Viktima është identifikuar si Arben Hasa, ndërsa automjeti i tij tip “BMW” me targa AA 938 DR u gjet rreth orës 02:00 të mëngjesit i braktisur. Policia e Shijakut ka nisur hetimet menjëherë kur në automjet ka gjetur njolla gjaku, 2 fishekë dhe një gëzhojë automatiku. Mësohet se grupi hetimor ka identifikuar autorin, i cili dyshohet se është shok i ngushtë i viktimës dhe po punon për kapjen e tij. Viktima Hasa punonte si shitës në një dyqan me lëndë drusore. Ai është vrarë në mjetin e tij dhe më pas është hedhur në rrugë. Dyshohet se 39-vjeçari dhe autori janë konfliktuar disa muaj më parë për motive banale.

SHOKU I NGUSHTË E QËLLOI ME AUTOMATIK PAS KOKE
Policia e Durrësit ka dhënë detaje për vrasjen që ka ndodhur sot në orët e para të mëngjesit, në Shkallë të Manzës në Durrës. Sipas Policisë, autori është Miran Tila, 43 vjeç, banues në Manëz të Durrësit. Nga hetimet e policisë, rezulton se Tila dhe viktima, Arben Hasa, banues në Karpën të Maminasit kanë qenë shokë të ngushtë. Tila dhe Hasa po udhëtonin me një automjet tip BMW me targa AA 938 DR ditën e sotme në orën 02:00 kur ndodhi edhe vrasja. Policia thotë se mjeti ishte i viktimës. Ky i fundit është qëlluar me automatik pas shpine nga shoku i ngushtë, që është ende në kërkim. Policia gjetur edhe dy fishekë dhe një gëzhojë në automjet. Pra, viktima është vrarë brenda automjetit, madje është qëlluar pas shpine nga Tila. Menjëherë pas vrasjes, ai e ka hedhur trupin e shokut në ranë të rrugës. Pas gjetjes së trupit, nga ana e Policisë, u gjet më pas edhe automjeti i viktimës, që ishte braktisur në Shkallë të Manzës. Policia vazhdon hetimet për kapjen e autorit.
VËLLAI: I KANË ZËNË PRITË, GJURMËT E GJAKUT KISHIN MBULUAR RRUGËN
Jani Hasa vëllai i 39-vjeçarit Arben Hasa të vrarë me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e shkuar në rrugën nacionale Durrës-Manzë, ka rrëfyer në një intervistë ekskluzive për gazetaren Klodiana Haxhiaj dhe BalkanWeb, se si e mësoi lajmin për vreasjen e të vëllait të tij. Ai ka thënë se vëllai i tij mund të jetë tërhequr zvarrë pasi është qëlluar me breshëri në makinën e tij. Ai kërkon qëtë bëhet drejtësi për vëllain e tij. “Ka qenë para mesnate kur më mori nusja e vëllait Anila. Jam nisur menjëherë nga Burreli dhe kam mbërritur por dy orë në Manzë. Së bashku me policinë ne kemi kërkuar përgjatë gjithë natës. Ishte e tmerrshme kur na lajmëroi nusja e vëllait. Na tha që erdhi dhe e thirri një shok për të dalë. Telefonin e kishte lënë në shtëpi. Ajo u bë merak dhe kishte lajmëruar policinë që nuk po vinte burri në shtëpi…na lajmëroi edhe neve”, tregon vëllai i viktimës.

Jani tregon se si e ka parë vendin e ngjarjes. “Ishte një krim i vërtetë, masakër me kallashnikov. Mjeti kishte gjurmë të forta frenimi. Xhami i makinës ishte i thyer, që duket i kanë zënë pritë. Më pas, nuk dihet nëse vëllai ka dalë vetë nga makina, nëse ka qënë gjallë, apo e kanë tërhequr zvarrë për gati 1 kilometër. Por gjurmët e gjakut ksihin mbuluar të gjithë rrugën, nga makina deri tek vendi ku u gjet i pajetë”, tregon ai. Vëllai i 39-vjeçarit të vrarë kërkon drejtësi nga shteti. “Policia punoi mbrëmë dhe për këtë i falënderoj. Por dua që të vendoset drejtësi. Autori të kapet e të dënohet për këtë vrasje. Vëllai nuk kishte konflikte me njeri, do ma kishte thënë. Kishte një pikë të përpunimit të druve dhe i shpërndante. Punonte me të shoqen. Ka lënë pas një djalë jetim 12-vjeçar”, thotë Jani.
Sigal