Gjendet dhe një person i pajetë në brigjet italiane dhe drogë shqiptare me peshë…

504
Brenda pak ditësh në brigjet provincës së Leçes në rajonin e Puglias janë gjetur qindra kilogramë marijuanë e trafikuar nga Shqipëria. Sipas policisë italiane paketimi i njëjtë bën të dyshohet se bëhet fjalë për të njëjtën ngarkesë droge e braktisur apo e humbur nga trafikantët gjatë transportit nga Shqipëria drejt Italisë për shkak të motit të keq dhe detit të trazuar në nivel 4-5 ballë. Po në të njëjtin territor është identifikuar gjatë orëve të fundit dhe trupi i pa jetë i një personi.
Moti i keq ka vështirësuar operacionin e rekuperimit të viktimës, i cili gjendet në një zonë shkëmbore të bregdetit të Puglias e nën monitorimin e vazhdueshëm të rojës bregdetare. Asnjë person nuk rezulton i humbur në këtë territor e mediat lokale hedhin dyshimin e lidhjes së mundshme mes trupit të pa jetë në det e thasëve me marijuanë të gjetura në bregdetin e territorit përreth. Më datën 22 tetor në brigjet e Puglias në komunën San Foka u gjetën nga Financa Italiane 17 thasë me marijuanë në vlerë përfitimi shitje prej 300 mijë euro.
Më 29 tetor në komunën Cesine të Puglias vetëm pak kilometra larg San Foka u gjetën rreth 40 kg të tjera marijuanë me të njëjtën mënyrë konfeksionimi si ai i rikuperuar pak ditë më parë. Më datë 4 nëntor po në bregdetin e oazit natyror të Cesines por në territorin e komunës së San Kataldos u gjetën 48 kg marijuanë të tjera të konfeksionuara në dy thasë të mëdhenj. Ndërsa mëngjesin e sotëm rreth 100 kg marijuanë janë gjetur në brigjet e komunës Porto Badisco në provincën e Leçes.
Kjo sasi marijuanë e nxjerrë nga deti gjatë ditëve të fundit në brigjet e Leçes bëhet më e mistershme pas zbulimit të një personi të mbytur në det. Një ditë më parë banorët e komunës Kastro në provincën e Leçes kanë informuar rojen bregdetare mbi trupin e pa jetë të një personi që lundronte në afërsi të brigjeve shkëmbore të qytezës së tyre.
Deti mjaft i trazuar e ka bërë të pamundur tentativat e para për rekuperimin e trupit i cili është i seksit mashkull me lëkurë të bardhë. Ngjarja bëhet misterioze pasi në të gjithë provincën e Leçes deri më tani nuk ka denoncim për persona të humbur gjatë ditëve të fundit. Mediat lokale hedhin dyshimin e lidhjes mes trupit të pajetë në mes të detit e thasëve me marijuanë të mbërritura në bregdet.
Sigal