Agron Kaja: Federata Shqiptare e Basketbollit, dritëhije e progres

KUJTESË/ Ja disa nga pjesët e historikut të sportit të basketbollit në Shqipëri, rruga që nga krijimi i FSHB-së, drejtuesit, kampionët



Deri nga fundi i vitit 1945, në Shqipëri nuk kishte struktura apo persona të ngarkuar për t’u marrë drejtpërdrejt me problemet e basketbollit. Kjo gjë u bë e mundur vetëm kur u krijua Federata Sportive Shqiptare në shtator të vitit 1945, kur pranë saj u krijuan Komisione Teknike, që merreshin me hartimin e kalendarit sportiv dhe organizimin e veprimtarive kombëtare. Ato ishin të organizuara në tri seksione. Njëri prej tyre ishte edhe ai i Lojërave Sportive, në të cilin bënte pjesë edhe Inspektori i Sporteve me Dorë, që mbulonte, veç të tjerash, edhe basketbollin. Me këtë organizim të punës u bë e mundur që të kishte një strukturë dhe një person të ngarkuar
drejtpërdrejt me problemet e basketbollit. Në këtë mënyrë u plotësuan kushtet për krijimin në vitin 1946 të Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB). Tani vendi ynë kishte një institucion të
specializuar që ndiqte dhe drejtonte zhvillimin e basketbollit shqiptar brenda vendit, por edhe
përfaqësonte formalisht vendin tonë në marrëdhënie me jashtë për basketbollin, por lidhjet me
jashtë mbaheshin ende nëpërmjet Federatës së Sporteve Shqiptare, e cila mbante lidhjet me
federatat ndërkombëtare. Federata Shqiptare e Basketbollit në atë kohë nuk funksiononte si një
federatë e mirëfilltë, pasi i mungonin organet që ka një federatë e tillë dhe nuk kishte
kompetencat që ka tani. Në vitin 1947, pra vetëm një vit pas krijimit të saj, FSHB u bë anëtare e
Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA). Meriton të theksohet fakti, se ajo ishte një nga
48 federatat e para kombëtare të anëtarësuara në FIBA që nga themelimi i saj në vitin 1932,
nga 211 të tilla që ajo ka tani, gjë që tregon se basketbolli në vendin tonë njihej dhe luhej shumë
më parë se në shumë vende të tjera.
Periudha e historikut të FSHB, mund të ndahet në katër periudha:
Periudha e parë: 1946-1964
Gjatë kësaj periudhe nuk ka ekzistuar një federatë, që të përmbushte funksionet e një institucioni
të tillë, siç ndodh sot. Mungonte organi më i lartë i një federate, siç është Asambleja e
Përgjithshme, ndërsa funksionin e kryesisë së federatës, e kryente një organ që quhej Komisioni
Qendror Vullnetar i Basketbollit, i cili drejtohej nga kryetari i saj. Detyrën e sekretarit të Federatës e mbulonte një inspektor i seksionit ose degës përkatëse të institucionit shtetëror të fizkulturës dhe sportit, i cili në fillim quhej Inspektor i Sporteve të Lojërave me Dorë, pastaj Inspektor i Lojërave dhe më tej Inspektor i Basketbollit.
Periudha e dytë: 1964-1990
Funksionet e Federatës së sotme të basketbollit i kryente Federata Shqiptare e Lojërave, e cila,
përveç basketbollit, drejtonte edhe volejbollin, për një periudhë edhe shahun, pingpongun dhe
tenisin. Edhe FSHL nuk kishte në organet e saj Asamblenë e Përgjithshme, por një kryesi me
anëtarë përfaqësues kryesisht nga basketbolli dhe volejbolli, kryetarin dhe sekretarin.
FSHL bënte pjesë në institucionin shtetëror të fizkulturës dhe sportit, që gjatë kësaj periudhe
ishte Komiteti Shtetëror të Kulturës Fizike e Sporteve (KSHKFS).
Periudha e tretë: 1990-1994
Në vitin 1990, Federata Shqiptare e Lojërave u shpërnda dhe, për çdo sport që ajo mbulonte, u
krijuan federata të veçanta. Kështu, më në fund, u krijua edhe për basketbollin federata përkatëse
me emrin Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHB).
Kjo kishte të gjitha organet kryesore që ka një federatë:
1. Asamblenë e Përgjithshme
2. Kryetarin (më vonë Presidentin) e Federatës
3. Kryesinë e Federatës
4. Sekretarin e Federatës Edhe FSHB, ashtu si FSHL, bënte pjesë në institucionin shtetëror të fizkulturës dhe sportit, në fillim në Komitetin Shtetëror të Kulturës Fizike e Sporteve dhe pastaj në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Periudha e katërt: 1994 e në vazhdim
Në këtë periudhë, nga pikëpamja organizative FSHB nuk pati ndonjë ndryshim nga periudha e
tretë. Por u bë një ndryshim esencial, sepse tani FSHB, megjithëse mbështetet përsëri nga shteti,
nuk është më pjesë e MTKRS dhe gëzon një autonomi të konsiderueshme.


Somario
Në dhjetor të vitit 1891, kanadezi James Naismith e ka demonstruar lojën e re para studentëve të Sprinfilldit, të cilët më pas e pagëzuan me emrin "basketboll" (basket-shportë/kosh dhe ball-top). Prej atëherë, basketbolli u përhap në shtete të tjera të SHBA-ve, për të marrë më pas hapësirë në të gjithë Botën. Ndërkohë që, basketbolli për femra ka startuar në vitin 1892 në Kolegjin “Smith” dhe veprimtaria e parë për femra u organizua më 21 mars 1893.


Boks
Liga e Basketbollit e Shqipërisë
Liga e Basketbollit e Shqipërisë është një kompeticion që konsiston në pjesëmarrjen e klubeve profesioniste të basketbollit për meshkuj në Shqipëri, dhe është evenimenti më i rëndësishëm në këtë disiplinë. U themelua në vitin 1946 nga FSHB, ndërsa Kupa e basketbollit e Shqipërisë është evenimenti i dytë për nga rëndësia. Ekipi me më shumë trofe për meshkuj është Partizani, që e ka fituar këtë kupë për numrin rekord 33 herë. Liga konsiston në 12 ekipe profesioniste në Shqipëri dhe është një nga ligat më të vjetra në Ballkan, themeluar që në vitin 1946. Ky sport u rrit me shpejtësi në Shqipëri dhe rreth viteve ’70-të pothuaj çdo qytet kishte sallën apo fushën e basketbollit të vet. Pas rënies së komunizmit, shumë klube u tkurrën, pasi shumë lojtarë u larguan nga Shqipëria për të luajtur në vende të tjera. Pjesëmarrja e tifozerive gjithashtu u reduktua ndjeshëm dhe popullariteti i këtij sporti u ul në shifra shqetësuese. Gjithsesi, pas vitit 1993 pati një përmirësim në këtë drejtim, sepse shumë qytete rikrijuan dhe stabilizuan ekipet e tyre. Sot në Shqipëri ekzistojnë 12 ekipe profesioniste, sikurse dhe një sasi e madhe ekipesh amatore, të gatshme për të hyrë në ligat profesioniste. Anëtarët e Ligës së Basketbollit Shqiptar grupohen në 2 divizione: Liga A dhe Liga e Dytë (ose Liga B). Çdo divizion ka 6 ekipe të cilave u duhet të luajnë 4 herë me njëra tjetrën në dy faza të ndryshme gjatë sezonit të rregullt. Në çdo fazë, një ekip luan ndaj secilit kundërshtar 2 herë, një herë në fushën e tij dhe një herë në fushë kundërshtare. Kjo përbën një numër prej 20 ndeshjesh në sezonin e rregullt.


FSHBa
Themelimi: Viti 1946
Regjistruar FIBA: Viti 1947
President: Avni Ponari
Kategoritë:Superliga&Kateg.1
Kampionia e fundit:Vllaznia
Më shumë tituj: Partizani 33
Lojëra Olimpike: 0 paraqitje
FIBA World Cup: 0 paraqitje
EuroBasket: 2 paraqitje
(Në vitet 1947 dhe 1957)


Drejtuesit e FSHBa/ Kryetarët&Presidentët
1964-1980 Aranit Çela, Kryetar i FSHL
1980-1988 Thoma Kuke, Kryetar i FSHL
1988-1990 Ilia Kongo, Kryetar i FSHL
1990-1992 Qemal Shalsi, Kryetar i FSHB
1992-1995 Feti Borova, President i FSHB
1995-1996 Qemal Disha, President i FSHB
1996-1997 Vehbi Alimuça, President i FSHB
1997-1999 Gjergji Ndrio, President i FSHB
2000-2004 Marsel Skëndo, Presid. i FSHB
2004-2007 Dritan Çelaj, President i FSHB
2007 Avni Ponari President i FSHB


Pallatet e Sportit
Emrat Vende
Asllan Rusi 3,000
Farie Hoti 3,000
Qazim Dërvishi1,200
Flamurtari 1,000
Ramazan Njala1,000
Kamza 500



Faqe 2

Partizani për meshkuj e Tirana për femra, kryekampionët

Veprimtaria e parë kombëtare e basketbollit në vendin tonë është kampionati kombëtar për meshkuj, që u zhvillua në vitin 1946. Pas tij, në vitin 1947, u zhvillua edhe Kampionati i parë kombëtar për femra. Pas këtyre kampionateve, në vitin 1951 filloi organizimi i një veprimtarie tjetër kombëtare, Kupa e Shqipërisë për meshkuj, e cila në fillim emërtohej Kupa e Republikës dhe ndonjëherë edhe Kupa Tranzitore. Në vitin 1952, ndeshjet për këtë kupë filluan të zhvillohen edhe për femra, por në vitin 1952 u zhvilluan kampionatet e para kombëtare për të rinj dhe të reja. Një veprimtari tjetër e rregullt kombëtare është edhe ajo që është zhvilluar në kuadrin e Spartakiadave Kombëtare të organizuara nga viti 1959 deri në 1989, me rastin e festës së çlirimit. Së fundmi, duke filluar nga viti 1999, zhvillohen rregullisht ndeshjet për Superkupën, midis skuadrës kampione dhe fitueses së Kupës së Shqipërisë në basketboll. Sigurisht, përveç këtyre veprimtarive zhvillohen edhe kampionate apo kupa të ndryshme për kategoritë e moshave, minibasket, pasarela dhe para të rinj. Në veprimtaritë ndërkombëtare, Shqipëria ka marrë pjesë disa herë në Kampionatet Evropiane të zhvilluara nga FIBA Evropë si dhe në Kupën Evropiane të Promocionit. Në Kupën Evropiane të Promocionit, kombëtarja shqiptare e meshkujve ka arritur rezultate mjaft të mira. Në vitin 2006 ky aktivitet është zhvilluar në Shqipëri (hera e parë që një aktivitet i tillë zhvillohet në vendin tonë dhe organizohet nga FSHB-ja) dhe përfaqësuesja jonë është renditur në vendin e dytë. Ndeshjet u zhvilluan në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të qytetit të Durrësit dhe i pranishëm në këtë eveniment ka qenë edhe sekretari i përgjithshëm i FIBA Evropë, Nar Zanolin. Ndërsa në Kampionatin Evropian, për herë të parë vendi ynë është përfaqësuar në vitin 1947 me kombëtaren e meshkujve. Në këtë edicion kombëtarja shqiptare është renditur në vendin e fundit, midis 14 skuadrave pjesëmarrëse, pa mundur të sigurojë asnjë fitore. Pas 10 viteve, sërish kuqezinjtë e koshit shqiptar janë pjesëmarrës në Kampionatin Evropian të vitit 1957, por sërish ata do të renditen në vendin e fundit midis 16 skuadrave pjesëmarrëse. Pas një pauze të gjatë prej 38 vitesh, Shqipëria do të marrë pjesë në Evropianin e vitit 1995. Në këto vite aplikohet sistemi i ndeshjeve eliminatore, ku skuadrat janë të ndara me grupe. Shqipëria luan në grupin B dhe arrin të renditet në vendin e 5-të midis 7 skuadrave, duke arritur të sigurojë vetëm një fitore me Luksemburgun. Që nga ky vit, pjesëmarrja e kombëtares shqiptare të meshkujve në Kampionatet Evropiane do të jetë e pandërprerë, edhe pse ekipi ynë nuk ka mundur ta kalojë asnjëherë fazën eliminatore. Në vitin 1997 Shqipëria renditet në vendin e 5-të midis 6 ekipeve të grupit B, duke arritur vetëm një fitore. Në vitin 1999 Shqipëria renditet e fundit në grup. Pas 6 vitesh mospjesëmarrje, Shqipëria do të jetë sërish prezent në “Eruobasket Beograd 2005”. Por edhe kjo pjesëmarrje nuk rezulton e suksesshme për kuqezinjtë që tashmë luajnë në Divizionin B, Grupi C. Pa asnjë fitore ata renditen të fundit në grup, pa mundur të kalojnë fazën eliminatore. Në fund të muajit gusht dhe në fillim të shtatorit, përfaqësuesja shqiptare do të luajë katër ndeshjet e fazës së dytë eliminatore të Eurobasket “Spanjë 2007”. Dy ndeshjet, përkatësisht ndaj Slovakisë dhe Holandës do të luhen në pallatin e sportit “Flamurtari” në Vlorë, ndërsa dy të tjerat, me Bjellorusinë dhe Anglinë do të luhen jashtë. Objektivi kryesor i kuqezinjve të koshit është të fitojnë dy ndeshjet që do të zhvillohen në Vlorë. Për femra Shqipëria është përfaqësuar në një Kampionat Evropian në vitin 1997 dhe është eliminuar që në raundin e parë. Ndërkohë që e suksesshme ka qenë pjesëmarrje e kombëtares së femrave në Kupën e Promocionit. Kështu në vitin 1996 Shqipëria është renditur në vendin e dytë ndërsa në vitin 2002 në vendin e parë. Një sukses ka arritur kombëtarja shqiptare e të rriturave në Lojërat Mesdhetare “Latakia 1987” ku zuri vendin e parë duke marrë medaljet e arta. Për grupmoshat Shqipëria ka marrë pjesë në shumë aktivitete të rëndësishme të organizuara nga FIBA Evropë, por është eliminuar që në raundin e parë kualifikues si për meshkuj ashtu edhe për femra. Më e suksesshme ka qenë pjesëmarrja në Kupën e Promocionit për të rinj në vitin 2005 Shqipëria renditet e treta, në vitin 2003, Shqipëria është renditur në vendin e parë dhe në vitin 2001 është renditur në vendin e katërt.