Gazeta “The Independent”: Shqipëria është kthyer në Kolumbinë e Evropës. Diplomati evropian. Jeni narko-shtet, kapen 5 % të drogës

372
Sigal

Diplomati evropian: Shqipëria është narko-shtet, kapet vetëm 5 për qind e drogës

Gazeta britanike, “The Independent”: Shqipëri është kthyer në Kolumbinë e Evropës

Policia e Shtetit mburret se ka luftuar tërësisht kultivimin dhe trafikimin e hashashit, ndërkohë, që herë pas here kapen në brigjet e Shqipërisë dhe të Italisë “taksitë” e hashashit, me tonelata drogë. Mirëpo, kapja e ndonjë skafi me 1 ton hashash, nuk është sukses i policisë, sepse droga e kapur dhe e sekuestruar nga policia përbën vetëm një shumë të vogël të hashashit që trafikohet nga Shqipëria në drejtim të Evropës.

E vërteta që shkruajnë mediat britanike

Gazeta britanike, “The Independent”, në shkrimin investigues për trafikun e drogës në Shqipëri, thotë se vendi është kthyer në Kolumbinë e Evropës. Zyrtarët shqiptarë e pranojnë se kapin vetëm 10 për qind të drogës që trafikohet. Por, një diplomat perëndimorë shkon më larg. Ai tha se kapet vetëm 5 për qind. “Kjo u lë trafikantëve kaq pasuri sa për të blerë autoritetet e porteve nga Roterdami në Izmir,” tha ai. Brenda pak vitesh, thonë diplomatët dhe zyrtarët në Shqipëri, vendi është bërë selia qendrore e trafikut të drogës në kontinent. Shumë druhen se paratë kanë depërtuar dhe infektuar kaq thellë në elitën politike sa do jetë e vështirë lufta ndaj drogës. pavarësisht joshjes për anëtarësim nga BE.

Diplomati perëndimor: Shqipëria është Kolumbia e Evropës

“Është Kolumbia e Evropës,” tha një diplomat perëndimor. “Është prodhues dhe shpërndarës i drogës në Evropë. Është një narko-shtet. Ata do humbasin shumë para, nëse heqin dorë nga trafiku për të hyrë në BE”. Gazetari citon edhe rastin e ish-ministrit Saimir Tahiri, duke thënë se ishte e habitshme që Edi Rama nuk pranoi arrestimin e tij. Emri i Tahirit doli nga telefonatat mes trafikantëve, shkruan gazetari. Në investigimi nënvizohet fakti se trafiku i drogës ka të përfshirë persona, që nga ish-kryetarët e komunave e deri tek ministrat në qeveri. Ky implikim sipas medias britanike i jep “forcë” këtij aktiviteti nga njëra anë dhe nga ana tjetër siguron mbrojtjen prej arrestimeve.